Veseli: U kam thënë mos bëni ‘kryqa’ ndaj shqiptarëve, sepse në politikë ia ke nevojën tjetrit
Veseli nuk ka folur specifikisht për skenarët që mund të ndodhin në situatën politike që është krijuar. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se si opozitë pret që partitë fituese ta krijojnë Qeverinë, derisa ka insistuar se partia e tij do të bëjë opozitarizëm në të mirë të Kosovës. “Unë bart një qëndrim politik sa unë jam në opozitë. Ne jemi duke pritur që të kemi një proces normal demokratik. E kemi pasë procesin zgjedhor të mirë, ka dalë rezultati zgjedhor dhe këto dy partitë që kanë fituar duhej të merreshin vesh – dy vite kanë qenë duke e promovuar koalicionin, tash tre muaj çdo ditë e kanë promovuar marrëveshjen”.
“Do të jetë opozitë reale – e fortë, e mirë dhe në të mirën e Kosovës”.
Por, a ka skenar PDK-ja që ta votojë Qeverinë duke qenë në opozitë?
“Nuk mund të votosh diçka kur me vetëdije e sheh je duke e çuar vendin në kolaps. Vendimmarrja që ka ndodh sot, pa marrëveshje, bart rrezik të një drejtimi që e fut Kosovën në një krizë në mënyrë anarkike”.
“Ne kemi mundur ta bëjmë këtë në vitin 2014, kemi mundur ta kryejmë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, ashtu siç është e specifikuar në Kushtetutë, e përcakton partia ose koalicioni fitues”.
Veseli në Zona e Debatit në Klan Kosova nuk ka folur specifikisht për skenarët që mund të ndodhin në situatën politike që është krijuar.
Por, ai ka thënë me siguri se “asnjë pozicion i PDK-së nuk do të jetë që mund të jetë akrobatik traumatizues, imoral dhe që nuk e bart një histori në të cilën kemi kaluar”.
“Unë u kam thënë para zgjedhjeve ‘mos bëni ‘kryqa’ ndaj shqiptarëve’, sepse në politikë çdo herë ia ke nevojën tjetrit. E kam parë se është bërë modë sepse po e shohin se mund të fitojnë më lehtë te qytetarët përmes këtij polarizimi”.
“E kam vërejtur kur flisnim në Kuvend në rrethana normale, derisa kur futeshim në sallë të Kuvendit i njëjti njeri fillonte ‘Ah, SHIK-u’ me idenë se po fitojnë”.
“Jemi në një situatë të tillë të cilën e kanë mbjellë vet, po e korrin vet edhe le të shkojnë tash. Kjo është arsyeja pse e kam marrë edhe vendimin e asaj nate që kalojmë në opozitë”.


