FIDANISHTJA

LVV-ja nuk lëviz nga pozicioni rreth presidentit

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te seanca konstituive, por LVV-ja dhe LDK-ja akoma nuk i kanë tejkaluar mospajtimet rreth postit të presidentit. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngulur këmbë në kërkesën për balancimin e pozitave, respektivisht për sigurimin e pozitës së presidentit, LVV-ja nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj se ky post në asnjë mënyrë s’duhet të bëhet pjesë e marrëveshjes.

Kërkesën e LDK-së që posti i presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes për bërjen e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar disa herë të papranueshme. Zyrtarë të këtij subjekti në vazhdimësi kanë thënë se rreth kësaj pozite duhet të diskutohet vetëm atëherë kur të vijë koha e zgjedhjes së shefit të ri të shtetit. Ndaj kërkesën e LDK-së për ta marrë këtë post nga LVV-ja e kanë cilësuar një kërkesë të atillë, e cila nuk ka fare mbulesë. “Momentalisht duket se negociatat kanë ngecur për arsye se në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë, por jam shumë optimist se edhe kjo do të tejkalohet me maturi dhe vendi do të bëhet shumë shpejt me institucionet, që i ka votuar dhe që i ka kërkuar”, ka deklaruar nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

Por pa marrë parasysh këtë pozicion të LVV-së, nga LDK-ja kanë insistuar se të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe atë të presidentit, duhet të zgjidhen para arritjes së marrëveshjes. “Mendimi i të gjithëve dhe disponimi është që tani të definohen të gjitha përgjegjësitë që i kemi me Vetëvendosjen në koalicion, tani e jo më vonë, sepse çdo gjë që lihet më vonë për diskutim rrezikon koalicionin në punën e tij të mëtejme”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Eco Higjiena

Duke u nisur nga këto, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka bërë presion për formimin e qeverisë së re. Gjatë javës së kaluar në Kosovë erdhën dy deputetët e Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, të cilët u bënë thirrje LVV-së dhe LDK-së t’i lënë anash detajet teknike dhe ta bëjnë marrëveshjen finale. Me këtë rast ata thanë se tashmë nuk është koha adekuate të bisedohet rreth postit të presidenti, por drejt formimit të qeverisë së ardhshme, shkruan sot gazeta Zeri.

Pavarësisht kësaj, nga LDK-ja konsiderojnë se nuk ka asgjë kontestuese në këtë drejtim. Kërkesa për marrjen e postit të presidentit sipas tyre është krejtësisht normale. “E kuptoj edhe përpjekjen e faktorit ndërkombëtar për të krijuar kushte dhe mundësi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, por unë nuk besoj që ka diçka kontestuese këtu, për shkak se është normale që të gjitha vendimet ose të gjitha zgjedhjet që bëhen përmes Kuvendit ose përmes Qeverisë të jenë pjesë e bisedimeve dhe e marrëveshjes mes koalicionit të mundshëm të LVV-së dhe të LDK-së”, ka potencuar Muharrem Sfarqa.

Sidoqoftë, gjatë javës që shkoi, pos deputetëve të Bundestagut gjerman, formim sa më të shpejtë të institucioneve kanë kërkuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë së Madhe në Prishtinë./Zëri/