Sipërmarrësit e hotelerisë i bëjnë bisht fiskalizimit
Evazioni fiskal në Kosovë, në nivele alarmante. Vetëm rreth 100 hotele e motele janë fiskalizuar
Përveç objekteve të hotelerisë dhe pompave të benzinës, janë edhe kompanitë e taksive, që nuk po pajisen me arka fiskale. ATKja nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me ngecjen e procesit të fiskalizimit, që e dëmton buxhetin e shtetit miliona euro në vit
Rrjedha e procesit të fiskalizimit të bizneseve, që ka nisur vite më parë, ka ngelur në gjysmë të rrugës. Këtë e tregojnë edhe shifrat e fiskalizimit të fushës së hotelerisë.
Bazuar në të dhënat e zyrtarëve të kompanive, që merren me shitjen e arkave fiskale për bizneset, mësohet se janë vetëm 100 hotele e motele deri tash të fiskalizuara. Kestrin Kumnova, zëdhënës i Kompanive që merren me shitjen e arkave fiskale, njofton se edhe më tutje rreth 19 mijë biznese po funksionojnë pa arka fiskale dhe ky do të duhej të ishte alarm për gjitha institucionet vendimmarrëse të ekonomisë në vendin tonë. “Kompanitë e licencuara kanë fiskalizuar rreth 64 hotele dhe 41 motele në tërë Kosovën. Ky numër sigurisht se mund të jetë shumë i vogël, në krahasim me numrin e përgjithshëm të këtij grupi të biznesit. Ky grup i biznesit përveçse bëjnë qarkullim të konsiderueshëm, hyjnë në kategorinë e kompanive të mesme dhe të mëdha”, është shprehur ai për “Kosova Sot”
Edhe kompanitë e taksive, pa arka fiskale
Nuk janë vetëm bizneset e hotelerisë që i shmangen fiskalizimit. Zëdhënësi i kompanive që shesin arka fiskale, Kestrin Kumnova, ka thënë se asnjë kompani e taksive që afarojnë në Kosovë nuk është e fiskalizuar deri më tani. “Në bazë të të dhënave që posedojmë ne, nuk kemi fiskalizuar asnjë kompani të taksive në Kosovë. Pra, ky grup i biznesit funksionon tërësisht pa arka fiskale. Të gjithë qytetarët që udhëtojnë me taksi në tërë Kosovën asnjëherë nuk pajisen me kuponë fiskalë”, deklaroi ai. Kompanitë e fiskalizimit ofrojnë arka fiskale mobile, që janë shumë të përshtatshme për këtë lloj biznesi dhe në momentin që paraqiten për fiskalizim, ne do të ishim të gatshëm t’i furnizojmë, në mënyrë që edhe qytetarët që udhëtojnë me taksi të kenë mundësi të pranojnë kupon fiskal”, është shprehur më tej Kumnova. ATK-ja nuk është përgjigjur në lidhje me dukurinë e refuzimit të fiskalizimit nga mijëra biznese./kosova sot/


