Shpërfaqen dallimet e LDK-së dhe të LVV-së, s’ka koalicion
Ndonëse ishin zotuar se pas harmonizimit të plotë të planprogramit qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të arrijnë ta nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit, një gjë e tillë nuk ndodhi as të hënën. Liderët e dy partive, Isa Mustafa e Albin Kurti, nuk arritën as dje të merren vesh për ndarjen e ministrive dhe për postin e presidentit, me ç’rast u shpërfaqën edhe dallimet mirë të fshehura mes tyre, shkruan gazeta Zëri.
Edhe pse ishin shprehur optimistë se marrëveshja e koalicionit do të ndodhë në këtë fillimjavë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dështuan në arritjen e kësaj marrëveshjeje gjatë ditës së djeshme. Ndonëse ende pa filluar takimi u pa një zbehje e optimizmit të tyre, përfaqësues të të dyja partive kishin thënë se gjasat janë reale që koalicioni të ndodhë dje. Pas një takimi dyorësh dy liderët deklaruan se janë marrë vesh për shumë çështje, por ka ende tema të cilat kanë nevojë të diskutohen. Ndër të tjera ata theksuan se bisedimet do të vazhdojnë, mirëpo nuk dhanë afate kohore.
Kurti: Ka avancim, por jo marrëveshje
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të përfunduar takimin e tij dyorësh me kreun e LDK-së Isa Mustafën u shpreh se mes partisë së tij dhe LDK-së ka përafrime të shumta, por ka edhe dallime që mund të tejkalohen. “Do të jem fare i shkurtër, meqenëse atëherë kur do ta kemi marrëveshjen do të flasim gjerë e gjatë. Në negociatat tona avancim ka, mirëpo marrëveshje nuk kemi ende, sepse qartazi kemi gjëra për të cilat nuk jemi marrë vesh. Por avancim në diskutimin që kemi bërë, ka. E atëherë kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mundë ta shpalosim atë gjerë e gjatë”, ka thënë Kurti.
Me këtë rast kandidati për kryeministër nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të vazhdojnë negociatat me LDK-në, por që për një gjë të tillë ka thënë se do të merret vesh me të parin e LDK-së Isa Mustafën. “Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së ta caktojmë takimin e radhës që të vazhdojmë drejt arritjes së marrëveshjes”, është shprehur Kurti.
Mustafa: Po punojmë që ta gjejmë rrugën për koalicion
Ashtu si Kurti, me të njëjtin entuziazëm të zbehur ka folur edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili menjëherë pas Kurtit bisedën me të e cilësoi si bisedë përmbajtjesore, por që nuk rezultoi me koalicion. “Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore, sepse pa biseda të tilla është vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm 4-vjeçar. Natyrisht ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve që janë harmonizuar ndërmjet grupeve tona punuese”, ka thënë Mustafa.
Mirëpo pavarësisht përafrimeve, Mustafa theksoi se mes LDK-së dhe LVV-së ekzistojnë ende dallime, të cilat kanë nevojë të sqarohen. “Kemi edhe çështje që i kemi biseduar sot për të cilat do të punojmë që të arrijmë një përafrim, i cili mund të ndihmojnë në bërjen e koalicionit. Sot s’ka marrëveshje për koalicion, por ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrime”, ka thënë tutje ai.
Ndërkohë në një prononcim për “Zërin” njohësi i rrethanave Rasim Alija kishte theksuar se e vetmja barrierë aktuale mes LDK-së dhe LVV-së është pozita e presidentit, çështje kjo e cila nuk duhet bërë pengesë për arritjen e koalicionit. Madje sipas tij, gjetja e një dakordimi për figurën e re të presidentit është thelbësore për një qeveri të suksesshme mes të dyja partive. “Siç duket e vetmja çështje që ka konsumuar kohë është marrëveshja për presidentin. Çështja e presidentit mund të marrë ende kohë, por nuk do të jetë pengesë për arritjen e koalicionit. Është thelbësore një marrëveshje për presidentin në dy kuptime. E para, marrëveshja që në fillim do ta stabilizonte koalicionin LDK – LVV duke reduktuar problemet, të cilat mund të dilnin deri në zgjedhjen e presidentit pas pothuajse 2 vjetësh. E dyta, do ta sqaronte që në fillim me të njëjtin parim siç është ndërtuar koalicioni edhe çështjen e presidentit”, ka thënë ai.
Një marrëveshje e tillë, sipas Alijës, do ta reduktonte pastaj edhe mundësinë që presidenti të vijë nga ndonjë zarf nga ambasadat, siç ka ndodhur në të kaluarën. “Të dyja subjektet, edhe LVV-ja e edhe LDK-ja kanë alternativa që përveç emrave nga subjektet e tyre të propozojnë edhe emra të tjerë jashtë subjekteve të tyre politike, që garantojnë unitetin politik dhe garantojnë integritet”, ka shtuar më tutje ai. //ZERI

