Pushteti i shtrydhi Ndërmarrjet Publike
Qeveritë dështuan në funksionalizimin e kompanive. NP-të u bënë strehë e rehatimit të familjarëve, klaneve dhe militantëve
Në këto ndërmarrje ministra e ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë punësuar familjarët, duke i lënë njerëzit profesionistë jashtë këtyre ndërmarrjeve. Sipas analistëve, opozitarëve, ekspertëve të ekonomisë, Ndërmarrjet Publike janë shndërruar në ndërmarrje të familjarëve, por jo edhe të qytetarëve, që punësohen përmes një konkurrence të lirë në tregun e punës
Ndonëse ishte menduar se kanë marrë mësim nga Qeveria e paraardhësit të tij, edhe Qeveria e ‘Isa Mustafës’ po vazhdon rrugës së Hashim Thaçit, duke e keqpërdorur pushtetin së bashku me partnerin e koalicionit dhe duke i rrënuar Ndërmarrjet Publike, të cilat po shfrytëzohen për punësime të militantëve partiakë, përfitime në tenderomaninë milionëshe dhe në të njëjtën kohë, duke ua ulur cilësinë e shërbimeve dhe vlerën e tyre.
Me gjithë premtimet e bëra deri më tash, kryeministri Isa Mustafa nuk ka përmbushur asnjë prej këtyre obligimeve dhe premtimeve të bëra për depolitizimin urgjent të NP-ve. Sipas opozitës, ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, është një fatkeqësi që NP-të e Kosovës që nga paslufta e deri më sot në mënyrë të hapur veçse janë bërë një strehë e fuqishme e rehatimit në radhë të parë të familjarëve, pastaj të klaneve dhe militantëve të partive, që aktualisht janë në pushtet. Ata thonë se në këto ndërmarrje ministra e ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë punësuar familjarët, duke i lënë njerëzit profesionistë jashtë këtyre ndërmarrjeve. Sipas tyre, Ndërmarrjet Publike janë shndërruar në ndërmarrje të familjarëve, por jo edhe të qytetarëve që punësohen përmes një konkurrence të lirë në tregun e punës.
Pushtetarët punësojnë familjarët në ndërmarrjet e shtetit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Bali Muharremaj (AAK), është i mendimit se edhe Qeveria ‘Mustafa’ është duke i keqpërdorur NP-të, vetëm për punësime të militantëve partiakë, por edhe për përfitime në tenderomaninë milionëshe dhe në të njëjtën kohë duke ua ulur cilësinë e shërbimeve dhe vlerën e tyre, me synim të blerjes së tyre pas privatizimit./kosova sot/

