Nga udhëheqësi politik i UÇK-së në krye të shtetit
Hashim Thaçi do të jetë në krye të shtetit për pesë vjetët e ardhshme. Ish-udhëheqësi politik i UÇK-së pati një karrierë të gjatë me rënie e ngritje, suksese e dështime, i pafolur për të mirë, por edhe për të keq. Karrierën politike të presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, me detaje e sjell gazeta “Zëri” .
Pakkush kishte dëgjuar në fillim të viteve ’90-ta për Hashim Thaçin, kur ai tashmë kishte nisur aktivitetin politik.
Student i historisë, prijës i studentëve dhe prorektor-student do ta niste aktivitetin ilegal që më pas do të shfaqej prijës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, detyrë të cilën e kishte marrë me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Tiranë.
Historiani nga Buroja e Skenderajt, Hashim Thaçi, vetëm 31 vjeç do të udhëhiqte delegacionin e Kosovës në bisedimet e Rambujesë, po ashtu me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në konferencë pati edhe mospajtime të theksuara ndërmjet anëtarëve të delegacionit të Kosovës e më i theksuari u pa të jetë mes udhëheqësit të delegacionit Hashim Thaçit dhe liderit të LDK-së Ibrahim Rugovës.
Pas shumë orvatjeve, përplasjeve e lutjeve nga miqtë ndërkombëtarë delegacioni i Kosovës nënshkroi në Paris Marrëveshjen e Rambujesë, por e cila do të dështojë pas refuzimit të Jugosllavisë, përkatësisht ish-liderit të saj Sllobodan Millosheviq që ta nënshkruajë këtë marrëveshje.
Pas kësaj NATO-ja do ta niste fushatën 78-ditore kundër caqeve serbe dhe Kosova më 12 qershor do të çlirohej përfundimisht nga pushtimi serb./zeri/


