Shteti i ryshfetit
Ish-deputetë, ish-ministra, këshilltarë të ministrave, kryetarë komunash e shumë udhëheqës të tjerë të institucioneve të Kosovës janë përfshirë në marrje të ryshfetit për të përfituar kundërligjshëm. Kryesisht, shtet i ryshfetit e i korrupsionit është paraqitur Kosova në Raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015.
Ndikimi i pozitës zyrtare duke marrë ose dhënë ryshfet, sipas raportit të AKK-së, karakterizohet gati nga shumica e institucioneve në vend. Të gjitha këto raste Agjencia ka treguar se i ka dërguar në organet përkatëse të Hetuesisë. “‘Marrja e ryshfetit’, e përcaktuar në Nenin 428 të Kodit Penal të Kosovës, kjo vepër është shoqëruar edhe me veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’, Neni 429 të Kodit Penal të Kosovës.
Personat e përfshirë në këto raste janë nga nivele të ndryshme, si: ish-deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ish-ministër, këshilltar i ministrit, ish-këshilltar i ministrit, kryetar i Komunës, nënkryetar i Komunës, drejtor në Agjenci të Pavarur, udhëheqës ekzekutiv i Këshillit të Pavarur, ish u.d. sekretar i përgjithshëm në Ministri, anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin Publik, dekan i Fakultetit në Universitetit Publik”, thuhet në raportin e punës njëvjeçare të publikuar nga AKK-ja, e cila deri në shtator të këtij viti do të drejtohet nga Hasan Preteni.
Këto ryshfete, sipas gjetjeve të Agjencisë, karakterizojnë rastin e dyshuar ku në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi është kërkuar, pranuar, premtuar, ofruar ose dhënë shuma e caktuar e mjeteve monetare në këmbim të realizimit të punësimit./zeri/


