Legjenda Schmeichel me fjalë të mëdha për Xherdan Shaqirin
Peter Schmeichel e ka lavdëruar futbollistin kosovar, për të cilin thotë se është vështirë të ndalet nga kundërshtarët. Ish-portieri i Manchester Unitedit insiston se futbollisti kosovar është një lojtar i rëndësishëm i Liverpoolit.
Peter Schmeichel i vlerëson lartë kualitetet e Xherdan Shaqirit, për të cilin thotë se është mjaft vështirë të ndalet nga kundërshtarët, shkruan Gazeta Express.
Ish-portieri danez ndërkohë thotë se transferimi i futbollistit kosovar në Stoke City ishte i çuditshëm, pasi ai kishte luajtur në Basel dhe më pas në klube të mëdha si Interi e Bayern Munichu.
Kur Stoke ra nga Premierliga dy vjet më parë, Liverpooli e transferoi atë për afro 15 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, përfaqësuesi zviceran e ka luajtur një rol gjysmë të rëndësishëm për ekipin e Jurgen Klopp.
Ai ka përfunduar shpesh në bankinë në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe në atë të parë të këtij sezoni.
Sidoqoftë, Schmeichel e ka lavdëruar Shaqirin, për të cilin ka thënë se është i paparashikueshëm kur e ka topin në këmbët e tij.
“Ai është lojtar mjaft i mirë, mund të driblojë, të gjuajë dhe ka këmbë të shpejta”, ka thënë Schmeichel për mediumin zviceran “Blick”.
“Ju nuk mund ta dini kurrë se çka do të bëjë ekzaktësisht në hapin apo potezin tjetër dhe kjo e bën punën mjaft të vështirë për kundërshtarin. Mirëpo, ai e kishte bërë një transferim të çuditshëm tek Stoke City”, shton ish-portieri i Manchester Unitedit.
“Ai ishte brilant në Basel, më pas shkoi në Bayern, që ishte diçka e madhe. Mirëpo, më pas në Stoke. Tash ai është me trajnerin Jurgen Klopp në Liverpool dhe ai i pëlqen lojtarët e tillë. Megjithatë, Shaqiri nuk është njëri prej 11 futbollistëve më të rëndësishëm”, përfundoi Schmeichel. /Gazeta Express/


