Korrupsioni ky kancer i shoqërisë kosovare
Nga Raif Ramabaja – Çka është në të vërtetë korrupsioni?. Termi korrupsion rrjedhë nga fjala latine corruptio (lat. ligësi, prishje, kalbje, zhvatje, keqpërdorim, mitmarrje, etj ). Në praktikë ka shumë definicione të ngjashme dhe të përafërta për korrupsionin.
Sipas Vito Tanzi, korrupsioni paraqitet atëherë kur vjen deri te prishja e qëllimshme e parimit të paanësisë gjatë procesit të vendimmarrjes, me qëllim të përfitimeve materiale. Banka Botërore korrupsionin e definon si keqpërdorim të autorizimeve publike për realizimin e interesit personal.
Korrupsioni, ky lloj kriminaliteti është keqpërdorim i autorizimeve në sektorin publik në interaksion në mes sektorit publik, nga njëra anë dhe sektorit privat apo qytetarëve nga ana tjetër. Korrupsion paraqet çdo keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ana e zyrtarit shtetëror, apo personit që kryen një funksion publik, i cili ka për qëllim përfitimin personal apo material.
Disa të tjerë cekin se korrupsioni është shfrytëzim i paligjshëm i pozitës politike, ekonomike dhe shoqërore për interesa personale. Si dukuri shoqërore, korrupsioni (praktika e mitëmarrës) është e vjetër sa edhe vetë shoqëria. Korrupsioni nuk do të ishte aq i vjetër dhe aq i vështirë për ta luftuar dhe çrrënjosur, sikur mos të ishte ngushtë i ndërlidhur me natyrën e njeriut. Vetë natyra njerëzore më lehtë i nënshtrohet korrupsionit se sa ta luftojë egon e vetë.
Duke jetuar në shoqëri, njeriu ballafaqohet dhe i ekspozohet shumë problemeve dhe sprovave, pra edhe mundësisë për t’u korruptuar. Me këtë përshkrim nuk dëshirojë ta relativizojë korrupsionin si një të keqe të përgjithshme të shoqërisë, e as ta zbehi luftën kundër tij, por, të paralajmërojë në gjerësinë, kompleksivitetin dhe rezistencën që ka si fenomen.
Për fenomenin e korrupsionit në Kosovë tashmë është folur dhe shkruar mjaft, nga media, shoqëria civile, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Kjo sëmundje kancerogjene që ka kapluar tërë shoqërinë kosovare, jo që nuk po shërohet, por ajo tashmë ka metastazuar. Kosova po ballafaqohet me korrupsionin e profilit të lartë dhe me mos ndëshkimin e tij.
Deri më tani ka munguar dhe ende po mungon lufta e pakompromis ndaj bartësve të korrupsionit, që nga niveli lokal e deri tek ai qendror. Edhe Bashkësia Ndërkombëtare, në të gjitha raportet e saja deri me tani për gjendjen në Kosovë, e ka potencuar me vija të trasha problemin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si pengesë kryesore për zhvillimin shoqëroro- ekonomik të vendit.
Por, kjo sikur nuk i bënë fare përshtypje organeve kompetente të ndjekjes e veçanërisht qeveritarëve tonë. Këtu nuk kemi të bëjmë me faktin se ata që duhet ta luftojnë këtë sëmundje, e që marrin paga nga shteti edhe për këtë, nuk e dinë terapinë, por thjeshtë nuk kanë vullnet dhe nuk duan ta zbatojnë ligjin, sepse edhe vetë janë të zhytur në këtë punë të pistë.
Çdo kujt që i është ofruar disi mundësia, është infektuar me virusin e korrupsionit dhe atë në çdo sektor, ndërsa ky është bërë një trend i kohës së fundit. Korrupsioni lulëzon kur pasuria publike nuk është mjaft e mbrojtur nga vet shteti. Financat shtetërore dhe pasuria publike janë një shënjestër e mirë për korrupsion dhe krimin e organizuar në çdo shtet.
Është shumë problem i madh për ta gjetur një sektor në Kosovë ku korrupsioni nuk i ka lëshuar rrënjët e veta. Shtetet jostabile dhe veçanërisht ato në tranzicion (siç është rasti i Kosovës) janë përballura me korrupsion për shkak të ndryshimeve të normave juridike dhe etike. Shumë institucione bashkëpunojmë me kriminelët, pastaj vetë i organizojnë ata, doganierët bashkëpunojnë me kontrabandistët, e pastaj vetë e organizojnë kontrabandën. Në Kosovë edhe gjyqësia, arsimi, shëndetësia e në veçanti bizneset bien nën ndikimin e korrupsionit të organizuar. Kështu vije deri te simbioza e dukurive normale dhe patologjike, nuk ka luftë kundër forcave të bashkuara të korrupsionit, të gjithë bashkëpunojnë në këtë punë. Këtu nuk ka pozitë– opozitë, në këtë rast të gjithë janë pozitë.
Kjo gjendje mund të quhet edhe kleptokraci- ku të gjithë faktorët relevant të shoqërisë bashkohen në vjedhjen e të mirave publike dhe kështu përbëjnë një oligarki të hajnave. Nobelisti Amerikan Beker konstaton se “në qoftë se e shfuqizojmë shtetin, s’do të ketë as korrupsion”. Nga kjo, mund të konstatohet se zyrtarët shtetëror dhe ata të institucioneve tjera publike janë në pozitë për t’u korruptuar, dhe njëherit kanë obligim ligjor për ta luftuar këtë sindromë. Të parën e bëjnë e të dytën jo.
Një nga shkaqet kryesore të korrupsionit sigurisht se është edhe lakmia e atij që pranon miton – për t’u pasuruar brenda natës. E që korrupsioni është çështje komplekse dhe shumë e dëmshme, tregon edhe fakti se edhe Kombet e Bashkuara kanë qenë të detyruara që këtë problem ta trajtojnë me Konventë të posaçme anti- korrupsion (UNCAC). Kjo Konventë është aprovuar në Kuvendin e Përgjithshëm të OKB-së, me 31.12.2003, me Rezolutën nr. 58/4.
Pengesat në luftimin e korrupsionit
Me qëllim të luftimit të korrupsionit në Kosovë janë formuar shumë komisione, grupe punuese, task forca etj. nga institucionet e ndryshme, por, rezultatet nuk po dukën as kund në horizont. Deklaratat dhe zotimet e politikanëve se do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit janë zhdukur si bryma para diellit në mëngjes. Sa më tepër që po bëhet zhurmë kundër korrupsionit, ai nuk po zvogëlohet, por vetëm po rritët. Koha po ecën duke ia lënë fajin njëri tjetrit, e rezultatet në “luftë” kundër korrupsionit s’po shihen as kund.
Çdo reformë si proces, e në veçanti lufta kundër korrupsionit, është proces i komplikuar të cilin e përcjellin shumë pengesa për të arritur rezultatet e pritura, siç janë mosfunksionimi i shtetit juridik, mungesa e vullnetit politik, mungesa e llogaridhënies, klientelizmi / nepotizmi, kompetenca dhe autonomia e mangët e subjekteve të zbatimit, angazhimi i pamjaftueshëm i subjekteve kompetente, mungesa e koordinimit, mungesa e përkrahjes publike dhe fshehtësia ( pasi që korrupsioni zakonisht kryhet “në katër sy”).
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë duhet të jetë jo vetëm reaktive (që dikush ta paraqesë rastin) por, edhe proaktive, që të veprohet para se të ndodhë rasti. Probabiliteti se mund të vije deri te korrupsioni, apo që ajo mos të vërehet, rritët në qoftë se procesi i vendimmarrjes nuk është publik dhe transparent. Është interesante se çdo qytetar në mënyrën më të rreptë e dënon korrupsioni, por shpesh herë nuk është i gatshëm t’i lajmërojë këto vepra kriminale. Gjykimi moral dhe mospranimi i korrupsionit, si në nivelin kolektiv, ashtu edhe në atë individual, paraqet mjetin më të fuqishëm dhe më efikas për parandalimin e korrupsionit, e që nuk kërkon investime të mëdha.
Për këtë, procesi i forcimit të vlerave morale duhet kyçur në krijimin e masave të anti-korrupsionit dhe promovimin e tyre te të gjithë akterët e shoqërisë. Fatkeqësisht, shkelja e normave morale dhe ligjore e pasqyruar për mes mitmarrjes dhe korrupsionit, sot është bërë dukuri normale. Korrupsioni legal ( korrupsioni për të cilin pak flitet) është më i dëmshëm se sa dhënia e punëve sipas lidhjeve apo parave nën tavolinë. Këtu kemi të bëjmë me shuma të mëdha të parave.
Ta analizojmë vetëm procesin e privatizimit të NSH në Kosovë. Ish prona shoqërore është gllabëruar dhe sot është në duart e një numri të vogël të individëve të “fortë”. A nuk është me të vërtetë problematike, përpos pasurimin të paligjshëm të disa individëve edhe ekzistimi i fondeve të zeza nga këto transaksione për financimin edhe të zgjedhjeve?
Çfarë demokracie kemi kur disa magnat ekonomik dhe medial e dizajnojnë politikën shtetërore dhe janë direkt të kyçur në politikë-bërje në Kosovë? Të korruptuarit as një here s’do ta luftojnë korrupsionin. Ata nuk janë budalla ta presin degën në të cilën rrinë.


