‘Apex’ kthehet në rigjykim
Arben dhe Astrit Krasniqi, pronarë të lojërave të fatit “ApexPlay4Win” do të rikthehen në bankën e të akuzuarve. Rasti i njohur si “Apex” është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi kjo e fundit ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë.
Pronarët e “ApexPlay4Win” ishin arrestuar nën dyshimin se kishin vepruar si grup i organizuar kriminal, duke përdorur shantazhe e kërcënime nga më të ndryshmet ndaj konkurrentëve të tjerë në fushën e lojërave të fatit. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve, Arben dhe Astrit Krasniqi, që njëherësh ishin edhe pronarë të kompanisë së kazinove “ApexPlay4Win” dhe nëntë bashkëpunëtorëve të tyre.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte vendosur që procedurën gjyqësore ndaj këtyre të akuzuarave ta pushojë së ekzistuari, kjo për arsye se aktakuza ishte ngritur pas afateve të parapara me ligj. Provat e sjella asokohe nga prokuroria, sipas kryetares se trupit gjykues, Kateien Gabriel Wittenem, ishin të pavlefshme, sepse aktakuzat ishin ngritur 27 ditë pas afateve të parapara me ligj. Kjo kishte shtyrë gjykatën që ta hidhte poshtë aktakuzën si të pas afatshme. Mirëpo, pasi që shkalla e parë kishte marrë këtë vendim, prokurori i rastit, Alain Cansik iu kishte drejtuar me ankesë Gjykatës së Apelit, ku dhe kishte kërkuar që vendimi i shkallës së parë të rrëzohet dhe që rasti të kthehet në shqyrtim përsëri. Vetëm tre muaj pas pranimit të ankesës nga ana e prokurorit, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën dhe ka marr vendim që rasti “Apex” të kthehet edhe një herë në gjykim, duke e hedhur poshtë vendimin e themelores, e cila i kishte liruar të akuzuarit me arsyetimin se aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh. Vendimin për kthimin në shqyrtim të këtij rasti, Apeli e ka marr si referencë të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila kishte vendosur që aktakuza në rastin e KEK-ut në të cilën është i përfshirë të kthehet përsëri në gjykim./zeri/


