Ambasadorët e shtetit të kapur dështuan
Diplomacia kosovare në shërbim të interesave të ngushta. Asnjë investitor nuk erdhi përmes diplomatëve tanë
Sipas analistëve, këto ambasada as nuk kanë broshura të ministrive përkatëse, ku do t’u ofronin shteteve atje ku janë informata të mjaftueshme për ekonominë e Kosovës, kulturën apo trashëgiminë kulturore.
Për plot 8 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, politika e jashtme vazhdon të mbetet një nga dikasteret më të dështuara të shtetit të ri, si në planin e diplomacisë politike edhe në atë ekonomike.
Përfaqësues të subjekteve politike, në pozitë dhe opozitë, por edhe analistë të ndryshëm e shohin këtë dështim si pasojë e dërgimit në misione jashtë vendit të individëve që nuk e kanë kryer as për së afërmi rolin e ambasadorit të mirëfilltë.
Shumica prej tyre, në vend se të tregojnë rezultate për të tërhequr investitorë nga shteti ku janë në detyrë për vendin e vet, ata të vetmin interesim e kanë për të zhvatur shtetin, për të keqpërdorur mëditje dhe për të gjetur ndonjë investitor për të afërmit e tyre dhe grupet e interesit. Deputeti i LDK-së Adem Salihaj, nga partia në pushtet, që ka postin e kryeministrit, thotë se situata në këtë fushë është pasqyrim i vetë realitetit të brendshëm të funksionimit të shtetit.
“Ambasadorët dhe funksionarët e tjerë të përfaqësive tona diplomatike janë përfaqësues realë të atyre që i kanë dërguar atje e jo të shtetit të Kosovës. Si pasojë, ata punojnë për interesa grupore e klanore, si dhe për interesa të nëntokës së Kosovës dhe nuk merren me mbrojtjen e interesave të shtetit, qofshin ato politike apo ekonomike, sepse këtë nuk po e bën as vetë shteti i Kosovës. Kosova për shumicën e tyre është vetëm një vend për të përfituar dhe për ta zhvatur, një shtet të cilit i është rrënuar çdo autoritet dhe çdo vlerë”,tha deputeti Salihaj për “Kosova Sot”.
Kuadrot nga radhët e partisë
Me notë negative e vlerëson gjithë angazhimin e politikës së jashtme të Kosovës, për këto vite, veçmas atë të ambasadorëve që pastrojnë atë, edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi. “Dështimi i përfaqësive diplomatike të Kosovës, përkatësisht të ambasadorëve dhe të konsujve, si dhe të gjithë personelit përfaqësues në botë, rrjedh nga vetë dështimet që i ka bërë pushteti që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot. Ato janë dështime në disa drejtime dhe fillojnë që nga me përzgjedhjen e përfaqësuesve diplomatikë të nivelit të ambasadorëve dhe konsujve, sepse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, vetë komisionet për përzgjedhje janë të pakualifikuar dhe të pranuar mbi bazën e lidhjeve familjare, krahinore dhe politike”, theksoi ai./kosova sot/


