Drejtësia paralalajmëron kriminelët e privatizimit
Abuzimet me pronën shoqërore gjatë pasluftës.Përgjegjësit për skandalet mund të akuzohen
Privatizimi kriminal ende nuk po dënohet nga drejtësia kosovare. Raste si privatizimi i Fabrikës së Amortizatorëve nga kompania e “Devollëve”, shitja me çmime të lira e tokës bujqësore etj., tregojnë për abuzimet e mëdha që janë bërë në shitjen e ish-NSH-ve.
Deputeti Enver Hoti (Nisma për Kosovën) thotë se me gjithë ndryshimet e bëra në kreun e institucionit më përgjegjës që duhet që ta ndjekë dhe ta luftojë krimin, sot e kësaj dite Prokuroria e Kosovës nuk po merret me krimin e organizuar në ekonomi, ku shumëçka edhe më tej vazhdon dhe është e lidhur me procesin e privatizimit të shumë ndërmarrjeve që lidhen direkt me krimin.
“Dhe të gjitha këto të dërgojnë në një adresë që është ajo e udhëheqësve më të lartë politikë në Kosovë, si dhe shumëçka tjetër”, thotë ai.
Sipas deputetit Hoti, edhe heshtja e deritashme e kreut të Qeverisë, Isa Mustafa, tregon se sikurse edhe qeveritë paraprake kjo qeveri nuk është e gatshme që të hetojë procesin e kriminalizuar të privatizimit.
Aktakuzat dhe sekuestrimi i pasurisë
Koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, prokurori Shqipdon Fazliu, tha se prokurori i Shtetit vazhdimisht punon në drejtim të hetimit të veprave penale dhe në këtë drejtim janë edhe hetimet rreth privatizimit. Sipas Fazliut, tashmë ka disa aktakuza të ngritura e të lidhura pikërisht me këtë temë dhe ne raste të tilla janë sekuestruar objekte, paluajtshmëri e asete tjera në vlerë prej dhjetëra miliona euro.
“Një qasje të tillë do të vazhdojë dhe prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në zbardhjen e të gjitha krimeve që kanë ndodhur e edhe atyre që kanë të bëjnë me privatizimin”, tha ai. Ndërsa në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës lidhur me mundësinë e fillimit të këtyre hetimeve, në mes tjerash, thuhet se Policia ka kapacitete të mjaftueshme në realizimin e të gjitha detyrave dhe përgjegjë- sive ligjore që bien në domenin e punës së saj, duke përfshirë edhe luftimin dhe hetimin e të gjitha veprave penale./kosova sot/


