HW

Daka për zgjedhjet: KQZ’ja nuk ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa alokimin e parave të nevojshme nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës.

Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila tha se KQZ-ja menjëherë, një ditë pas shpalljes së datës zyrtare të zgjedhjeve, ka bërë kërkesë zyrtare për alokimin e parave të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Ndërkaq, në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja, sipas saj, nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.

“KQZ nuk mund të ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë e alokuara. KQZ-ja nuk mund të marrë përgjegjësi për vonesa, për mosmbarëvajtje të zgjedhjeve. Sepse ne që në ditën e parë dhe që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, kemi treguar se meqë (2019) nuk ka qenë vit zgjedhor, KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, tha Daka.

Buxheti i planifikuar për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor llogaritet të jetë rreth 6 milionë euro.

Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha paratë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve ekzistojnë, por që nuk mund të barten pa sqarimet juridike.

Hezitimi i Ministrisë së Financave që t’i alokojë mjetet e nevojshme KQZ-së, ndërlidhet me kërkesën që kryeministri në largim, Ramush Haradinaj i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese me të cilën ka kërkuar interpretimin e funksioneve të qeverisë pas dorëheqjes së tij. Përderisa nuk ka ende një aktgjykim apo vendim të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave nuk po i ndanë KQZ-së buxhetin e nevojshëm për zgjedhjet e 6 tetorit.

Mobi Casa

“Unë besoj se Kushtetuesja duhet të bëjë veprime në kompetencën e saj. Pa u lëshuar në çështjet, detyrat dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ne do të presim të sqarohet kjo situatë dhe pas sqarimit të situatës të ndërmarrim veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin”, tha ministri Hamza.

Sipas tij, sapo që Kushtetuesja të jap vendimin apo interpretimin hiqen të gjitha pengesat që buxheti për zgjedhje t’i alokohet KQZ-së.

“Pra shuma e mjeteve nuk është problem, mjetet ekzistojnë, janë në buxhet, Ligji për buxhetin e autorizon Ministrinë e Financave t’i realizojë këto transfere, por vetëm kemi nevojë që të sqarohet situata juridike në mënyrë që të merren veprimet e nevojshme”, tha Hamza.

Por, në anën tjetër, Valdete Daka thotë se përderisa Qeveria pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e buxhetit, edhe KQZ-ja nuk mund të merr asnjë veprim organizativ.

“Ne nuk mund të angazhojmë një operator i cili do të bëjë informimin publik dhe informimin e qytetarëve lidhur më mënyrën e votimit, nuk mund të porositim asnjë mjet apo material zgjedhor, qoftë sensitiv, qoftë josensitiv. Aty hyjnë fletëvotimet, llampat e materiale tjera. Pra, të gjitha materialet të cilat ne nuk i mbajmë rezervë, pasi që ne nuk e dimë kur mbahen zgjedhjet, përveç zgjedhjeve të rregullta”, shprehet Daka.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje, kërkesës së kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili e ka deponuar kërkesën e tij në këtë Gjykatë më 29 korrik.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.