Mobi Casa

Psikologu, poeti, vrasësi Radovan Karadžić

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Beqë Cufaj – Drejtësia, sado që të jetë e vonë, megjithatë ajo vjen. Me këtë ndjenjë mund të arsyetohen të gjithë ata që ishin, janë dhe do të jenë përgjithmonë fajtorë për rrethimin e Sarajevës, masakrën e Srebrenicës dhe luftërat e tmerrshme që Bosnjen e Hercegovinën, më herët Kroacinë dhe pas këtyre të dyjave edhe Kosovën, të tria së bashku pra, i patën shkatërruar dhe shkallmuar. Aq shumë saqë edhe sot e kësaj dite, krejt këto vende dhe sidomos Bosnja e Kosova, vazhdojnë të mbijetojnë në fazat post-traumatike të shkatërrimeve serbe.

Dënimi i psikologut me profesion, poetit me vokacion dhe vrasësit tashmë edhe me vulën e Gjyqit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Dr. Radovan Karadžić it, paraqet një prej rezultateve më të rëndësishme për zinxhirin e përgjegjësisë në shkatërrimin dhe krimin mbi kombet fqinje të serbëve në ish-Jugosllavi. Vdekja e parakohshme e Milosheviqit, kapja e vonshme e Karadžić it dhe mëpas edhe Mladiqit, kishin bërë që jo vetëm boshnjakët por edhe vet opinioni botëror kishte filluar pothuajse t’i harronte. Sidoqoftë, qoftë zbulimi ashtu edhe kapja e tyre nga autoritetet serbe nxirrte në pah dy tehat e thikës që Bashkësia Ndërkombëtare, sidomos SHBA e BE-ja i patën vënë si dikur Gjiniqit (për Milosheviqin) ashtu edhe mëpas Tadiqit për Karadžić in e Mladiqin. Nëse doni perëndim e Evropë duhet të na i jepni këta. Dhe ashtu ngjau.

Çdo gjë mëpas s’është gjë tjetër pos pjesë e historisë së të drejtës ndërkombëtare për krime të luftës.

Natyrisht që është vonë, tepër vonë kur vjen ky dënim. Gjithsesi që dënimi i tij dhe ai që mëpas do pasojë edhe për Mladiqin do të duhej të kishin ngjarë menjëherë pas shpalljes së Paqes në Bosnje por ja që natyra e konflikteve në Ballkan qe e tillë që perëndimi thjesht s’donte, për më tepër edhe naivisht besonte që me Milosheviqin mund të bëhej paqe. Sepse pas çdo humbjeje ai qetësohej paksa me ndërkombëtarët por mëpas i grahte të moçmes: realizimit të planit të Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve, u ikte problemeve të brendshme në Beograd dhe hapte fronte të reja luftërash.

Nuk ka asnjë dilemë: dënimi i sotëm i Karadžić it është edhe dënimi i një politike çmendurake e cila për qëllim kishte farosjen e një populli. Dhe çka është edhe më e rëndësishme ky verdikt tashmë edhe legalisht do të përcjellë brez pas brezi në ad-acta që ishin serbët, përmes Karadžić it, ata që nga Beogradi përmes Pale-s e Banja-Llukës ushtruan krime të tmerrshme mbi muslimanët e Bosnjes e Hercegovinës. Kjo vetëm sa do të përforcohet me dënimin që do ta merr edhe Ratko Mladiqi.

Bosnja, e shkatërruara dhe shkallmuara edhe sot e kësaj dite nga ato krime të tmerrshme të para dy dekadave sonte, mund të flejë më e qetë. Viktimat e kriminelëve të luftës kurrë më s’do të vihen në dyshim. Ato tashmë janë pjesë e pergamenteve të gjyqësisë ndërkombëtare. Sepse në një formë a tjetrën janë seria e dënimeve që iu bënë Goeringut me shokë në Nuernberg dhe sot u bëhen kriminelëve nga Ballkani apo edhe atyre nga Afrika.

Mobi Casa

Njerëzimi, në mënyrë të dhembshme, sepse ngadalë, tepër ngadalë, po mëson që pa dënuar njerëz si Karadžić in, nuk do të mbushet mend kurrë.

E për të folur me Hannah Arendt: edhe Radovan Karadžići ishte qenie njerëzore.

Bile ai ishte Doktor i Psikologjisë me drejtimin e posaçëm në terapi grupore dhe shërim të depresioneve. Për më tepër ai shkruante edhe libra me poezi. Në mënyrë që mëpas të bëhej Kryetar (i serbëve) dhe mëpas edhe vrastar i myslimanëve.

Karadžić i prej sonte do të shkojë diku ta kalojë pjesën tjetër të jetës prapa grilave. Dhe do të jenë serbët, sidomos serbët dhe elitat e tyre të dikurshme dhe sidomos atyre që do vijnë ato që e kanë për detyrë të ndalojnë njerëzit e tyre t’i ngjajnë Radovan Karadžić it. Të dënuarit me 40 vjet burg për Gjenocid!

/© GazetaBlic.com/