Babai i Valon Behramit: Nuk është e vërtet që Valoni e ka refuzuar Kosovën
Shkrimet e medieve zvicerane dhe kosovare se Valon Behrami e ka refuzuar Kosovën, i ka hedhur poshtë babai i futbollistit, Ragip Behrami.
Në një intervistë ekskluzive për “Infokus”, Behrami ka thënë se kurrë nuk e ka refuzuar e as nuk do ta refuzojë Kosovën jo vetëm djali i tij, por asnjë futbollist që luan te Zvicra.
“Nuk është e vërtetë që Valon Behrami e ka refuzuar Kosovën, ka qenë një keqkuptim ose dikush ka dashur të shkruaj ashtu. Valoni e asnjë futbollist shqiptarë që luan për Zvicrën kurrë nuk e refuzojnë Kosovën e as nuk e kanë refuzuar, por e kanë ndihmuar vazhdimisht sa kanë pasur mundësi. Valoni ka mundur ta thotë në shaka që i ka 31 vite, por asnjëherë nuk ka thënë që e ka refuzuar. Por të gjithë duhet ta kuptojnë një gjë, Kosova ende nuk është pranuar në UEFA e FIFA dhe derisa ajo nuk do të pranohet, atëherë nuk kemi çka të flasim. Si Valoni e po ashtu edhe futbollistët tjerë shqiptarë të Zvicrës janë në presion, është mirë ti lëmë të qetë të luajnë në klubet e tyre e pastaj edhe në Kampionatin Evropian”, deklaroi Ragip Behrami.
Ai ka folur edhe për ndeshjen që djali i tij me Zvicrën do ta luaj kundër Shqipërisë në Kampionatin Evropian të futbollit.
“As unë, as Valoni nuk kemi pasur dëshirë që qysh në ndeshjen e parë të luajmë kundër Shqipërisë, dhe nuk besoj që dikush ka pasur dëshirë që të luajnë Zvicra dhe Shqipëria, por ja që shorti ka rëndë dhe duhet të luajnë. Kuptohet që unë kam dëshirë që të fitojë Zvicra pasi aty luan djali im dhe shumë lojtarë tjerë shqiptarë. Por një gjë duhet ta dinë të gjithë, nuk është mirë të shahen e të kritikohen shqiptarët që luajnë për Zvicrën, duhet që të gjithë jenë të kënaqur që brenda asaj ndeshjeje, janë mbi 70 për qind shqiptarë, dhe kjo duhet ti kënaqur të gjithë”, u shpreh babai i Valon Behramit, Ragipi.
I pyetur nga “Infokus” për të ardhmen e Valonit, ia nënvizoi se për momentin nuk ka asgjë dhe nuk beson që do të ketë këtë verë.
“Valoni është duke kaluar shumë mirë në Angli te skuadra e Ëatfordit. Kemi edhe 2 vite kontratë me skuadrën angleze dhe njëherë për njëherë nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Watfordi. Edhe financiarisht por edhe si ligë, Anglia dallon nga Italia dhe disa liga tjera dhe jemi të kënaqur në Angli. Të ardhmes nuk i dihet kurrë, por mund të them që Valoni po kalon shumë mirë në Watford”, përfundoi Ragip Behrami.
Ndryshe, të mërkurën mediat kanë shkruar se Valon Behrami nuk do të luaj kurrë për Kosovën, duke u bazuar në një intervistë që Behrami e kishte dhënë për mediat zvicerane, e që sipas babait të Valonit, është keqkuptuar.


