Shaqiri mund ta udhëheq Zvicrën drejt shkëlqimit në Evropian
Xherdan Shaqiri mund të jetë çelësi i suksesit të Përfaqësueses së Zvicrës në Evropianin e Francës, raporton Zëri.
Portali “dailyfreepress.com”, përcjell Zëri, ia ka kushtuar një shkrim përfaqësueseve dhe lojtarëve që mund të shkëlqejnë në evenimentin që do të mbahet në muajin qershor dhe prej tyre ka përmendur edhe futbollistin kosovar.
“Një tjetër ekip që mund të shkëlqejë është Zvicra. Për të dytën herë radhazi në këtë eveniment, zviceranët do të jenë me Francën në grup. Zviceranët mund ta kontrollojnë grupin”, shkruan ky portal.
“Zvicra është e 12-ta në renditjen botërore të FIFA-s. E udhëhequr nga mesfushori më kualitativ që ka, Zvicra vazhdon të jetë një prej ekipeve më të mira në botë. Shaqiri mund ta udhëheq ekipin helvetik drejt shkëlqimit këtë verë në Francë”, vazhdon shkrimi.
Përpos Shaqirit, Zvicrën në Evropian pritet ta përfaqësojnë edhe futbollistët tjerë shqiptarë si Valon Behrami, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami, por s’përjashtohet mundësia që atyre t’ju bashkohen edhe Shani Tarashaj e Almen Abdi. /Zëri/


