Opozita: Mocioni mund të ngrihet në shtator
Qeveria “Haradinaj” mund të bjerë në vjeshtën e sivjetme dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Analistët politikë thonë se është partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK) ai që dëshiron ta rrëzojë liderin e AAK-së nga drejtimi i ekzekutivit, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Naser Rugova, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur për “Zërin” se opozita është duke zhvilluar takime koordinuese në mes vete, por edhe me disa deputetë të partive më të vogla të koalicionit qeverisës për ta bërë të suksesshëm mocionin e mosbesimit.
“Ne i kemi të grumbulluara 58 nënshkrime dhe kryetari i LDK-së bashkë me dy liderët tjerë opozitarë ka pasur konsulta për një gjë të tillë. Ka bisedime, por edhe koordinime të mundshme për kohën dhe për momentin e përshtatshëm për procedimin e mocionit edhe me partitë që janë partnerë të koalicionit qeverisës, por që janë parti më të vogla. Kur të jemi të sigurt që i kemi 61 vota ne do ta procedojmë mocionin”, ka thënë Rugova.
Rugova potencoi se është ende herët të flitet se kur do të ngrihet mocioni i mosbesimit, porse theksoi se në fillim të shtatorit të këtij viti mund të jenë gjasat më reale. “Jemi në kërkim edhe të tri votave të nevojshme, që kur ta procedojmë mocionin të mos dështojë. Prandaj ka mundësi që kjo gjë të ndodhë edhe në fillim të shtatorit, në fillimin e sesionit të ri të seancave të Kuvendit të Kosovës. Unë jam shumë optimist që para fundit të këtij viti do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe do t’i ndërpritet puna kësaj qeverie, mbase më e keqja pas çlirimit”, ka shtuar ai, shkruan tutje “Zëri”.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka pohuar për gazetën “Zëri” se janë duke zhvilluar takime si me deputetë nga opozita, ashtu edhe nga pozita për arritjen e numrave të nevojshëm për rrëzimin e Qeverisë. Mirëpo, sipas Millakut, kësaj radhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë ajo që do ta rrëzojë Qeverinë siç ka bërë shumë herë.
Ajo thekson se PDK-ja e ka humbur elektoratin e saj dhe se ky mandat do të jetë i fundit për PDK-në në qeverisje. “Sa i përket përfshirjes së PDK-së në rrëzimin e Qeverisë, kjo nuk do të ndodhë, sepse nëse kësaj radhe i bashkëngjiten kësaj iniciative për rrëzim nuk ngrihen më. Kjo është pse ata nuk do të bëjnë një gjë të tillë, sepse tashmë PDK-ja e di që këtë e kanë mandatin e fundit dhe shkuarja e tyre në opozitë është shpëtim për Kosovën”, ka thënë Millaku./ZËRI


