Fundamenti

Edukata në syzet e një sociologu

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Nga Rahim Azemi – Edukata e mirë dhe e drejtë është faktor qenësor për gjeneratat e reja që ta zgjedhin enigmën e jetës. Ajo arrihet duke i hedhur prangat e fanatizmit dhe dogmatizmit. Edukata dhe arsimi i drejtë formojnë njerëz të lirë, të cilët arrijnë aftësi gnoseologjike shkencore dhe respektim të ligjit. Edukata nuk duhet të jetë artificiale. Bashkëveprimi i edukatës individualiste dhe institucionale, në krye të të cilit qëndron arsimi, mund të realizohet qëllimi. Qëllimi është formimi i personalitetit në rrethanat e reja shoqërore. Në trupin e njomë të mbjellim farën e mirë.

Të shkruash për intelektualët e fillimshekullit njëzetë dhe para tij, asnjëherë nuk është vonë. Të trajtosh pikëpamjet e filozofëve, sociologëve e pedagogëve Francez, si që është Emil Dyrkemi, edhe sot është vlerë. Është vlerë, sepse me veprimtarinë e tij ka kultivuar një kopsht lulesh që sa herë hyn në te lëshon aromë e cila rrezaton mendjen e njeriut dhe ngrohë shoqërinë përgjithësisht.

Nga opusi i gjerë i krijimtarisë së tij shkencore sociologjike e pedagogjike, po shkëpusim disa karakteristika nga vepra: “Edukata dhe sociologjia”. Kjo vepër e Dyrkemit, jo vetëm që mban vulën e kohës, por edhe sot mendojmë është aktuale qasja e tij ndaj edukatës dhe lidhshmërisë së saj me shoqërinë. Vepra në fjalë doli pas vdekjes së autorit. Nxënësi i tij Pol Fokane i mblodhi shënimet dhe e përpiloi në vepër të veçantë. Strukturën e veprës e përshkojnë katër kapituj. Kapitulli i parë, përfshin përmbledhjen analitike të temës: “Edukata, natyra dhe roli i saj”. Kapitulli i dytë, trajton temën: “Natyra dhe metodologjia e pedagogjisë”. Kapitulli i tretë, trajtohet tema: “Korelacioni i sociologjisë dhe pedagogjisë” dhe në kapitullin e katërt, trajtohet tema me titull: “Çështja evolutive e edukatës në Francë”.

Vlerat e edukatës sipas Emil Dyrkemit

Gjatë tërë jetës, Emil Dyrkemi, ia kushtoi qasje së edukatës dhe zhvillimin e saj në Francë, shikuar nga konteksti sociologjik. Doktrina e tij mbi edukatën paraqet elementet sociale, sepse vet edukata ka karakter kryesisht social. Duke i kritikuar idetë e paraardhësve të tij të Kantit, Herbaritit, Spenserit etj., për konceptin individualist të edukatës, Dyrkemi me analizat e tij bëri lidhshmërinë mes edukatës individualiste dhe asaj shoqërore- institucionale. Në çdo qenie njerëzore mbretërojnë dy cilësi të cilat nuk duhet shikuar ndaras me njëra-tjetrën. Në një anë, duhet trajtuar gjendjen mentale e cila përshkohet me veprimtari jetësore personale e që karakterizon idenë individualiste të edukatës dhe nga ana tjetër, bazohet në sistemin e ideve, ndjenjave e shprehive të cilat manifestojnë personalitetin e njeriut.. Këtu shprehet tërësia e fenomeneve shoqërore, sepse njeriu bëhet njeri vetëm nga rezultatet e ndërveprimit të këtyre
dy tendencave për shkak se njeriu mbështete në traditën sociale, morale, gjuhësore, shkencore etj., të cilat kanë të bëjnë me veprat kolektive, thotë Dyrekemi.
Analizat shkencore sociologjike nxjerrin në pah rolin e shtetit në zhvillimin e edukatës permanente. Qëllimi i institucioneve shtetërore është që te secili personalitet të krijoi nevojën e krijesës sociale. Te gjeneratat e reja gjithnjë duhet kultivuar edukatë konstante në bazë të rrethanave shoqërore, sepse secila gjeneratë ka nevojë të çlirohet nga qasjet egoiste dhe sjelljet asociale. Ky synim arrihet nëpërmjet edukatës institucionale (shoqëria mundëson krijimin e kushte për formësimin e gjeneratave të reja të cilat do të jenë të afta për jetë sociale e morale), edukatës individualiste (familjare kursivi im R. Azemi), ku peri lidhës mes tyre është arsimimi.

A po zhvillohet edukata në bazë të kërkesave të Dyrkemit?

UBT

Derisa sociologu kërkon zhvillimin pragmatik të edukatës individuale dhe shoqërore, sot në rrethanat tona sociale, këto kërkesa të Dyrkemit nuk po zhvillohen në të njëjtit binar. Jemi koshient se secili prind nuk ka mundësi dhe aftësi profesionale që të merret me edukimin e fëmijëve të tyre, atëherë rolin vendimtar duhet ta luajnë institucionet shoqërore. Në shoqërinë ton krahas ndryshimeve sociale, politike ekonomike e morale, institucionet shoqërore edukative e kanë margjinalizuar edukatën skajshmërisht. Është paradoksale sot të zhvillohet delikuenca nëpër shkollat tona. Ndodhitë e huliganizmit që po shfaqën para shkollave tona, është mungesë e një edukata konstante e institucioneve tona shkollore. Apo: Si është e mundur që nxënësit të dalin e të hyjnë në shkollë sipas dëshirës së tyre?! Si është e mundur që të lëshohen orët e mësimit në mënyrë frontale?! Si është e mundur që një numër i konsideruar i nxënësve hyjnë në shkollë pa libra e fletore?! Si është e mundur që 2 muajt e fundit nxënësit maturantë nuk e vijojnë mësimin me rregull etj. Të gjitha këto pyetje kanë shpjegim. Institucionet arsimore duhet udhëhequr njerëzit që kanë aftësi organizative, që e njohin në esencë procesin edukativo-arsimor, që janë të brumosur me ide pedagogjike, që kanë aftësi të organizojnë jetën kulturore artistike brenda shkollave dhe jashtë saj në mënyrë që nxënësve të ua bëj më atraktive kohën e lirë etj.
Secili sistem shoqëror i ka idealet e veta. Këto ideale realizohen përmes procesit të gjithanshëm të edukatës. Edukata është proces koherent në shoqëri. Ajo zhvillohet krahas rrethanave shoqërore. Koha kërkon që procesi i edukatës të orientohet drejt rrethanave të reja që përputhen me kërkesat e tregut. Kërkohen specializime krahas ekonomisë së tregut me qëllim që shoqëria të shfrytëzojë kapacitet njerëzore për nevojat e saj. Të vetëdijshëm për ndryshimet e bëra në organizimin e jetës shoqërore bazuar në faktorin material dhe moral, por njëkohësisht kërkohet edhe transformimin i jetës edhe në procesin e edukimit dhe arsimimit. Pse po çalon shoqëria jonë në këtë segment? Dyrkemi mendonte se këto ndryshime nuk arrihen me urdhër nga lartë. Ato realizohen me përpjekje të atyre që duhet t’ i realizojnë këto ndryshime. Ata të cilët ndikojnë në këtë proces janë udhëheqësit e shkollave dhe bartësit e procesit edukativ dhe arsimor. Nëse këtë e bëjnë pa vullnet, nëse nënshtrohen pa qenë të bindur në të, atëherë ndryshimet e skicuara janë shkronjë e vdekur në letër, thotë Dyrkemi. Me këtë udhëheqjeve të shkollave, me kuadër të papërgatitur sa duhet profesionalisht, me njerëzit të cilët interesat individuale i ngritin mbi interesat arsimore, do të jetë vështirë të realizohen objektivat e edukimit dhe arsimit tonë.

Si të arrihen objektivat e edukatës?

Që të arrihen objektivat e edukatës dhe arsimit për gjeneratat e reja, duhet kërkuar kuadër cilësor në udhëheqjen e shkollave dhe mësimdhënës të përgatitur profesionalisht e të pasionuar në arsim. Gjeneratat e reja kërkojnë të edukohen për gjitha fushat e jetës, të përgatiten për punë grupore sepse nevoja kërkon që ata nesër të hyjnë në bashkëveprim me kategori dhe kultura të ndryshme njerëzore-shoqërore. Edukimi për punë realizohet përmes mësimit dhe disiplinës në shkollë. Kjo ndikon në përqendrueshmërinë, përgjegjësinë dhe vendosmërinë e tyre në përmirësimin e kulturës, në thellimin e të menduarit dhe përvetësimin e aftësive të reja shkencore. Qëndrueshmëria emocionale, gjithashtu ndikon në procesin mësimor dhe kooperimi me grupet tjera shoqërore.

Edukata e mirë dhe e drejtë është faktor qenësor për gjenerata e reja që të zgjedhin enigmën e jetës. Ajo arrihet duke i hedhur prangat e fanatizmit dhe dogmatizmit. Edukata dhe arsimi i drejtë formon njerëz të lirë të cilët arrijnë aftësi gnoseologjike shkencore dhe respektojnë ligjet.. Edukata nuk duhet të jetë artificiale. Bashkëveprimi i edukatës individualiste dhe institucionale, në krye të cilit qëndron arsimi, mund të realizohet qëllimit. Qëllimi është formimi i personalitetit në rrethanat e reja shoqërore. Në trupin e njom të mbjellim farën e mirë.

Jashtë këtij shkrimi kanë mbetur shumë komponent tjerë pa u përfshi bazuar në analizat e Dyrkemi. Interesi ynë ishte t’i paraqesim disa karakteristika partikulare të rolit të edukatës dhe sociologjisë në zhvillimin e proceseve shoqërore./epoka e re/