ARKATANA

Qeveria dështon me buxhetin, zhyt shtetin në kredi

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Pasojat e ndryshimit të rregullës fiskale. Ekspertët vlerësojnë se borxhi publik po rritet me ritme të shpejta

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se shuma e borxhit aktual nuk është e lartë, por shqetësues, sipas tyre, mbetet fakti se ky borxh po rritet shumë shpejt

Ekspertët e ekonomisë dhe deputetë opozitarë thonë se arsyeja e vetme se përse Qeveria e Kosovës po hyn në borxhe të reja është mungesa e buxhetit për të realizuar projektet kapitale të vendit. Analistët e ekonomisë thonë se shpejtësia e rritjes së borxhit publik për mbi 30 për qind në vit duket tepër e lartë.

FIDANISHTJA

Bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të vitit 2015, borxhi publik i vendit ka arritur në kuotën 748 milionë euro, nga 550.9 milionë euro sa ishte në periudhën e shtatorit të vitit 2014.

Nga borxhi i përgjithshëm, 352 milionë euro janë borxhe të brendshme, kurse borxhi i jashtëm ka arritur në 367.2 milionë euro. Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur 12.5 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo vlerë Kosovën e vë në pozitë mjaft të volitshme sa i përket borxhit publik, prandaj ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë kredi vetëm për qëllime zhvillimore. Bazuar në Ligjin për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer borxhin e përgjithshëm nën pragun 40 për qind./kosova sot/