Muhamet Mustafa: Synimi është që Trepça të rivitalizohet përmes një modeli modern biznesor
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, në një intervistë për Indeksonline thotë se mos funksionimi i Kuvendit e ka dëmtuar Kosovën dhe ka konsumuar shumë energji. Mustafa thotë se janë kryer punë të mira nga qeveria, por mbetet ende shumë punë për tu bërë. Ai ka folur edhe për rivitalizimin e Trepçës, për investimet në energji, për bordet e pavarura…
Indeksonline: Sa e ka dëmtuar Kosovën mos funksionimi i Kuvendit dhe hedhja e gazit në në aspektin ekonomik?
Muhamet Mustafa: Kuvendi po funksionon me vështirësi të theksuara për arsye të një sjellje të dhunshme sistematike jo vetëm të dënueshme me rregullore te Kuvendit dhe ligje përkatëse, po edhe të paparë në analet e jetës parlamentare, jo vetëm në Kosovë. Sigurisht që kjo ka efekte negative edhe në zhvillimet ekonomike , pasi që parakusht për rritje ekonomike dhe punësim është stabiliteti politikë. Kjo situatë konsumon shumë energjinë është thjeshtë politike dhe ne luftën primitive politike për pushtet, e mos të flasim edhe për dëmet që lidhen me reputacionin dhe imazhin e vendit tek investitorët, e gjithashtu edhe dëmet që I bëhen pronës publike dhe private me aktet e dhunshme në emër të aktivitetit politik.
Indeksonline: Mediat kanë raportuar se në bazë të konstatimit të mjekut, pulmologut, gazi mund të shkaktojë vdekje nëse hedhet në ambiente të brendshme. A mund ta pësoj kush nga hedhja e gazit në Kuvend?
Muhamet Mustafa: Nuk jam i kualifikuar të komentoj këtë, por dihet se gazi lotsjellës mund të përdorët vetëm nga forcat policore dhe atë në raste specifike. Përdorimi i gazit lotsjellës në mënyrë sistematike , në një ambient të mbyllur dhe në sasi të tilla sigurisht se është i dënueshëm dhe nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë instrument të luftës demokratike e parlamentare , sado që disa mundohen që ta shpallin të tillë me akrobacione eseistike dhe demagogji politike.
Indeksonline: Cila është performansa e Qeverisë në aspektin ekonomik gjatë këtij një viti e pak që ka nisur punën?
Muhamet Mustafa: Kemi pas disa lëvizje pozitive: Një pako masash fiskale të favorshme për investitorët që është në zbatim e sipër dhe priten efekte të mira këtë vit. Është fjala për heqjen e TVSH ne pajisje, për lirimin e disa lëndëve të para dhe materiale nga doganat E TVSH, ka pasur kursime ne shpenzime e mallra që konsiderohen si luks në buxhet, janë shitur vetura që kanë krijuar vetëm shpenzime, janë diversifikuar burimet e financimit të investimeve publike, është aprovuar ligji për fondin garantues të kredive, është propozuar Ligji për investimet strategjike, janë përgatitë pushimet tatimore për investitorë, pa harruar këtu edhe nënshkrimin e MSA. Veç kësaj kemi një stabilitet më të mirë makrofiskal e stabilitet buxhetor, qeverisje më e mirë e buxhetit, më shumë rregull, kursime dhe evitim keqpërdorimesh në pakon e përfitimeve sociale , një adresim do ta quaja të mirë të problemit të pensionistëve dhe veteranëve të luftës. Do ti quaja këto lëvizje pozitive , po vetëm një fillim i mirë i arritur në kushte të vështira politikë. Po mbetet shumë për të bërë në kohen që kemi përpara.
Indeksonline: Sa është vlera që kreditorët pretendojnë se i kanë në Trepçë?
Muhamet Mustafa: Janë regjistruar vetëm pretendimet e kreditorëve . AKP është në proces të verifikimit të tyre preliminar dhe dokumentacionit që i shoqëron ato. Pretendimet janë diku rreth 1,5 miliardë Euro, më shumë se 70 për qind të shumës ka të bëjë me punëtorët e Trepçës për pagat e humbura në vitet 90 për shkak të përjashtimit nga puna nga regjimi serb dhe kuptohet ai duhet të bartë përgjegjësi dhe zhdëmtojë punëtorët. Ka kërkesa të qeverisë së Kosovës dhe ndoshta diku rreth 25 për qind pretendentë jashtë Kosove, po që janë të diskutueshme. Synimi është që Trepça të rivitlizohet përmjet të një modeli modern biznesor , që të kontribuojë rritjen ekonomike, eksport e punësimin në nivel vendit dhe në nivel të komuniteteve minerare.
Indeksonline: Është përmenduri mundësia e investimit në termocentral. Ka interesim nga disa kompani, veçanërisht amerikane, për të investuar në energji, Kosovën e Re.
Cili do të ishte investimi më i mirë, në ndërtimin e termocentraleve të reja?
Muhamet Mustafa: “Kosova e Re” besoj se do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe kjo do të jetë e rëndësishme për shumë arsye. Po prodhimi i saj do të fillojë pas 4-5 vitesh, deri atëherë duhet ndërmarrë masa për të ri konstruktuar shpejtë ndonjërin nga blloqet e Kosovës A, për të evituar një hendek potencial në furnizim .
Indeksonline: Prisni rritje të çmimit të energjisë elektrike?
Muhamet Mustafa: Është për tu pritur vitet e ardhshme një trend rritje që përcjell pak a shumë trendët globale dhe në fqinjësi , po megjithatë ZRRE duhet të shoh e gjejë rezervat për evitim të rritjes së çmimeve duke evituar kostot e paarsyeshme në gjithë hallkat e sistemit të energjisë dhe dobësitë menaxheriale.
Indeksonline: Faturimi i energjisë elektrike ende nuk bëhet në veri të vendit, ndërsa ajo pjesë iu faturohet qytetarëve. Pse kjo anomali?
Muhamet Mustafa: Kjo është një anomali e trashëguar gjatë tërë periudhës se pasluftës . Nuk jam i sigurt se nuk bëhet faturimi, po nuk bëhet inkasimi për diku 5% të konsumit të përgjithshëm e që ndërlidhet me veriun e vendit. Komisioni hetimor që kam udhëhequr unë në vitin 2013 ka konstatuar këtë anomali e cila është dashur tanimë të evitohet. Nuk mund të ketë favorizime dhe diskriminime të tilla midis konsumatorëve e qytetarëve. Nuk mundet faturat e papaguara konsumatorëve ( dhe kjo ngjet jo vetëm ne veri) tu ngarkohen konsumatorëve tjerë. Kjo duet të evitohet.
Indeksonline: Ka pasur kritika të mëdha për emërimin e bordeve të ndërmarrjeve. Cili është vlerësimi juaj për bordet e pavarura?
Muhamet Mustafa: Një pjesë e këtyre kritikave po shihet se janë të arsyeshme dhe kjo është një fushë ku duhet shumë përmirësime. Mendoj se kërkesat e Agjencinë kundër korrupsionit që kanë të bëjë me shkelje ligjore duhet të adresohen në një afat sa më të shkurtët. Por e rëndësishme është të vlerësohet me përgjegjësi edhe përformanca e këtyre bordeve, transparenca dhe llogaridhënia e tyre. Te jesh anëtar bordi i ndonjë ndërmarrje publike, apo agjencioni të pavarur nuk do të thotë të kesh vetëm përfitime, po edhe të japësh llogari për gjendjen në ato organizata dhe për zbatimin e Ligjit./Indeksonline/


