ARKATANA

PDK: Kriminelët e Vetëvendosjes sulmuan bashkëshorten e Blerand Stavilecit

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj bashkëshortes së Blerand Stavileci, e cila është sulmuar sot nga persona që kanë kërkuar që Stavileci të mos merret më me partinë Vetëvendosje.

“Sot, në mesdite, kriminelet e Vetëvendosjes kane sulmuar dhe rrahur brutalisht, bashkëshorten e ministrit, kolegut dhe bashkëpartiakut tonë në PDK, Blerand Stavileci. Zonja Vitore Metaj Stavileci, para se të jetë bashkëshortja e një politikani, është nënë, është motra e dikujt dhe është një grua shqiptare. Ajo, pas lëndimeve të marra, po trajtohet në qendrën emergjente të QKUK-së. Ne, kolegët dhe miqtë e familjes Stavileci, qëndrojmë pranë tyre në këtë moment të vështirë duke i dëshiruar shërim sa më të shpejt Vitores dhe tejkalim të kësaj ngjarje të rëndë, qartazi të porositur nga grupe politike kriminale, nga njerëz që duan ta helmojnë e shkatërrojnë shtetin dhe te terrorizojnë familjet e çdokujt që nuk mendon si ta.

Blerand Stavileci, kohëve të fundit ka qenë një prej zërave më të theksuar për mos punën dhe keqpërdorimet e shumta në Komunën e Prishtinës nga zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

UBT

Kurse, pas sulmit fizik, Vitores i është thënë qe t’i përcjell porosi Blerandit, duke kërkuar të mos flet më, se është duke folur shumë dhe nuk duhet të flas më”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

Ndërsa, anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se ky sulm tregon edhe një herë për ideologjinë kriminale dhe shkatërruese të një subjekti politik që synon ta terrorizoj këtë vend, këtë shoqëri vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tyre të sëmura.

“Kërkojmë nga organet e rendit dhe ato të drejtësisë të marrin të gjitha masat për kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe dhunuesit tjerë të rendit demokratik në vend, që tash e sa kohë djegin vetura private të njerëzve, shkatërrojnë pronat private, shkatërrojnë institucionet e vendit dhe sulmojnë familjarët e kundërshtarëve të tyre politikë. Gjithashtu, është e papranueshme për ne si PDK që në vazhdimësi të tolerohet gjuha e urrejtjes dhe kërcënuese që në vazhdimësi promovohet nga eksponentë të kësaj partie politike. PDK do të qëndrojë si gjithmonë në ballë të proceseve për të mbrojtur shtetin, qytetarët e tij nga çfarëdo kërcënimi dhe ambicie e sëmurë për pushtet. Është një thirrje jona për të gjithë qytetarët, për intelektualët dhe spektrin politik që ia duan të mirën Kosovës, që ta dënojë këtë qasje para se të jetë vonë. Fillimisht ka nisur si gjuhë politike dhe diskurs të urrejtjes, ndërsa tani gradualisht po kthehet në dhunë të hapur ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra.