Ndahet nga jeta profesor Dali Emërllahu, një jetë në shërbim të arsimit dhe të vlerave kombëtare
Gjilan – Profesor Dali Emërllahu padyshim që mbetet njëri nga figurat më të spikatura të arsimit shqip në Kosovë i cili me angazhimin e tij prej një eksperti, studiuesi, atdhetari, patrioti e mbi të gjitha të një pedagogu të dëshmuar arriti që për shumë vite të nxjerr gjenerata të tëra në dritë. Dali Emërllahu do të mbetet gjatë në kujtesën arsimore e universitare. Pjesëmarrës dhe autor i shumë ngjarjeve politike, arsimore, shkencore e kulturore. Autor i qindra punimeve shkencore e studimore, veprues e bashkërendues i shumë situatave nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës dhe ai i Luginës. Sipas familjarëve varrimi i profesor Daliut bëhet më datën 8 prill në varrezat e qytetit duke filluar nga ora 16:30.
Njoftimi i plotë i familjarëve
Dali Emërllahu, një jetë në shërbim të arsimit dhe vlerave kombëtare
Njoftim
Të dashur familjarë, miq e bashkëpunëtorë,
Me pikëllim e dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot më datë 08.04.2019, ndërroi jetë babai, bashkëshorti dhe gjyshi ynë i dashur
Prof.Dr. Dali Emrullahu
(1938 – 2019)
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në Prishtinë, në orën 16:30, në varrezat e qytetit.
Obituary
With deep grief we inform you that our beloved father Prof. Dr. Dali Emrullahu has passed aaay. We will alëays carry your memory in our hearts.
Profesor Dali Emërllahu do të kujtohet si një ekspert i madh, dhe një pedagog që ka treguar e dëshmuar vlera dhe cilësi, një autor shkencor e profesionist i rrallë. Këmbëngulës dhe gjigant i dijes në fushën e pedagogjisë, lobues i madh dhe i pazëvendësueshëm i shqiptarëve të Luginës. Arsimi dhe cilësia në këtë sektor mbesin njëri nga preokupimet kryesore të Dali Emërllahut.
Të flasësh apo shkruash për punën dhe aktivitetin që ka zhvilluar profesor Dali Emërllahu në fushën e arsimit, pse jo edhe të politikës së asaj kohe padyshim që duhet të posedosh një arkiv të tërë.
Megjithatë njohja e mëhershme më ka mundësuar që profesorin Dali ta njoh më afër, ta njoh e kuptojë shumë më mirë rolin që ai kishte që nga vitet e hershme të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Vazhdon të mbetet një gjigant i madh i fushës studimore, një ekspert i rrallë në fushën e pedagogjisë. Profesor Emërllahu edhe në moshën e shtyrë që kishte, vazhdonte të ishte pedant në shkrim, pedant në paraqitje dhe pedant në opinionet e tija që jepte për zhvillimet e tanishme në shumë fusha.
Edhe pse ishte pensionuar në vitin 2003 me një titull profesor ordinar e Emeritus, Dali Emërllahu ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, ka ndjekur me kujdes vlerat dhe cilësinë që po mbretëronte ose jo në universitetet kosovare.
Edhe bisedën me rajonipress e niste kujdesshëm, me një gjuhë prej profesionisti, me një modesti tejet të rrallë ndër shqiptarë. Pak njerëz mund ta dinë se Dali Emërllahu ishte njëri nga figurat kyçe në Universitetin e Prishtinës.
Nënshkrimi i tij bëri të mundur themelimin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Profesor Emërllahu njihet për punime të publikuara në disa gjuhë dhe në shumë revista shkencore. Tashmë ka të botuar më se 300 njësi biblio- grafike në revista shkencore, profesionale, në gazetat reviale.
Dali Emërllahu ka ushtruar poste dhe detyra respektive si: prorektor i Universitetit të Prishtinës 1989-1991, prorektor i Universitetit të Prishtinës, në kushtet e jashtëzakonshme (jashtë objekteve të veta legale), 1991-1992, kryetar i Këshillit Koordinues për ( mëvetësimin), sigurimin e vazhdimësisë së Universitetit të Prishtinës në kushtet e jashtëzakonshme ( jashtë objekteve të veta legale) në shtëpi private (1991).
Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik (dega e pedagogjisë) të Universitetit të Shkupit (1963). Ka kryer shkollën normale (të mësuesisë) në Prishtinë ( më 1957). Ka kryer provimin profesional për profesor nga lëmi i shkencave pedagogjike (1964).
Ka doktoruar nga lëmi i shkencave pedagogjike në vitin 1983.
Dali Emërllahu është cilësuar nga njerëzit kompetent si një kuadër me përvojë të jashtëzakonshme profesionale, dije dhe aftësi teorike-shkencore nga lëmi i
shkencave pedagogjike e metodologjike, përkatësisht i zgjedhur dhe i avancuar ( me reçensa respektive shkencore, profesionale e pedagogjike ) deri në thirrjet më të larta universitare, profesor ordinar e profesor emeritus, për lëndët: Pedagogji I e II, Pedagogji e përgjithshme, Didaktikë, Metodikë e EP; ka ligjëruar në UT-tën (që nga1997), përkatësisht në Universitetin Shtetëror të Tetovës në studimet pasuniversitare, Metodologjinë e kërkimeve shkencore (në fakultetin e shkencave kompjuterike, në Degën e gjuhësisë, në Degën e letërsisë, në Degën e Pedagogjisë).
Procesi arsimor-edukativ, pas mbarimit të Luftës në Kosovë (1999) në vend të avancimit, mjerisht u përballë me eksperimentime dhe devalvime nga më të ndryshmet
Ajo çka e shqetësonte edhe në këtë kohë profesor Dali Emërllahun mbetet gjendja jo e mirë dhe pothuajse e pandryshueshme e arsimit universitar. “Universiteti i Prishtinës, por edhe i tërë sistemi dhe procesi arsimor-edukativ, pas mbarimit të Luftës në Kosovë (1999), në vend të avancimit, mjerisht u përballë me eksperimentime dhe devalvime nga më të ndryshmet. Faktorët vendimmarrës të kohës, qoftë në Rektoratin e UP-së, apo në MASHT-in e Republikën e Kosovës, nuk u brengosën shumë për avancimin e procesit mësimor-edukativ e kërkimor, por parësore për ata, ishte avancimi dhe favoret e tyre personale” shprehet Emërllahu.
Emërllahu kujtonte edhe kohën e Majkl Daxnerit. “Siç dihet, pas Luftës në Kosovë, M.Daxner ( autoritet ndërkombëtar) në MASHT-in edhe në Rektoratin e UP-se, ishte faktor më me influencë për reformën gjithëpërfshirëse. Kështu, në kuadrin e Qendrës së Arsimit të Kosovës- KEC filluan debatet e të gjithë subjekteve vendore të kohës, përkitazi me atë se çfarë duhet bërë, e ndryshuar, reformuar në arsimin kosovar. Unë si profesionist (gati i vetmi që kisha doktoruar në reformën shkollore dhe se dekada më parë i kisha studiuar reformimet e sistemeve shkollore në vendet e zhvilluara evropiane, në SHBA, Japoni etj.), u mundova të japë kontributin t`im profesional. Mirëpo, mjerisht (edhe në këto debate ) filluan të reflektohen interesat personale e grupore, e të imponohen “ekspertët” e ndryshëm e të dalin në shesh, sferat e interesit politik e partiak, me pasoja të mëdha për fatin e arsimit në Kosovë. Në këtë kontekst, qarqet e caktuara joparimore ia arritën që të më eliminojnë, jo vetëm nga këto debate” kujtonte Emërllahu.
Ai thoshte se me gjithë problemet e krijuara, asnjëherë, nuk ka pushuar të përcjellë e të analizojë zhvillimet dhe odisejadat e arsimit kosovar deri në ditët e sotme. “Pa dyshim se, u eksperimentua shumë, pati shumë (edhe ndihma ndërkombëtare), abuzime edhe materiale në emër të reformës arsimore e universitare. Ndër të parët që ofruan ndihmë materiale e me kuadro respektive ishin miqtë tanë nga Kanada. Në kuadrin e këtij programi, u mbajtën këshillime, ligjërata; u botuan libra nga vendet e ndryshme. Mirëpo, nuk pati mbikëqyrje të duhur, gati të njëjtat libra u botuan edhe në qendrat rajonale të arsimit. Në ndërkohë, pa kurrfarë përgatitje e kriteri u proklamua pranimi i Marrëveshjes ( sistemit e procesit ) së Bolonjës. E tërë kjo, pati reperkusione negative në sistemin arsimor, e veçmas në procesin e organizimit të mësimdhënies e mësimnxënies. Mungonin ekspertët e njëmendët, për transponimin, përkatësisht huazimin e ofertave të shumta reformuese. Dihet mirëfilli se, transponimet, bartjet, përkatësisht huazimet e të të arriturave reformuese arsimore të vendeve të zhvilluara, nuk mund të sendërtohen kuturu, në mënyrë jo kritike, pa u korresponduar ato risi, me specifikat e realitetit tonë arsimor e shoqëror. Konsideroj se, në artikulimin e mësimdhënies, te etapat e orës mësimore, është krijuar një skematizim i ri ( a) evokimi ,b) realizimi i kuptimit dhe c) reflektimi), me elemente të pedologjizmit, edhe të larpurlartizmit. Madje, as në literaturën ( me të cilën ishte iniciuar kjo risi ), nuk ishin dhënë sqarime të bollshme për secilën nga këto etapa. Kjo, pa mëdyshje ka krijuar reperkusione dhe konfuzione. Ndërkaq, duhet medoemos vuar në pah se, në literaturën e ofruar, si edhe në trajnime, e seminare, është potencuar e preferuar metoda dialogjike, mësimdhënia me nxënësin në qendër, puna aktive, interaktive, diskutimi, puna në grupe, përkatësisht forma e variante, që vërtetë e dinamizojnë procesin e mësimdhënies e mësimnxënies. Kjo, gjithsesi është arritje, që duhet përsosur, begatuar e konkretizuar”.
Profesor Daliu thoshte se kanë munguar këshillimet, tryezat, apo simpoziumet publike, ku do të participonin të gjithë të interesuarit, për përparimin e sistemit dhe procesit arsimor. “Ka munguar (për shumë arsye… ) kritika pedagogjike për reformën. Kritika e realitetit të tanishëm pedagogjik, përkatësisht e reformës, medoemos duhet të jetë objektive, e argumentuar, pa ngjyrime subjektive, partiake, pa elemente nihiliste. Kritikat e këtilla, duhet të synojnë avancimin e realitetit të tanishëm arsimor. Pedagogu i mirënjohur Halim Hyseni, vijimisht është dalluar me vështrime analitike, duke identifikuar boshllëqet dhe duke anticipuar perspektivën e zhvillimit të arsimit në Kosovë. Gjithashtu, konsideroj se, shumë brengosëse është anashkalimi i komponentit edukativ në procesin e mësimdhënies edhe në veprimtarinë shkollore në tërësi. Problemet e natyrës edukative, disa sjellje devijante (agresiviteti, hedonizmi e ngjashëm) të të rinjëve, alarmojnë menaxhmentin e shkollave, të udhëheqësve të arsimit e të vendit në tërësi”.
Emërllahu shtonte se me urgjencë duhet të shkarkohen tekstet mësimore, edhe çantat e nxënësve (veçmas në ciklin e ultë), për të shpëtuar brezin e ri nga deformimet e mëtejshme anatomiko-fiziologjike, si edhe për të shmangur pasojat e mëdha të dukurisë së “materializmit didaktik” në sistemin dhe procesin arsimor. “Në reformimin e panëve e programeve mësimore çështje relevante është raporti në mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional. Duhet apriori, siguruar ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët me përgjegjësi e mjeshtri pedagogjike të përcaktojnë profilin tipik arsimor e profesional, edhe dijet e shkathtësitë përkatëse. Te arsimi profesional, duhet pasur kujdes që të sigurohen profile të gjëra të kuadrove (duke shmangur profesionalizimin e hershëm e të ngushtë….), përkatësisht, duke siguruar bazën për arsimim permanent, mësimnxënie (të nxënët) gjatë tërë jetës. Trendi i zbulimeve rapide shkencore-teknologjike, globalizimi i shoqërisë njerëzore, shoqëria e informatizuar, e reja të punës, të nxënit e vazhdueshëm, kushtëzojnë që arsimi e arsimimi të konsiderohen, jo vetëm formalisht, prioritet kombëtar, gjithëkombëtar, shtetëror e shoqëror. E tërë kjo, mund të duket vetëm si ideal, por globalizimi i të arriturave, nëpërmjet multimedialeve, gjithnjë e më shumë po bëhet proces objektiv (që tejkalon vullnetin e politikëbërësve).
Sipas tij përgatitja e kuadrove arsimore, pa dyshim është proces kompleks e me shumë probleme. “Fakulteti i Edukimit, mund të thuhet se është “thembra e Akilit” në reformimin e UP-së. Unë, me dhjetëra punime i publikova për hapjen, koncepcionin e plan-programet studimore të Fakultetit të Mësuesisë, përkatësisht të Fakultetit të edukimit. Që në fillim në kuadrin e KEC-QAK, isha kundër bashkëngjitjes së disa degëve të fakulteteve akademike, për mosdyfishimin e devalvimin e degëve respektive. Gjithashtu, insistoja që Dega e Pedagogjisë të transferohet (sikundër që u sendërtua) në Fakultetin e Edukimit ( i posedoj shkrimet zyrtare që ia pata dërguar organeve kompetente të kohës). Pasi që, u pensionuan disa nga profesorët “me influencë”, më në fund “e lëshojnë” Degën e Pedagogjisë, por gjithsesi me pasoja. Ky institucion me rëndësi të jashtëzakonshme universitare e kombëtare, medoemos duhet të transformohet, duke i riafirmuar vlerat e kriteret universitare e ligjore për zgjedhjen e avancimin e kuadrove respektive. Të gjitha këto determinonte, që kalimthi i prezantova (e edhe shumë të tjera të ngjashme), duhet të shkoqitën me profesionalizëm, objektivitet e përgjegjësi të gjithëmbarshme, e para së gjithash shoqërore-historike. Së fundi, është e patolerueshme që kaq vite pas çlirimit nga okupatori shekullor edhe pas shpalljes se Pavarësisë së Vendit, të ketë kaq inkonsekuenca, abuzime e nëpërkëmbje të së ardhmes sonë” u shprehte Dali Emërllahu.
Një opinion dhe disa sugjerime profesionale të profesor Dali Emërllahut të dhëna në vitin 2018 për rajonipress. Ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur profesorin e respektuar/rajonipress/




