Murati për Kurtin: Ka kondicion të tallet me opinionin publik për kriteret dhe nën-kriteret e kandidatit për President
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qasjen e tij ndaj institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se Albin Kurti ka kondicion për t’u tallur me bashkëbiseduesit e opinionin publik deri në pafundësi për kriteret e nënkriteret që duhet të plotësohen për kandidatin për president.
Ai ka thënë se Kurti afatet dhe vendimet kushtetuese nuk i trajton si kornizë brenda të cilave ai duhet të veprojë, por si pengesa për legjitmitet.
“Albin Kurti ka kondicion për t’u tallur me bashkëbiseduesit e opinionin publik deri në pafundësi për kriteret e nënkriteret që duhet të plotësohen për kandidatin për president. Afatet kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e kushtetuta vetë, nuk i trajton si kornizë brenda të cilave ai duhet të veprojë. Përkundrazi i trajton si pengesa për legjitimitetin e veprimeve të tij. Dje kur ishte në opozitë, votat për të nuk ishin burim i legjitimitetit, por “kauzat” e tij i konsideronte se legjitimonin çdo aksion politik përmes së cilave godiste rendin juridik dhe kushtetues. E sot e konsideron legjitimitetin popullor përmes zgjedhjeve, mbi çfarëdo kufiri ligjor e kushtetues. Asnjë brengë për kaosin institucional e kushtetues në të cilin gjendet vendi nuk e ka. Zgjedhje, kaos institucional, konflikt shoqëror, populizëm i pafre, prapë zgjedhje, prapë kritere e nënkritere, prapë institucione në detyrë, mundësisht ndonjë konflikt “parimor” me të mëdhenjtë e kësaj bote etj., këto janë metodat me të cilat ai rri në pushtet”, ka shkruar ai në Facebook

