Ka ndërruar jetë Nexharije Rrahmani, një mësuese shembulli e punës me ditar në dorë
Gjilan – Sot, familja Seferi, në Zhegër e më gjerë, kanë dhembje. Dhembja e tyre është e rëndë, tepër e rëndë. Nga sot, atyre ju mungon anëtari i familjes, Nexharije Rrrahmani. Nexharija, vajza e Isakut, sot ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare. Ka ndërruar jetë një mësueses shembullore e Shkollës fillore “Agim Ramadani” në Zhegër. Me dhembje janë edhe anëtarët e kolektivit të shkollës në fjalë. Pse jo?
Nera, siç e kanë quajtur kolegët dhe shoqet e saja, është e lindur më 20 shtator të vitit 1977 në Zhegër. Tash e 40 vjet më parë. Ajo, shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhegër, ndërsa gjimnazin, po ashtu e kreu në këtë lokalitet në kohën kur shkolla shqipe punoi në të ashtuquajtura “Shtëpi- shkollë”.
Pas shkollimit të mesëm, Nexharije Rrahmani, kreu Fakultetin e Edukimit, në Gjilan. Ajo ishte si një Afërditë e kësaj ane, e cila, ditarin e punës e mori në dorë nga data 1.9.2003. Tash e 14 vjet ajo punoi me ditar në dorë. Punoi dhe, puna e saj është vlerësuar lart nga drejtoria e shkollës në fjalë. Andaj, edhe Rrahman Agushi, drejtori i shkollës së këtij fshati e pati nxënësve në klasën e V-të e gjer në klasën e VIII-të. Ishte një shkollare e merituar e jetës.
“Po, shtoi Rrahman Agushi, drejtor, – unë Nexharijen e kam pasur një yll në klasë. Asaj (Nexharijes) i kam dhënë katër vjet mësim. Mburrem me sjelljen dhe punën e saj si shkollare e asaj kohe. Por, edhe tash, sa punoi këtu në kolektivin e shkollës në fjalë, ajo është dalluar shumë me ditar në dorë. Ajo ka shkëlqyer dhe ka rrezatuar me dijen që ka poseduar. Gjithmonë ka qenë shembull për shoqet dhe shokët tjerë të shkollës. Ajo ka qenë një vajzë e urtë, e mençur, shumë e afërt dhe e ëmbël me të gjitha tiparet njerëzore.
Nexharija, e cila sot na mungon, është dalluar në shumë aktivitete shkollore. Ajo ka qenë prijatare në shumë organizime të jetës shkollore. Fjala ishte e ëmbël, komunikuese dhe e drejtpërdrejtë me njerëz e me fëmijët shkollarë. Kurrë nuk ka ditur të hidhërohej, por gjithnjë ka qenë e buzëqeshur dhe nivel të punës. Por, ja vdekja. Ajo e morri në kohën më të mirë të jetës e punës, në moshën 40-vjeçare, mosha më e mirë e njeriut.
Gjatë kohës, sa punoi, ajo kreu disa trajnime. Ishte një punëtore e zonja e shkollës. Kurrë nuk erdhi pa e përgatitur, por gjithnjë ishte në nivel të punës dhe detyrave shkollore. Por, ja jeta. Ajo e grabiti para kohe. E morri një filiz të njomë, ku Nera nuk pati kohë ta shijojë jetën ashtu si i pati bërë planet e jetës”.
Edhe autori i këtyre radhëve e pati nxënëse dhe ishte kujdestar i saj në vitet e rënda të shkollës shqipe. Nexharije Rrahmani ishte nxënësve e klasës IV-të 8 në paralelet e “ndara” të Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan. Ishte viti 1996/7, kur kjo mësuese qe shkollare e paraleleve të Zhegrës. Kjo kohë ishte tejet e rëndë. U punua nëpër Shtëpi-shkollë. E, Nera (Nexharija) asnjëherë nuk mungoi nga procesi mësimor, por, nën përcjelljen e policisë serbe, ajo vijoi mësimet e rregullat me shumë shoqe të saja në klasën në fjalë. Ishte shembull i rrallë i një femre shkollare. Hartimet e saja dalloheshin përherë për atë “qëndisje” fjalësh e fjalish të zgjedhura e me vend.
Ja jeta. Ajo e mori para kohe. Ia morri ëndrrat që pati për të vazhduar edhe më tutje studimet tjera të dijes. Nexharrije Rrahmani, ishte një punëtore e madhe e arsimit shqip. Ka qenë një zë i rrallë i femrës punëtore”. I qoftë lehtë dheu!/tefik selimi/rajonipress/

