Milionat e kosovarëve në rrezik, Trusti të kthejë fondet në Kosovë
Menaxhimi i kursimeve është i dyshimtë, kërkohet ndryshimi i ligjit
“Tashmë ka ardhur koha se duhet të bëhen ndryshime në ligjet aktuale, në mënyrë që mjetet e Trustit më shumë të investohen në tregun e Republikës së Kosovës, ku besoj se siguria nga humbjet do të jetë shumë më e vogël sesa në tregjet evropiane apo amerikane. Së këndejmi, këto ndryshime në ligje duhet të bëhen sa më shpejt dhe një pjesë ose gjysma e shumës së përgjithshme mund të mbesin në tregjet e huaja, por gjysma e këtyre mjeteve duhet të investohen në Republikën e Kosovës me vendime të organeve shtetërore, me qëllim që të rritet oferta e parasë në Kosovë”, thotë anëtari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”
Bazuar në rezultatet e fundvitit të kaluar, rezulton se Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk po menaxhon si duhet me fondin që e disponon, rreth 1.8 miliard euro, që janë para të rreth 600 mijë kontribut-dhënësve. Të dhënat tregojnë se Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovë ka shënuar një rënie prej 5.2 për qind gjatë vitit 2018, gjë që ka ndikuar që humbjet të shkojnë deri në 84.7 milionë euro. Së këndejmi, bilanci negativ gjatë vitit 2018 i ka prekur të gjitha llogaritë e kontribut-paguesve.
Prandaj, deputetët e opozitës dhe analistët e ekonomisë me të drejtë e shtrojnë pyetjen se kush do t`ua rikuperojë qytetarëve tanë humbjet nga Trusti, menaxherët e të cilit marrin superpaga. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të Trustit Pensional të Kosovës, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkaq, deputetët e opozitës dhe ekspertë të çështjeve financiare thonë se mjetet e qytetarëve mund të rikuperohen, por shqetësuese, sipas tyre, mbetet fakti që kursimet e kontribut -paguesve vazhdojnë të mbahen në tregje të ndryshme ndërkombëtare.
Kush do t’i rikuperojë humbjet milionëshe?!
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu(PSD), për gazetën “Kosova Sot”, tha se të dhënat e Trustit për vitin që shkoi vërtet janë shumë katastrofale dhe ato na tregojnë se drejtuesit e Trustit nuk po menaxhojnë si duhet me fondin që e disponon, rreth 1.8 miliard euro. “Unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit e shtroj pyetjen se kush do t`ua rikuperojë qytetarëve tanë humbjet nga Trusti. Prandaj, pyetja ime është se kur do t`ua kthejë Trusti qytetarëve në llogari mjetet e humbura? Kjo situatë sikur është një lloj vërejtje për institucionet, se drejtuesit dhe Bordi i Trustit brengoset vetëm për superpagat e veta, ndërkaq për paratë e deponuara të qytetarëve as që e çajnë kokën për shkak të menaxhimit të dështuar që po u shkaktojnë humbje. Andaj, duhet kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga drejtuesit dhe Bordi i Trustit Pensional”, u shpreh Salihu.
Përzgjedhja e kompanive të ndryshojë
Anëtari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se koha po na tregon se drejtuesit dhe Bordi i Trustit Pensional të Kosovës duhet të jenë më të kujdesshëm në investimet e kontribut-paguesve të qytetarëve të Kosovës.
“Paratë në bursat botërore e ofrojnë atë mundësi, sepse këto humbje edhe mund të rikuperohen në tremujorët e ardhshëm dhe ato para sërish mund të kthehen në llogari si mjete të humbura me rritjen e vlerës së investimeve të Trustit. Por, do të ishte mirë që Trusti të zgjedhë kompani me risk më të ulët, me qëllim që në të ardhmen mos të përsëritet tremujori i fundit i vitit 2018”, u shpreh ai.
“Tashmë ka ardhur koha se duhet të bëhen ndryshime në ligjet aktuale, në mënyrë që mjetet e Trustit më shumë të investohen në tregun e Republikës se Kosovës, ku besoj se siguria nga humbjet do të jetë shumë më e vogël sesa në tregjet evropiane apo amerikane. Së këndejmi, këto ndryshime në ligje duhet të bëhen sa më shpejt dhe një pjesë ose gjysma e shumës së përgjithshme mund të mbesin në tregjet e huaja, por gjysma e këtyre mjeteve duhet të investohen në Republikën e Kosovës me vendime të organeve shtetërore, me qëllim që të rritet oferta e parasë në Kosovë”, sugjeron Maloku.
“Mundësitë e humbjes në tregun vendor do të jenë shumë më të vogla, kurse përfitimet nga përdorimi i parave të të punësuarve në sektorin publik dhe privat do të sjellin të ardhura, përfitime më të mëdha sesa në tregjet e jashtme. Automatikisht do të ndikohet edhe në uljen e normave të interesit në bankat komerciale, që do ta rriste konkurrencën në të mirë të kursimeve të qytetarëve”, potencoi ai.
Humbjet alarmuese
“Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës viteve të fundit po del se po ka humbje në fond të kursimeve. Kjo rënie prej 5.2 për qind është një alarm se qytetarët po i ikin Trustit Pensional të Kosovës, dhe po anëtarësohen në agjenci të ndryshme të kursimeve që janë jashtë vendit, sepse nga këto kompani shumë prej tyre i kanë kushtet më të mira dhe përqindja vjetore e shkallës së kursimeve është shumë më e lartë sesa në Kosovë.
Është obligim ligjor i Trustit, që humbjet e kontribut-paguesve të kthehen nga Trusti i Kursimeve të Kosovës, ngase ato janë para dhe kursime të qytetarëve tanë para moshës 65 vjet ose para daljes në pension. Veç saj, nuk do të ishte ide e keqe që Trusti të fillojë me një projekt, ku qytetarët, të cilët janë pjesë e Trustit Pensional, të kenë të drejtën që pas moshës 50-vjeçare t’i tërheqin paratë e tyre nga agjencia e Trustit në dy mënyra, e para, në kesh ose në variantin e dytë, rrogë-pension mujor sipas marrëveshjes”, theksoi analisti i ekonomisë Dardan Grapci për gazetën “ Kosova Sot”.
Kursimet, të pasigurta aktualisht
Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se drejtuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës duhet që të jenë shumë më të kujdesshëm në punë e tyre gjatë vitit 2018. “Kjo, ngase Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës aktualisht menaxhon me rreth 1.8 miliard euro me rreth 600 mijë kontribuues.
Të gjithë të punësuarit që janë të regjistruar në Kosovë, ata paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit. Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension”, theksoi ai. “Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se në dy muajt e parë të këtij viti, kthimi bruto nga investimet ka shkuar rreth 90 milionë euro.
Kjo shifër, besohet se ka kompensuar plotësisht apo edhe ka tejkaluar rënien e vlerës së investimeve gjatë tre muajve të fundit të vitit 2018. Mjetet e Fondit të Kursimeve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të ndryshme të Evropës. Prandaj, me menaxhimin e këtij lloji që po bëhet nga ana e drejtuesve të Trustit Pensional e them lirshëm se nuk janë aspak të sigurta kursimet pensionale në Kosovë”, ka vlerësuar Halimi. Ai vlerëson se, pas këtyre oscilimeve e lëkundjeve të mëdha që po ndodhin në bursat botërore, këto para duhet të kthehen sa më parë në Kosovë.
Rënia më e madhe
“Rënia e të hyrave në Trust ka qenë 5.3 për qind dhe cilësohet si njëra ndër rëniet më të mëdha që kanë ndodhur që nga kriza ekonomike dhe financiare botërore e viteve 2008-2009. Trusti ka këto para në menaxhim dhe janë të investuara në tregje financiare, kurse rënia e tyre prej 5.3 për qind është rënia më e madhe që nga kriza e vitit 2008-2009. Trusti dhe institucionet tona kanë obligim të përcjellin zhvillimet dhe të parashikojnë zhvillimet e ardhshme, të marrin hapa që të parandalohen rëniet e tilla.
Edhe unë konsideroj se të paktën gjysmën e këtij fondi duhet kthyer në Kosovë, por paraprakisht duhet ndryshuar ligjin për menaxhimin e këtyre mjeteve, sepse me një fond të tillë do të mund të themelohej një Bankë Agrare që do të ofronte kredi me shuma simbolike të kamatave dhe veç saj paratë do të ishin dukshëm më të sigurta në Kosovë”, thotë deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


