FIDANISHTJA

Taksa mbetet, produktet e Serbisë vërshojnë marketet

/ 10 minuta lexim
KKVITI

Nuk ka dyqan që nuk shet mallra serbe

“Nëse nuk ka vullnet për të mos lejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e Qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase, sipas mediave, po thuhet se i tërë ky mall i kontrabanduar po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezë dhe nëpërmes rrugëve alternative”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”

Ndonëse taksa e Qeverisë së Kosovës, në kuotën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe mbetet në fuqi, në Kosovë akoma që nga ajo kohë po vazhdon kontrabandimi i mallrave serbe. Ndaj deputetët e opozitës dhe ekspertët e ekonomisë kanë frikën se e tëra kjo po bëhet me dijeni të pushtetarëve aktualë dhe mafio-oligarkëve që e bëjnë këtë vetëm e vetëm për përfitime personale.

Analistët dhe deputetët e opozitës thonë se vetëm në saje të kontrabandës që po bëhet me mallra serbe po pasurohen edhe me shumë mafio-oligarkët. Sipas tyre, kjo edhe është arsyeja se përse edhe më tej marketet kosovare janë të stërmbushura me mallra serbe. Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane, pasi që si e tillë ka efekt negativ në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. Ndërkohë që janë zyrtarët e Doganës së Kosovës që thonë se zyrtarët në Beograd po tentojnë të çrregullojnë tregun e Kosovës dhe të rrisin nivelin e kontrabandës dhe krimit të organizuar. Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës për gazetën “Kosova Sot”, tha se, në bazë të të dhënave zyrtare, ka pasur disa raste të tentimit të kontrabandës, por që si të tilla janë ndaluar nga zyrtarët doganorë. “Përgjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur rritje të kontrabandës as në veri të vendit dhe as pjesët tjera të Kosovës. Sipas të dhënave të Doganave, nuk kemi kësi lloji problemesh, mund të ketë potencial për këto gjëra që të bëhen, por kjo tregon se vetë shteti serb është i interesuar për krim të organizuar dhe kontrabandim”, potencoi ai.

Mallrat e konfiskuara

Në një njoftim të Doganës së Kosovës për mediat kosovare, thuhet se në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e kontrabandës, gjatë javës së kaluar, zyrtarët doganorë kanë ndërmarrë një mori aktivitetesh në gjithë territorin e Kosovës.

Dogana ka rritur numrin e kontrolleve fizike ndaj automjeteve, mallrave dhe personave.“Gjatë kësaj kohe janë ushtruar 507 aktivitete në tërësi, duke filluar nga kontrollimet si dhe deri te patrullimet. Rritja e kontrolleve dhe patrullimeve ka rezultuar me 18 kundërvajtje, si të personave fizikë po ashtu edhe të subjekteve juridike”, thuhet në një njoftim të Doganës së Kosovës. Këto aktivitete kanë rezultuar me zbulimin e 18 rasteve mallrave të dyshimta kontrabandë, kryesisht pije alkoolike dhe joalkoolike, ushqime të gatshme dhe teknikë të ndryshme, vlera e të cilave është 25 mijë euro. Gjithashtu, siç e parashohin dispozitat relevante ligjore, është aplikuar masa e sekuestrimit të automjeteve transportuese në sasi prej 2 copë.

Hulumtimi i AKB-së

“Aleanca Kosovare e Biznesit, e cila ka bërë monitorimin e tregut në Kosovë që nga vendosja e taksës 100 për qind thonë të kenë parë që në tregun e Kosovës ka mjaftueshëm produkte të Serbisë, e që janë futur në mënyrë të kontrabanduar.

Sipas një hulumtimi që jemi duke e bërë, një numër i këtyre produkteve serbe që janë në tregun e Kosovës kanë qenë në stoqe dhe një pjesë tjetër është kontrabandë. Nuk mund të dimë saktë sa është kontrabanda në këtë kohë, por mund të themi se ka pasur rritje. Nëse kontrabanda dhe ekonomia joformale ka qenë 30 për qind, tani mund të themi se është rritur 40 për qind. Produktet serbe janë duke u futur në forma ilegale nëpër pika të ndryshme jodoganore e që Doganat e Kosovës dhe Policia nuk mund t’i kontrollojnë të gjitha ato vendkalime, e për këtë e dinë edhe institucionet e shtetit, por bëhet sikur nuk e shohin. Përderisa institucionet e vendit nuk mund të kontrollojnë tërë brezin kufitar me Serbinë, në tregun e Kosovës do të ketë mallra serbe në vend”, tha lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”.

Mafio-oligarkët po pasurohen

ARKATANA

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se siç dihet vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar.“Me këtë rast, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane, pasi që si e tillë ka efekt negativ në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, që vazhdon të mbetet në fuqi”, u shpreh ai.“E them lirshëm se është për keqardhje që, ndonëse akoma është në fuqi taksa e Qeverisë së Kosovës në kuotën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, në Kosovë po vazhdon edhe më tej kontrabandimi i mallrave serbe.

Por kam frikën se e tëra kjo po bëhet me dijeni të pushtetarëve aktualë dhe mafio-oligarkëve që po e bëjnë këtë vetëm e vetëm për përfitime personale, andaj edhe po vazhdon kontrabanda e mallrave serbe në Kosovë, edhe pse taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe mbetet në fuqi”, potencoi Salihu.“Kjo ka bërë që vetëm në saje të kontrabandës që po bëhet me mallra serbe mafio-oligarkët po pasurohen edhe me shumë. Andaj edhe kjo është arsyeja se përse edhe më tej marketet kosovare janë të stërmbushura me mallra serbe. Po shihet se nuk ka vullnet për të moslejuar një kontrabandë të tillë, atëherë me gjithë propagandën e qeverisë për këto masa kam frikën se të gjitha dyqanet dhe marketet tona do të jenë të mbushura me plot mallra serbe, ngase, sipas mediave, po thuhet se i tërë ky mall i kontrabanduar po hyn në kufijtë e Kosovës kryesisht në të zezë dhe nëpërmes rrugëve alternative”, vijoi më tej Salihu.

Rrugët alternative

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se do të ketë rritje të kontrabandës dhe numrit të kontrabandistëve dhe kjo është ditur se do të ndodhë që nga momenti kur është futur në fuqi taksa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

“Është e kuptueshme që kjo kontrabandë do të ketë efekte negative tek buxheti i Kosovës, por nuk e besoj se efekti i saj do jetë edhe aq i madh për shkak se këta kontrabandues po deshi qeveria jonë gjithmonë do t’i kenë rrugët e mbyllura”, vlerësoi ai.“Duke e ditur që kemi njerëz që dëshirojnë të bashkëpunojnë me kontrabandistët, atëherë kjo kategori gjithmonë do të gjejnë rrugë të tjera alternative se si të hyjnë në Kosovë në mënyrë ilegale për t’i sjellë produktet serbe në territorin e Kosovës. Këtu duhet që Policia e Kosovës të fillojë që edhe në zonat rurale t’i sigurojë patrullimet, për shkak se përmes maleve dhe rrugëve malore ku nuk ngecur vetura kontrabandistët do të hyjnë pa problem. Kurse nëpër kufijtë e Kosovës duhet që të fillojnë me kontrollim të çdo veture, kombi dhe kamioni të vogël dhe të mesëm, për ta parandaluar kontrabandimin nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Grapci.

Kosovës i nevojitet një task-forcë kundër krimit ekonomik

Ligjëruesi i lëndëve ekonomike në disa kolegje, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Doganat e Kosovës dhe ATK-ja, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kujdesin më të madh duhet ta kenë sidomos për kontrabandën me derivate nafte, që mund të bëhet dhe që ka dyshime të mëdha se po bëhet në veri të Kosovës, por edhe nga drejtimi i Malit të Zi dhe në pikat e tjera kufitare të vendit tonë, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.

“Qeveria jonë duhet që të ketë kujdes që mos të lejojë evazionin e madh fiskal që mund të bëhet nga kontrabanda me derivate, sepse, siç dihet, kontributin gati më të madh në mbushjen e arkës së shtetit e bëjnë pikërisht naftëtarët që gjatë një viti paguajnë më shumë se 200 milionë euro taksa në emër të derivateve të importuara”, theksoi ai. Halimi foli edhe rreth çështjes se sa janë të mbushura marketet me plot mallra serbe dhe se i tërë ky mall po hyn në kufijtë e Kosovës, kryesisht në të zezën. Ai kërkoi nga organet e shtetit që të formojnë task-forcë që do të paralajmëronte të gjithë qytetarët dhe bizneset që kapen në flagrancë dhe tregti të zezë me Serbinë për pasojat që do t’i kenë dhe reperkusionet e gjobave, por edhe të dënimeve drastike me burg në rast të thyerjes së kësaj takse shtesë ndaj Serbisë.

“Prandaj, nëse Qeveria e merr me seriozitetin më të madh aplikimin e këtyre masave ndaj Serbisë, nuk do të lejojë që të ketë rritje të kontrabandës dhe informalitetit në asnjë pjesë të Kosovës që mund të bëhet përmes pikave doganore apo kanaleve të tjera alternative dhe rrugëve dytësore”, vlerësoi Halimi. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ka shpresë se kjo qeveri pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për autoritet e Serbisë do të mobilizojë Doganën e Kosovës dhe ATK-në në luftën e saj ndaj kontrabandës dhe informalitetit që mund të bëhet kudo përmes pikave kufitare, me theks të posaçëm në veri dhe në drejtim të Malit të Zi, që si dy rajone kanë qenë pjesa më e rebeluar karshi institucioneve të Kosovës.

“Po qëndruan duarkryq doganat dhe ATK-ja, atëherë do të ketë shumë shpejt një rritje të evazionit fiskal dhe informalitetit përmes të cilëve mund t’i bëhet një dëm i madh buxhetit të Kosovës”, vlerësoi ai. Neziraj sugjeroi se veç pjesëve të tjera të vendit në të gjitha rrugët ilegale dhe alternative duhet që vendosen Dogana dhe Policia kufitare dhe nuk duhet hezituar nga Qeveria të kërkojë edhe ndihmë nga trupat e KFOR-it.

(Kosova Sot)