Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, të paprekshëm
Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim të madh kapjen e këtij sistemi nga politika e korruptuar dhe inkriminuar, për çka po shihet se hapur po i përdorin nëntoka kriminale dhe politikanët e inkriminuar edhe dosjet e mbledhura, por madje edhe disa të krijuara enkas për rivalet për shantazhe pushteti e jo për ta zbardhur drejtësinë.
Kapiti: Askush prej politikanëve, as prej pushtetarëve e gjyqtarëve të kriminalizuar e të korruptuar, nuk janë vënë para ligjit dhe as para drejtësisë!
“Porosinë më të mirë, për krerët e institucioneve që e kanë për mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit e përcolli të hënën miku i dëshmuar i Kosovës, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në një tryezë ku në mes tjerash i pyeti krerët e këtyre institucioneve se deri kur duhet t’u ndihmohet atyre në ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit ligjor…
E nëse presin këta zotërinj se edhe miqtë ndërkombëtarë duhet t’i zhvillojnë hetimet, t’i ngrenë aktakuzat, t’i shpallin aktgjykimet dhe konfiskojnë pasurinë. Kjo nuk shkon! Kjo e ka një emërtim të përbashkët, që quhet hipokrizi. Ndërkombëtarët duhet të na bëjnë vetëm edhe një ‘nder’, të na ndihmojnë në realizimin e Vetting-ut, ta pastrojmë këtë skenë dhe të fillojmë nga fillimi. Rastet e para që do t’i hapin prokurorët e rinj do të duhet të jenë pikërisht rastet kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve ekzistues.
Rast model është Kroacia. Nëse në Kroaci vjedh fondet publike, dënohesh njësoj si një përdhunues. Nga viti 1991 deri në vitin 2009 janë arrestuar dhe burgosur 2 prokurorë të përgjithshëm,75 prokurorë, 90 gjykatës dhe 150 avokatë”, thotë për “Kosova Sot” ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni
Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim të madh kapjen e këtij sistemi nga politika e korruptuar dhe inkriminuar, për çka po shihet se hapur po i përdorin nëntoka kriminale dhe politikanët e inkriminuar edhe dosjet e mbledhura, por madje edhe disa të krijuara enkas për rivalet për shantazhe pushteti e jo për ta zbardhur drejtësinë.
Sipas njohësve të kësaj fushe, nga këto vrojtime, vlerësime dhe monitorime, del konstatimi, sipas të cilit mund të thuhet lirisht se tanimë janë të kapur edhe prokurorët e gjyqtarët nga politika dhe nëntoka kriminale, e cila i shantazhon ata edhe me dosje, po qe se vetëm pak ngrenë krye në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, që po e udhëheqin politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët e kriminalizuar.
Kjo është një arsye pse po vazhdon të përdoret shantazhi si mjet i punës, si në drejtësi ashtu edhe në politikë, gjithandej në institucionet e shtetit, të kapura kriminalist nga krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale.
Kapiti: Politikanët manipulojnë me dosjet!
Eksperti i fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti, tha për “Kosova Sot” se manipulimi me dosjet është praktikë efikase për t’u bërë presion të inkriminuarve, hajdutëve dhe të korruptuarve. Ai thotë se këtë marifet kriminal e luan shumë mirë “demokracia” shqiptare. “Politika dhe politikanët shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kanë manipuluar me dosjet e ish-sigurimit të shtetit në Shqipëri, ashtu sikurse edhe luajnë politika në Kosovë me dosjet e ish-agjentëve të regjimit sllavo-serb”, u shpreh ai.
Sipas Skënder Kapitit, qëllimi është i njëjtë: si presion dhe shantazh ndaj tyre, për t’u shërbyer tashmë politikës dhe “politikanëve” të rinj të paskomunizmit në Shqipëri dhe atyre të pasluftës në Kosovë.“Kjo vërtetohet me faktin se shumë prej ishëve politikë dhe agjenturorë mbajtën dhe kanë poste e detyra të larta politike e shtetërore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Kështu është zbatuar dhe shfrytëzuar parimi i mercenarit të lirë e të bindur të “agjentit të dyfishtë”. Agjentët janë njerëzit më të ulët që për interesa të ulëta ndërrojnë partnerët dhe se ata janë më të dobishmit, si servilë e shërbëtorë ndaj atyre që marrin pushtetin dhe shtetin, si dhe ata po aq lehtësisht bëhen edhe “tradhtarë” të atyre që u kanë shërbyer në rrethanat e sundimit e të pushtetit të tyre”, vijoi më tutje ai.
“Amoraliteti tjetër i madh që ka të bëjë me manipulimin, presionin dhe me shantazhin me dosjet e krimit e të korrupsionit është fakti se, pavarësisht ndërrimeve të pushteteve, si në Shqipëri dhe në Kosovë, askush prej politikanëve, as prej pushtetarëve e gjyqtarëve të kriminalizuar e të korruptuar nuk janë vënë para ligjit dhe as para drejtësisë.
Ata vetëm sa janë zëvendësuar me njëri-tjetrin dhe vetëm sa kërcënojnë e u bëjnë presione verbale njëri-tjetrit me dosjet që i kanë dhe i mbajnë vetëm për shantazh, për mashtrim dhe konsumim mediatik dhe elektoral, pasi kur vjen puna ata nuk denoncojnë dhe nuk ia vënë në dispozicion drejtësisë dosjet e krimit dhe të korrupsionit të njëri-tjetrit, por, përkundrazi, kur vjen puna te drejtësia e te ligji, për antiligjin dhe antidrejtësinë, ata bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin”, ka pohuar Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.
Bosët e nëntokës e bëjnë ligjin
Sipas analistit Blerim Burjani, në gjithë aktivitetin e vet të deritanishëm të zbatimit të ligjit dhe së drejtës, deri më tash, drejtësia ka dështuar të qëndrojë e pavarur, sidomos në rastet e bosëve politikë dhe bosëve të tjerë të vegjël.“Andaj, është e pamundshme që drejtësia të funksionojë e pavarur në rastet politike, shembull për këtë rast është PRONTO, e që në vend që të akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ata akuzohen për vepër që nuk dihet a është plotësisht vepër penale.
Dihet mirëfilli që punësimi partiak është i kundërligjshëm si vepër penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, pra shmangia nga përkufizimi penal i prokurorisë në aktakuzë lë dilema të mëdha për provat në gjykatë. Gjykata nuk merret me abstrakte dhe verifikim se a është shkelur barazia. Edhe pse ka elemente të veprës penale, është vështirë të gjinden prova të plota për gjykim, kjo quhet gjykim i mangët në mungesë të provave të mjaftueshme për të sjellë aktgjykim gjykata. Drejtësia është selektive në Kosovë, politikanë që e quajnë veten janë jashtë ligjit, pra pa ndryshim të qeverisjes nuk ka gjykim të pavarur për këtë kategori njerëzish”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Preteni: Ndërkombëtarët na ndihmojnë në realizimin e Vetting-ut, ta pastrojmë këtë skenë dhe të fillojmë nga fillimi!
Sipas ish-kreut të AKK-së, Hasan Preteni, tani drejtor i Qendrës për Etikë, Transparencë dhe Integritet, porosinë më të mirë, për krerët e institucioneve që e kanë për mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit e përcolli të hënën miku i dëshmuar i Kosovës, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në një tryezë ku në mes tjerash i pyeti krerët e këtyre institucioneve se deri kur duhet t’u ndihmohet atyre në ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit ligjor, dhe se në cilat sfera duhet ndihmuar.
“Nuk ka porosi më të fuqishme, ndihmë, asistencë, trajnime, vizita studimore dhe shumë e shumë aktivitete tjera. Në fund asgjë, pyeti ambasadori edhe për transparencë, llogaridhënie dhe integritet. Të gjitha të qëlluara. Zyrtarët e “zbatimit të ligjit” i kanë pagat shumë të mira, kushte pune shumë të mira, i kanë edhe shumë privilegje(punësime të shumëfishta), si askush në Kosovë dhe si askush nga homologët e tyre në regjion. E nëse presin këta zotërinj se edhe miqtë ndërkombëtarë duhet t’i zhvillojnë hetimet, t’i ngrenë aktakuzat, t’i shpallin aktgjykimet dhe konfiskojnë pasurinë. Kjo nuk shkon”, u shpreh ai.“Kjo e ka një emërtim të përbashkët, që quhet hipokrizi. Nuk kanë integritet individual dhe institucional. Nuk ka transparencë në veprime dhe nuk ka llogaridhënie institucionale.
E mungesa e integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, po rezulton me situatën që e kemi. Mendoj se ndërkombëtarët duhet të na bëjnë vetëm edhe një “nder”, të na ndihmojnë edhe për një çështje. Të na ndihmojnë në realizimin e Vetting-ut, ta pastrojmë këtë skenë dhe të fillojmë nga fillimi. Të largohen të pamerituarit dhe ata që nuk e realizojnë misionin, të ndërrohen ata që na sollën në këtë situatë. Rastet e para që do t’i hapin prokurorët e rinj do të duhet të jenë pikërisht rastet kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve ekzistues. Rast model është Kroacia.”Nëse në Kroaci vjedh fondet publike, dënohesh njësoj si një përdhunues. Nga viti 1991 deri në vitin 2009 janë arrestuar dhe burgosur 2 prokurorë të përgjithshëm,75 prokurorë, 90 gjykatës dhe 150 avokatë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
Miftari: Politikanët e korruptuar dhe shumë të pasur janë vetë kumbarët e mafisë!
Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha për “Kosova Sot” se problemi kryesor i moszbatimit dhe mossundimit të ligjit kundër krimit të organizuar në Kosovë është se politikanët e korruptuar dhe shumë të pasur janë vetë kumbarët e mafisë. “Prandaj, është shumë lehtë të kuptohet se gjyqtarët, prokurorët dhe policët hetues i zgjedh kjo mafi politike, e cila korrupsionin dhe krimin i kanë virtyt, por zakonisht fshihen prapa fjalorit e folklorit politik, se kinse janë patriotë të zjarrtë që u dogjën për Kosovë, kur thonë se kinse këta e çliruan Kosovën nga serbët, se të njëjtit kinse po vuajnë edhe sot për këtë Kosovë.
Me të vërtetë duhet ta shtrojmë pyetjen tani se çfarë pushteti mund të bëjnë njerëzit që politikën shumica e përdorin për t’u pasuruar dhe që t’ ikin ligjit për të kaluarat e tyre kriminale dhe të errëta”, u shpreh ai.“Që 20 vjet të njëjtit njerëz nga nëntoka, sot kinse politikanë, e kanë kthyer Kosovën për shumë dekada mbrapa. Këta aq të ligë janë saqë edhe shtetësinë e lirinë e paguar me gjak janë kah e zbehin, janë kah e humbin edhe ndërkombëtarisht, pasi me hajni, gënjeshtra e inate ndaj njëri- tjetrit nuk mbahet shteti, prandaj Kosova sot është shtet vetëm në karikaturë, shtet palaço, ku sundojnë kusarët me kravata e petka të politikanëve të korruptuar”, potencoi më tej Miftari për “Kosova Sot”.
Sipas tij, sot shumica e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve hetues, por edhe agjentët e AKI-së, janë sot vetëm kukulla, servilë, pakurrizorë dhe “prostituta” të politikanëve dhe klaneve të korruptuara politike, që njëkohësisht vetë janë edhe baba edhe nëna e nëntokës dhe mafisë së krimit të organizuar.
(Kosova Sot)


