Mobi Casa

Politika i bëri supermilionerë, të paprekshëm nga ligji

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të vlerësojnë se Kosova është vendi i vetëm në botë, si shtet i ri, shtet model, në të cilin për shkak të mossundimit të ligjit, ndodh që politika të jetë profesioni më fitimprurës nga i cili pasurohen shpejt krerët e politikës dhe vartësitë e tyre.

Kelmendi: Mafio-oligarkia kosovare, burim i krimit të organizuar në vend

“Politikanët, pushtetarët dhe gjyqtarët e prokurorët, të cilët janë profesionistë të paskrupullt për paligjshmërinë, për korrupsionin dhe për hajdutërinë e tyre; të cilët fitojnë paratë dhe pasuritë në mënyrë të paligjshme, kriminale, korruptive dhe hajdutërie; ata janë mjeshtër dhe profesionistë edhe më të specializuar në maskimin dhe fshehjen e parave dhe të pasurive të tyre të fituara, duke spekuluar dhe duke shitur ligjin e drejtësinë. Ata nuk janë hajdutë ordinerë që nuk dinë ta fshehin plaçkën e vjedhur, por janë mjeshtër edhe të fshehjes së plaçkës së vjedhur e të grabitur me ligj e pa ligj”, thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të vlerësojnë se Kosova është vendi i vetëm në botë, si shtet i ri, shtet model, në të cilin për shkak të mossundimit të ligjit, ndodh që politika të jetë profesioni më fitimprurës nga i cili pasurohen shpejt krerët e politikës dhe vartësitë e tyre.

Ndryshe, sipas analistëve, nuk ka se si të shpjegohet fakti që politikanë kosovarë, që për gati 20 vite sa janë në skenën politike, janë bërë supermilionerë, pavarësisht asaj që të hyrat që paraqesin zyrtarisht janë vetëm pagat mujore nga institucionet, qofshin ato institucione, lokale apo qendrore.

Mirëpo akoma në Republikën e Kosovës nuk merret askush nga institucionet e drejtësisë me hetimin e kësaj mënyre të pasurimit, prandaj secili qytetar sot pyet se si shpjegohet kjo pasuri, që edhe pse pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit sillen mbi 13 mijë euro në vit, pasuria e patundshme e deklaruar paraqitet prej qindra-mijëra eurosh apo edhe pasuri milionëshe dhe nuk i kërkohet prejardhja e origjinës, si është krijuar.

Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se për më keq, e njëjta dukuri ndodh edhe te prokurorët, gjyqtarët dhe te policia. Te një numër i madh i këtyre zyrtarëve shihet publikisht pasuria milionëshe e krijuar dhe e deklaruar, e për më tepër në realitet dihet se pasuria e padeklaruar është edhe më e madhe se ajo e deklaruara dhe askush nuk vepron. Analistët të shqetësuar ngrenë zërin se pse askush nuk merret për të hetuar me një krahasim fare të thjeshtë se si mund të shpjegohet dhe arsyetohet mospërputhshmëria në mes pagës që marrin dhe pasurisë së deklaruar. Për këto fakte publike edhe policia, ashtu si edhe prokuroria, mbyllin sytë.

Njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se edhe pse u bënë 11 vjet shtetësi e pavarur e Kosovës, drejtësia në Kosovë nuk denjon të zbardhë pasurinë e vërtetë të shumë politikanëve apo zyrtarëve të lartë shtetërorë, jo vetëm ata miliona të deklaruar, por dhjetëra miliona të tjerë të padeklaruara, të cilat i fitojnë përmes kompanive që mbi 10 vjet mbajnë monopole, marrin tenderë qindra milionësh pa procedura tenderike e shumëçka tjetër. Analistët theksojnë se secili qytetar kosovar dëshiron ta dijë se si mundet në Kosovë vetëm prej pagave për afro dy dekada, politikanët tanë të përfundojnë në milionerë, në shtetin ku shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind, derisa rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë! Kjo gjendje, sipas analistëve, tregon se në Kosovë sistemi i drejtësisë është në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar.

Kapiti: Mjeshtër të specializuar në maskimin dhe fshehjen e parave

Eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti, theksoi për “Kosova Sot” se kjo gjendje vjen si rezultat i gjithë skemës politike dhe juridike të korruptuar, ose që bashkëjeton me krimin e organizuar.

“Ata, pra politikanët, pushtetarët dhe gjyqtarët e prokurorët, të cilët janë profesionistë të paskrupullt për paligjshmërinë , për korrupsionin dhe për hajdutërinë e tyre; të cilët fitojnë paratë dhe pasuritë në mënyrë të paligjshme, kriminale, korruptive dhe hajdutërie; ata janë mjeshtër dhe profesionistë edhe më të specializuar në maskimin dhe fshehjen e parave dhe të pasurive të tyre të fituara duke spekuluar dhe duke shitur ligjin e drejtësinë. Ata nuk janë hajdutë ordinerë që nuk dinë ta fshehin plaçkën e vjedhur, por janë mjeshtër edhe të fshehjes së plaçkës së vjedhur e të grabitur me ligj e pa ligj.

Mosdeklarimi i pasurive të hajdutokratëve të politikës e të drejtësisë bëhet edhe për faktin se kasta oligarko-kriminale politiko-juridike është e pasfidueshme dhe e pakontrollueshme, pasi nuk ka se kush t’u kërkojë e të hetojë pasuritë e tyre, sepse ata të gjithë janë ortakë në vjedhjen, grabitjen dhe fshehjen e pasurive të tyre. Pra, ortakëria politiko-juridike dhe kriminalo-korruptive është e veshur me pushtet dhe e mbrojtur nga drejtësia, sepse kjo ortakëri janë vetë politikanët e legjislativit, qeveritarët e ekzekutivit dhe kryebashkiakët e bashkive e komunave, si dhe gjyqësori i prokurorëve e gjyqtarëve, pra janë të tri pushtet bashkë-anëtare në këtë sipërmarrje korruptive, të këtij biznesi politik, pushtetar dhe gjyqësor”, shprehet për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti.

Politika, profesioni më dobiprurës për pasurim

KKVITI

Analisti dhe publicist Naim Kelmendi mendon se falë prokurorëve e gjyqtarëve, me xhepat e tyre plot e përplot, kjo është arsyeja pse nuk kemi drejtësi më të mirë në shtetin tonë dhe pse nuk hetohet as mënyra e pasurimit të njerëzve të politikës, sepse deri ta pasuria.“Në mënyrë të ndryshme të kundërligjshme, po arrijnë edhe njerëzit e politikës edhe ata të drejtësisë, e shumë e shumë të tjerë vartës të kokave kryesore politike. Është më se e vërtetë që për këto dy dekada të shtet ndërtimit të Kosovës, profesioni më fitimprurës në Kosovë po dëshmohet të jetë politika.

Kjo është një praktikë që na bën të ndihemi me shumë keqardhje, sepse dita-ditës po shohim në mesin tonë që disa zyrtarë të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qofshin ato të nivelit qendror apo lokal, janë shndërruar tashmë në super-milionerë me pasuritë e tyre, qofshin ato me të deklaruara apo edhe aq sa ne i shohim e i vlerësojmë sipas logjikës sonë të thjeshtë qytetare.

Po ashtu është një zinxhir i vazhdueshëm i vartësve të këtyre politikanëve të pasur që kanë filluar të hyjnë në kategorinë e njerëzve të pasur dhe që për një kohë jo të largët janë në perspektivë për t’u bërë edhe ata milionerë të rinj të kësaj skene politike. Tani me shumë të drejtë po krijohet dyshimi, madje edhe i bazuar tek disa syresh, se një pjesë nga ta mund të kenë pasuri të dyshimtë ose pasuri të paligjshme, që mund të jetë krijuar kundërligjshëm përmes ndikimit përfitues në procese të ndryshme tenderuese ose përfitimeve të natyrave të ndryshme nga lidhjet hisedare apo klienteliste, mbase edhe në ortakëri, që mund të kenë me biznese të caktuara partitë e caktuara politike dhe drejtuesit e tyre”, theksoi analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Kelmendi: Kosova po vazhdon të jetë terren i përshtatshëm i pasurimit përmes politikës

“Sikur të mos kishim një drejtësi po ashtu me njerëz të pasuruar ngjashëm me këta të politikës, me dyshime për rrugë të kundërligjshme. Prokuroria do të vepronte dhe t’i hetonte të gjitha ato raste që shihen e dihen ashiqare dhe nuk duan avokati. Mjafton që vetëm ta shikojmë stilin dhe standardin e jetës së tyre, mjafton që t’i shikojmë të gjitha pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme.

Mjafton që të merremi me fëmijët e tyre dhe t’i ndjekim se në cilat shkolla i shkollojnë ata dhe sa paguajnë për standardin e shkollimit të tyre dhe aty mund të nxirret edhe një konstatimi thjeshtë, por edhe dyshimi se si ata e krijojnë dhe shpenzojnë gjithë këtë pasuri. Ne si qytetarë kemi qasje për ta vlerësuar dhe analizuar vetëm atë pjesë të pasurisë që zyrtarët e lartë e kanë obligim ta deklarojnë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por mbetet krejtësisht jashtë hetimit dhe vlerësimit pasuria që është në pronësi të tyre, shihet e dihet ashiqare, e të cilën ata mjeshtërisht nuk e kanë të regjistruar në emrin e tyre, sepse janë mjaftueshëm të vetëdijshëm që nuk e kanë të bazuar në rrugë ligjore.

Edhe kjo çështje do të vazhdojë të mbetet kështu, Kosova do të jetë terren i përshtatshëm i pasurimit përmes profesionit të politikës, derisa nuk bëhen Ligji VETTING dhe Ligji i Dekriminalizimit, për të hapur rrugë konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm nga të gjithë zyrtarët e lartë publikë dhe politikë. Ekziston edhe një mundësi se po e “blejnë” shumë lehtë politikanët tanë sistemin e drejtësisë me paga të larta, pasi që në këtë mënyrë prokurorët dhe gjyqtarët si kundërshpërblim po “harrojnë” ta hetojnë krimin e korrupsionin e nivelit të lartë dhe në njëfarë mënyre po e sabotojnë punën e tyre në baza ditore, duke injoruar luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, sepse janë të lidhur me politikën dhe mafio-oligarkinë kosovare, që është burimi i krimit të organizuar në vend dhe njëkohësisht është edhe burimi i të gjitha të këqijave në këtë shtet të ri”, theksoi analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Burjani: Çdo pasuri e fituar pa mbulesë duhet të konfiskohet

Sipas njohësit të kësaj fushe, Blerim Burjani, te ne është problemi kryesor se shumë shpejt, në një vend të pazhvilluar, të varfrit janë bërë brenda natës të pasur dhe ky pasurim ka ndodhur dhe po vazhdon në saje të parasë së qytetarëve, ku buxheti i qytetarëve nuk është rikthyer si shpërblim në projekte zhvillimore për të mirën e tyre, por është shfrytëzuar për përfitim të pabazë nga njerëz që më së lehti e kanë të arrijnë te pasurimi përmes votës së qytetarëve.

“Pasurimi i të varfërve në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit herëdokur duhet t’i nënshtrohet trajtimit substancial përmes ligjit, për të argumentuar pasurinë e tyre se si e kanë fituar. Në këtë rast, çdo pasuri e fituar pa mbulesë, përmes dokumenteve pa kontrata dhe pa transfere bankare të rregullta e të ligjshme duhet të konfiskohet. Kjo duhet patjetër të ndodhë edhe te ne, sikur në shumë vende të tjera. Dihet që në këtë shtet figurat më të larta të shtetit janë të involvuara në pasurim të pabazë dhe pa prejardhje të ligjshme. Në shumë raste thuhet të ketë pronësi në emër të personave të tjerë dhe ato mbahen si pronë e rrejshme dhe se politikanët mbledhin haraçin dhe e kërkojnë pronësinë ndaj atyre pasurive kur të duan. Sistemi i tillë ende funksion derisa shteti nuk vepron.

Pra, akoma te ne nuk ka rend dhe ligj, por duhet të besojmë që në momentin e funksionimit të shtetit juridik këta njerëz do të kenë telashe me ligjin, por edhe ndërmjet veti. Disa nga ata jam i sigurt që do të burgosen e disa do të kërkojnë pasuri në emër të të tjerëve dhe për këtë shkak do të fillojnë edhe fenomene më të rënda penale, gjë që kanë ndodhur ngjashëm kudo në shtetet që kanë kaluar nëpër tranzicion”, theksoi analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)