UBT

Republika e sunduar, gjigandët e ekonomisë anashkalojnë Kosovën

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Serbia, favorite për investimin e paralajmëruar të Kompanisë “Wolksvagen”

“Unë pyes se çfarë të ardhme ekonomike i ofrojnë Kosovës kasta e pushtetarëve tanë të pasluftës kur, që nga pavarësia, Kosova ka shënuar regres ekonomik dhe realisht të bërit biznes në Kosovë vazhdon të mos ekzistojë, pasi që të gjithë sektorët fitimprurës vazhdojnë të udhëhiqen ekskluzivisht nga nëntoka e lidhur me pushtetarët, prapa të cilëve qëndrojnë figura të larta politike”, u shpreh analisti Dardan Grapci për “Kosova Sot”

Qeveria e Serbisë është kandidate potenciale për ta marrë investimin e gjigandit të industrisë së automobilave, Kompanisë “Wolksvagen”, por edhe shumë firma të tjera me renome, që rrisin në mënyrë dinamike punësimin. Kurse, në anën tjetër, janë pushtetarët tanë që dinë vetëm ta shpallin vit të rrejshëm të kinse ekonomisë, por kompanitë e mëdha botërore dhe brendet më të mëdha po shkojnë e po veprojnë në Serbi dhe vende të tjera të rajonit e Kosova po mbetet me gishta në gojë.

Analistët dhe deputetët e opozitës me të drejtë thonë se politika e inkriminuar e solli Kosovën në këtë derexhe, ku askush nuk guxon të investojë në Kosovë për shkak situatës së pafavorshme ekonomike dhe politike. Ata pyesin se përse Kosova nuk u fut asnjëherë në garë për të tërhequr fabrika, për shkak të fuqisë së lirë punëtore, por edhe ato fabrika që i patëm, në vend se t’i rivitalizonim me investues të huaj, i bëmë kafe, restorante e fole të krimit të organizuar.

Sipas analistëve, në Kosovë nuk ka shans as të investosh e as të zhvillosh biznes po nuk ua ‘lage fytin’ me mitë pushtetarëve të inkriminuar të të dyja niveleve të pushtetit të instaluar e të kriminalizuar. Me gjithë pyetjet drejtuar në adresën elektronike të MZHE-së, për të mësuar për këtë çështje, gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Shtetarët e inkriminuar i trembin kompanitë serioze

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga opozita, Besa Gaxherri (LDK), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, marrë parasysh që Kompania ‘Wolksvagen’, që vjen nga Gjermania, që është një shtet mik i popullit shqiptar dhe që nga paslufta është treguar i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën, vërtet është tejet dëshpëruese që ky investim kaq i madh dhe po kaq i rëndësishëm si brend i njohur botëror të shkon në Serbi.“Andaj unë konsideroj se e vetmja arsye që ata mos të vijnë në Kosovë, përkatësisht arsyeja se përse ky brend i njohur nuk vjen në Kosovë janë përfaqësuesit tanë të tashëm të kreut të shtetit apo më mirë thënë përfaqësimi i Kosovës nga njerëz tejet të papërgjegjshëm”, potencoi ai.

“Indikatorë tjetër është edhe kriza politika në vend, që jep mjaft pasiguri e në kuadër të kësaj krize futet edhe mosbesimi ynë, sepse Qeveria jonë nuk është aspak transparente dhe korrekte me bizneset. Së këndejmi, duke i njohur gjermanët dhe bizneset gjermane që janë mjaft korrektë dhe se ata në asnjë mënyrë nuk pranojnë që ta ndajë fitimin e tyre me askënd, prandaj edhe kjo është arsyeja se përse neve nuk kemi investime brendeve të njohura dhe serioze sikurse që është Kompania ‘Wolksvagen’ nga Gjermania mike”, vijoi më tej Gaxherri.

Ndërsa, deputeti i opozitës, në Kuvendin e Kosovës për gazetën “Kosova Sot”, Salih Salihu (PSD) tha se nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka dështuar në tërheqjen e investimeve të brendeve të huaja dhe fajtorët janë të shumtë, por më kryesori për këto dështime është jostabiliteti politik në vend.“Kurse veç jostabilitetit politik, në mungesën e zhvillimit ekonomik me të madhe po ndikojnë edhe korrupsioni e krimi i organizuar i pushtetarëve të tashëm e atyre të mëhershëm. Dhe, për pasojë, e kemi këtë gjendje ekonomike të mjerueshme, ngase nuk është bërë progres ka pasur hapa para dhe ka pasur hapa mbrapa”, potencoi Salihu.

Jostabiliteti politik largon investitorët

“Fajtor është jostabiliteti politik në vend që po ndikon së tepërmi në gjendjen ekonomike dhe ne e kemi parë vazhdimisht që ka pasur ndikim të tillë. Ngecjet kanë qenë kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja, sikurse që po bën Qeveria e Serbisë.

Prandaj, kemi situatën në të cilën ngecjet kanë qenë sidomos në tërheqjen e vogël të investimeve të huaja direkte dhe vlerësoj që arsyet kanë qenë plotësisht politike. Kjo sepse jostabiliteti politik në një vend dihet botërisht se nuk e lejon që të kemi investime të huaja direkte, ngase të huajt duan siguri para së gjithash, të cilët investitorët e huaj e shikojnë. Veç saj, si elemente të mungesës së investimeve, në një mënyrë munden që të jenë edhe ndërrimet të shpeshta të qeverive dhe zgjedhjet e shpeshta që kemi pasur kanë ndikuar faktikisht si te investitorët e brendshëm dhe investitorët e jashtëm”, u shpreh Salih Salihu për “Kosova Sot”.

FIDANISHTJA

Ryshfet dhe korrupsion

Njohësi i fushës së financave, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se arsyet e mosinvestimeve janë të shumta. “Në radhë të parë kemi të bëjmë me mosfunksionim të duhur të gjykatave, sepse askush nga investitorët e huaj nuk pret me vite për një lëndë në gjykatat tona. Prandaj, kjo paraqet një pasiguri të madhe për investitorin. Janë edhe indikatorët tjerë që po i largojnë investitorët e huaj nga Kosova, si në këtë rast kur Kompania “Wolksvagen” shkon në Serbi e jo në Kosovë.

Dhe ata faktorë janë edhe ryshfeti që po u kërkohet investitorëve të huaj, pastaj korrupsioni i madh i pushtetarëve, si dhe krimi i organizuar në shkallë të lartë në vend, e posaçërisht në mesin e pushtetarëve tanë. Prandaj, të gjitha këto mangësi janë indikatorë që i largojnë investitorët e huaj nga Kosova dhe shkojnë te fqinjët tanë”, potencoi Meha.

Pushtetarët duan hisen e vet

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” tha se është për keqardhje se të gjitha qeveritë tona të pasluftës nuk kanë qenë të interesuara për krijimin e vendeve të reja të punës, sepse koncepti i tyre qeverisës bazohet në sloganin “varfëro dhe qeveris”

“Prandaj, fajtori kryesor që e kemi këtë gjendje dhe që po na ikin investitorët e huaj janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkë-koordinim me pushtetarët në të dyja nivelet, po kërkojnë hisen vetë të kulaçit dhe haraçin nga kompanitë e interesuara që duan të vijnë në Kosovë. Pra, kjo është arsyeja se përse po na ikin investitorët e huaja nga të cilët po kërkohet që tua lajnë fytin pushtetarëve tanë. Raste tipike të kësaj natyre janë mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në komunat tona, që u kërkohet investitorëve të huaj, pasi ka pasur raste kur, po qe se nuk jepet haraç, nuk kanë marrë as leje pune dhe bërje të biznesit.

Po largohen edhe kompanitë vendore

Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë, ekonomisti Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se derisa të kemi qeveri të tilla si këto që i patëm dhe i sprovuam të gjitha paslufte, kjo do të ndodhë që Kosova nuk do të futet asnjëherë në garë për të tërhequr fabrika të brendeve të njohura botërore, ashtu si po bën Serbia.“Kjo ngase, si askush në rajon, Kosova e ka fuqinë më të lirë punëtore, por me rastin procesit të privatizimit ndodhi më e keqja.

Edhe ato pak fabrika që i patëm, në vend se t’i rivitalizonim me investues të huaj, pushtetarët tanë, duke qenë bashkëpronarë të fshehtë me pronarët e kompanive fiktive, i bënë ato fabrika me destinime të tjera, duke i shndërruar në kafene, restorante, por edhe në fole të krimit të organizuar”, vlerësoi ai.

Prandaj, sipas analistit Halimi, përgjigjja është shumë e thjeshtë, se përse në Serbi, por edhe në vende të rajonit po shkojnë fabrikat e mëdha, me renome botërore, kurse në të njëjtën kohë te ne, në Kosovë, nuk po vjen askush për të investuar.“Madje që e keqja të jetë edhe më e madhe që disa vite nga Kosova kanë filluar të ikin veç kompanive të huaja edhe kompani vendore, që po e dislokojnë makinerinë e tyre të prodhimit në shtetet fqinje”, ka vlerësuar ai.

(Kosova Sot)