Llapi mposht Gjilanin
Në një ndeshje që e kishte në dorë, Gjilani është mposhtur në fushë dhe ia ka vështirësuar vetit gjasat për pjesë më të qetë të kampionatit dhe tashti seriozisht duhet të mendojë për zonën e barazhit.
Gjilani po zhvillonte një lojë tejet të sigurt, kishte edhe rastet e veta në pjesë të parë. Një herë bile edhe shënoi në portën kundërshtare, por gjyqtari më herët e kishte ndalë lojën me motivacion se ishte shkaktuar ndërhyrje e palejuar në një lojtar të Llapit.
Të vetmin gol për llapjanët e kanë shënuar në minutën 80, kur pas një gabimi të mbrojtjes gjilanase në anën e majtë dhe harkimit në brendi, Elvis Prençi realizoi me kokë nga afërsia duke dërguar me lehtësi topin drejt rrjetës, 0-1.
Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Xhengis Rexhepi, deklaroi.
“Harxhuam shumë energji të madhe me Prishtinën dhe e dënim se do t’a kemi rëndë me Gjilanin, por falë ekipit mjekësor, i rikuperuam lojtarët dhe dolëm mirë. E dominuam ndeshjen, patëm topin nën kontroll dhe e dija se në momentet kyçe do të mund të shënojmë e u përkujdesëm që të mos pranojmë, andaj këto tri pikë janë të mëdha për ne”, tha Rexhepi.
Kurse, trajneri i Gjilanit, Alban Hyseni, deklaroi.
“Kur nuk shënon pëson, kjo dihet. Pësuam një gol nga një vendosje jo e mirë e mbrojtjes. Ne patëm shumë nga loja, patëm raste, pati edhe një gol që është kontestues, por nuk arritëm që të nxjerrim ndonjë pikë. Realisht të gjithë nga pozita e pestë jemi ngushtë me pikë dhe tash çdo pikë është e domosdoshme”, ka thënë Alban Hyseni, kryetrajner i Gjilanit.
Me gjithë humbjen, falë edhe rezultateve të tjera, Gjilani mbetet në pozitën e pestë, që në dukje është pozitë e mirë, por tashti pikët janë shumë të përafërta dhe barazhi është aty afër./sylejman ismajli/rajonipress/


