Fundamenti

Korrupsioni dhe krimi po e gërryejnë Republikën

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me vlerësime kritike dhe shqetësim dështimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, e që për pasojë konsiderojnë se me këtë mosveprim po dështon edhe shtetndërtimi si tërësi. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, është tepër shqetësues fakti që dihet e shihet se si po e shkatërron Kosovën korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Burjani: Kanceri i këtij shteti dhe kësaj demokracie të brishtë është korrupsioni që nuk po luftohet

“Krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimi i korrupsionit e kanë origjinën dhe mbështetjen te krimi i politikës dhe te krimi gjyqësor. Kur korruptohet dhe kriminalizohet edhe politika, edhe drejtësia, aty shteti dhe demokracia kanë marrë fund, pasi ato: si politika, pushteti dhe drejtësia, identifikohen me krimin dhe me korrupsionin.

Kur shtetin e kapin dhe e pllakosin padrejtësia dhe korrupsioni institucional, atëherë edhe shoqëria bie pre dhe viktimë e krimit, hajnisë, korrupsionit dhe paligjshmërisë, dhe kur shoqëria e shteti bien në një gjendje të tillë anarko-korruptive është shumë e vështirë që pastaj shteti me institucionet e tij, shoqëria dhe drejtësia, të reformohen dhe të hyjnë në rrugën e normalitetit ligjor dhe të demokracisë”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me vlerësime kritike dhe shqetësim dështimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, e që për pasojë konsiderojnë se me këtë mosveprim po dështon edhe shtetndërtimi si tërësi. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, është tepër shqetësues fakti që dihet e shihet se si po e shkatërron Kosovën korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Është tragjike, sipas analistëve, të shihet mosveprimi i drejtësisë dhe të vëzhgohet gjendja se si po funksionon pa asnjë problem krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha institucionet e shtetit në Kosovë, nga niveli lokal e deri tek ai qendror qeveritar. Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se bashkëjetesa e politikës me krimin e organizuar është bërë praktikë normale e funksionimit të institucioneve, siç edhe është bërë edhe politizimi i skajshëm dhe inkriminimi i të gjitha institucioneve në Kosovë.

Kjo është një arsye pse kërkohet nga ekspertët fillimi i një hetimi në shkallë të gjerë në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, pasi që, sipas tyre, foletë e krimit dhe korrupsionit janë pikërisht në këto institucione të instrumentalizuara nga krimi i organizuar.

Sipas ekspertëve, pa ndodhur VETTING-u në drejtësi, por edhe në politikë, nuk ka shans që në Kosovë të ketë sundim të ligjit, që do t`ia këpuste kokën krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha institucionet e shtetit,por dhe sidomos edhe në sistemin e (pa)drejtësisë në Kosovën e nëpërkëmbur dhe të kapur nga krimi i organizuar.

Kapiti: Rrjetet e krimit të organizuar dhe korrupsionit i kanë rrënjët e tyre në politikë

Sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapitit nga Durrësi, është e pamundur të luftohen rrjetet e krimit të organizuar dhe korrupsionit derisa rrënjët e tyre janë në politikë, e cila drejton institucionet e shtetit, sepse kështu në një mënyrë institucionalizohet edhe krimi e korrupsioni. Prandaj, pastrimi duhet të jetë gjeneral në të dyja linjat.

“Krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimi i korrupsionit e kanë origjinën dhe mbështetjen te krimi politikës dhe te krimi gjyqësor. Kur korruptohet dhe kriminalizohet edhe politika, edhe drejtësia, aty shteti dhe demokracia kanë marrë fund, pasi ato: si politika, pushteti dhe drejtësia identifikohen me krimin dhe me korrupsionin. Kur shtetin e kapin dhe e pllakosin padrejtësia dhe korrupsioni institucional, atëherë edhe shoqëria bie pre dhe viktimë e krimit, hajnisë, korrupsionit dhe paligjshmërisë; dhe kur shoqëria e shteti bien në një gjendje të tillë anarko-korruptive është shumë e vështirë që pastaj shteti me institucionet e tij, shoqëria dhe drejtësia që të reformohen dhe të hyjnë në rrugën e normalitetit ligjor dhe të demokracisë”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot”.

Sipas Kapitit, në shtetin e ri të Kosovës akoma nuk po gjendet rruga adekuate për të dalë nga kjo gjendje, edhe pse problemet tanimë janë listuar dhe identifikuar të tërat. “Problemet tashme dihen, por ajo që akoma nuk po dihet është se si duhet të dalë Kosova nga ky udhëkryq, si dhe tjetra se kush, cila parti apo cila politikë do ta nxjerrë Kosovën nga ky udhëkryq politiko-kriminalo- korruptiv!

Kjo, sepse dhe përderisa pothuajse e gjithë elita politike dhe i gjithë sistemi i drejtësisë aktual po t’i nënshtroheshin një hetimi të llojit VETTING me siguri pothuajse të gjithë ata do të skualifikoheshin pasi ata janë së pari të zhytur në krim, hajni, korrupsion si dhe janë injorantë dhe të paaftë profesionalisht”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

UBT

Burjani: Këta e bankrotojnë edhe Kinën

Kanceri i këtij shteti dhe kësaj demokracie të brishtë është korrupsioni që nuk po luftohet, edhe sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Blerim Burjani. “Korrupsioni nuk është vetëm një fenomen, nuk është një fenomen i vetëm as krimi i organizuar që dëmton zhvillimin e vendit dhe sfidon drejtësinë e pavarur, por rreziqet vijnë e bëhen akoma më të mëdha kur këtyre dy të parave iu shtohet edhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe nepotizmi.

Që të dyja këto janë fenomene negative shtesë dhe të shprehura me të madhe në shoqërinë tonë të brishtë demokratike. Mjafton të përmendet shfrytëzimi i parave rezervë të shtetit në mënyrë të paligjshme, punësimi familjar i pandalur gjithandej në institucionet publike dhe nëpër ndërmarrjet më profitabile. Shembulli konkret është edhe bankrotimi i PTK-së, si rezultat i punësimit familjar dhe askush nuk jep përgjegjësi për bankrotimin dhe zhvatjen shkatërruese të PTK-së.

Qeveria ka zgjedhur aty dy njerëz, nga të cilët njëri ka dhënë dorëheqje për shkak se keqpërdori detyrën zyrtare. E bëri këtë, sepse ishte i detyruar nga opinioni i gjerë publik, nga reagimet. Ky ishte vetë drejtori i ri, një njeri anonim, por zbatues i interesave pasurore të disa njerëzve dhe për këtë arsye ka bankrotuar PTK-në. Kur në një shtet instalohen njerëz të tillë, ata janë në gjendje ta bankrotojnë dhe një shtet akoma më të madh se Kosovën, e bankrotojnë edhe KINËN me ua lënë në dorë, e lëre më një apo dy- tri ndërmarrje publike”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Liderët mashtrues

Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, tha se krerët e korruptuar të institucioneve të shtetit përpiqen ta mashtrojnë popullin edhe në ditët e shenjta të përkujtimit të betejave për liri, sikur janë ditët e Epopesë së UÇK-së, që ka filluar të shënohet nga dita e djeshme. “Sot, populli liridashës i Kosovës e shënon njërën nga ditët më sublime të historisë kombëtare.

Përvjetori i sakrificës së madhe për liri. Liria do sakrificë, por shtrohet pyetja pse nuk po sakrifikohemi tani edhe për demokraci dhe drejtësi. Populli i Kosovës e gëzon lirinë, por ka mungesë të madhe të demokracisë dhe drejtësisë. Krerët e institucioneve të Kosovës duhet që këtë ditë ta shënojnë jo vetëm duke u shtirë se kinse po përkulen para sakrificës së Jasharëve dhe dëshmorëve të tjerë.

Sot duhet të dërgohen së paku mesazhe që edhe për demokraci dhe drejtësi duhet të ketë sakrificë. Pse askush nuk po sakrifikohet për këto dy vlera shtetërore? Vetëm ata që sakrifikohen për shtet dhe komb e kanë ‘të drejtën’ që të flasin për sakrificën”, u shpreh ai. “Është fat i keq që disa nga ata që janë gjallë dhe që sadopak kontribuuan për lirinë e vendit tani të dështojnë, kjo po del se ata nuk e kanë pasur për interesin e përgjithshëm, por për interesin privat”, vlerësoi Preteni. Sipas tij, ata i kanë mbushur xhepat, i kanë ndërtuar pallatet, e kanë ndërruar në tërësi stilin e jetës, nuk dalin në takime me njerëzit e thjeshtë dhe në tërësi e kanë harruar betimin e dhënë.

Preteni: Hero nuk bëhesh duke vizituar varrezat

“Shtylla kryesore e sundimit të rendit dhe ligjit, e vetme apo e ndikuar dhe e kapur nga kjo e para, gjithashtu po dështon. Tani, pas dy dekadave, ne flasim se si duhet kthyer edhe një herë nga fillimi. Humbje kohe dhe shpenzim të parasë publike. Humbje shprese dhe humbje besimi.

Duhet të fillohet nga e para, por jo me këta faqezinjtë e dështuar. Secila luftë i ka ushtarët e vet që nuk do të thotë se luftëtarët e një lufte duhet të jenë edhe për luftën tjetër. Burimi i njerëzve të sakrificës është i pashtershëm.’Hero nuk bëhesh duke i vizituar varrezat e heronjve, por duke e ndjekur rrugën e heronjve’”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)