Privatizimi e kultivoi korrupsionin dhe e gjunjëzoi Kosovën ekonomikisht
Deputetë të tashëm, ish- deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe analistë të ekonomisë, vlerësojnë se procesi i privatizimit në Kosovë doli të jetë i dështuar si një model. Kjo, ngase, sipas tyre, në shumicën e rasteve të privatizimit të ndërmarrjeve që dikur ishin ndërmarrje me peshë, pas privatizimit të tyre u shitën për “skrap”, kurse shitja e tyre është bërë përmes shantazhit.
Halimi: Deri më tash Prokuroria nuk ka arritur që të hapë hetime dhe të dënojë rrjetet e krimeve të organizuara që po e mbajnë peng ekonominë e Kosovës për gati 20 vjet rresht.
“Nga fillimi i tij e deri më tash, privatizimi ishte një burim aferash korruptive dhe pasurim për politikanët vendorë. Sepse, procesi i privatizimit fund e krye ishte i korruptuar dhe me pasoja fatale për ekonominë vendore. Gjendja e këtyre NP-ve po e dëshmon se në procesin e privatizimit u futën interesa të njerëzve që ishin në pushtet dhe bizneseve të afërta me pushtetarët e sundimtarët e sotëm.
Prandaj, procesi i privatizimit si i tillë hyri me një cikël të grabitjes dhe të ndërrimit të destinimit të ndërmarrjeve shoqërore, ngase shumica prej tyre u shndërruan në salla sporti ose në supermarkete, kurse pajiset e shtrenjta të atyre ndërmarrjeve u shndërruan në skrap, sikurse ajo e Fabrikës së Amortizatorëve, që e bëri kompania ‘Devolli’. Është për keqardhje ajo se çfarë efektesh të dështimit ka dhënë procesi i privatizimit, i cili në vend se të rriste numrin e të punësuarve e ka dhënë kundërefektin, sepse e rriti numrin e të papunëve”, thotë njohësi i çështjeve të ekonomisë Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”
Deputetë të tashëm, ish- deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe analistë të ekonomisë, vlerësojnë se procesi i privatizimit në Kosovë doli të jetë i dështuar si një model. Kjo, ngase, sipas tyre, në shumicën e rasteve të privatizimit të ndërmarrjeve që dikur ishin ndërmarrje me peshë, pas privatizimit të tyre u shitën për “skrap”, kurse shitja e tyre është bërë përmes shantazhit.
Prandaj, sipas njohësve të kësaj fushe, është për t’u habitur se si Prokuroria e Shtetit nuk e pa të udhës dhe nuk ka arritur që të hapë hetime dhe të dënojë rrjetet e krimeve të organizuara që po e mbajnë peng ekonominë e Kosovës për gati 20 vjet rresht.
Andaj, njohësit e rrethanave ekonomike e politike në vend thonë se këto “privatizime” u bënë me metodën e shantazhit bashkë me pushtetarët të niveleve të larta dhe ku shumë prona të privatizuara përfunduan te politikanët, të afërmit e tyre dhe familjarëve, një pjesë e të cilave pastaj u stërshitën më vonë dhe duke mos pasur kurrfarë impakti në ekonomi.
Salihu: Privatizimi la 70 mijë të papunë
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu theksoi për gazetën “ Kosova Sot” se mënyra se si ky proces u bë në Kosovë nuk ishte i menduar mirë, sepse forma e privatizimit ishte e tillë që gjithçka ishte publike e shtetërore nga pronat duhet të kalojnë sa më shpejt në duart e privatëve. “Por, fatkeqësia më e madhe është se këto Ndërmarrje të Mëdha Publike, që ishin dikur, ato por edhe tokat kanë kaluar në prona të individëve politikë dhe në pozita shtetërore dhe iu ndërrua destinimi.
Krimi më i madh bëhet nëse toka bujqësore e privatizuar iu ka ndryshuar destinomi, edhe pse nuk ka gjë të keqe që të ndryshohet vetëm titullari i kësaj prone, nga shtetëror në atë privat. Por, ka qenë detyrë që pronari i ri e kësaj prone ta ruajë destinimin e tokës, e jo që ta shkatërrojë atë”, është shprehur Salihu. Ai tutje ka shtuar: ”Krimi me toka është bërë në ato toka bujqësore që janë privatizuar e më pas po të njëjtat janë ndarë në parcela për troje dhe të njëjtat janë shitur për shtëpi ose ndërtim banesash.
Prandaj, kjo edhe ka bërë që gjatë një viti, Republika e Kosovës i ka humbur nga 1 mijë hektarë tokë bujqësore, që kryesisht janë ato që janë privatizuar në këtë proces, aq të keq që është bërë nga qeveritë e pasluftës”. Sipas Salihut, edhe Ndërmarrjet e Mëdha Publike, që dikur ishin në Kosovë, si Amortizatorët dhe Fabrika e Tubave në Ferizaj, ka qenë dashur që të gjendet investitori që do t’i ringjallë ato biznese dhe që e garanton numrin e të punësuarve që duhet ta vazhdojnë punën në këto dy fabrika, e jo që ato menjëherë pas privatizimit të mbyllen kurse makineria e tyre janë shitur për skrap.
”Pra, pushtetarët tanë nuk e patën qëllim zhvillimin e këtyre fabrikave, por qëllimi i tyre i vetëm ishte që ta bëjnë sa më shpejt privatizimin e tyre dhe që ta gjenin mënyrën dhe për përfitime sa më të mëdha personale nga këto privatizime. Kjo, ngase pushtetarët tanë nuk zgjodhën mënyra se si të vijnë sa më shpejt deri te paratë nga ky proces i privatizimit, që u bë qoftë përmes tokave bujqësore që më pas u ndanë në parcela dhe u shitën , qoftë përmes shndërrimit të këtyre fabrikave në objekte dhe qendra tregtare.
Ndaj, për pasojë, këtu është bërë një dëm shumë i madh dhe për pasojë kemi me mijëra veta që kanë ngelur të papunë që sipas BSPK-së janë mbi 70 mijë veta”, është shprehur ai. Sa i përket heshtjes së organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit, por edhe heshtja e Prokurorisë, gjykatave si edhe heshtja e Policisë së Kosovës, por edhe AKI-së, nuk duhet që të na çudisin fare, sepse të gjitha këto kontrollohen nga presidenti i shtetit dhe këto gjëra nuk bëhen rastësisht.
Mustafa: Qasje e gabuar në privatizim
Deputeti i përbërjes së kaluar në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa në mënyrë kritike ka folur për dështimet në procesin e privatizimit. “Nuk ka asnjë dyshim se rrjedha e deritashme e procesit të privatizimit ka dëshmuar se Kosova ka pasur një qasje të gabueshme dhe të papërgatitur në këto procese, sepse në përgatitjen e privatizimeve të këtyre kompanive nuk janë bërë hapat e nevojshëm. Problemi është se nganjëherë nga dëshira që të ndodhë diçka, qeveritë e kaluara kanë marrë vendime që të bëjnë kontrata me investitorë, të cilët nuk i kanë pasur kapacitetet për t’i menaxhuar projektet serioze, siç është PTK-ja, apo projekti për Brezovicën”, është shprehur ai.
Sipas Mustafës, duhet pranuar, se Kosova pati një qasje të gabuar në procesin e privatizimit dhe për pasojë të saj edhe ndodhi që Kosova nuk ka mundur të ecë ekonomikisht përpara, ngase shumë prona të blera, apo më mirë thëne pronat e falura nga privatizimi, nuk e dhanë efektin e tyre që të hapin vende të reja pune, që fundja ishte edhe qëllimi procesit të privatizimit. Sa i përket hetimit të këtij procesi nga drejtësia, ai thotë se do të marrë shumë kohë ky proces duke njohur neglizhencën e gjykatave tona. Njohësi i çështjeve të ekonomisë Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, ka theksuar se nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë duhet të ketë hetim të procesit të privatizimit. “Kur e them këtë bazohem në faktin se koha dëshmoi se nga fillimi i tij e deri më tash privatizimi ishte një burim aferash korruptive dhe pasurim për politikanët vendorë.
Sepse procesi i privatizimit fund e krye ishte i korruptuar dhe me pasoja fatale për ekonominë vendore. E keqja më e madhe ishte se edhe ligji me të cilin u bë privatizimi i NP-ve dhe NSH-ve nuk ishte i favorshëm për procesin dhe regjenerimin e punësimit apo të NSH-ve”, është shprehur ai. Sipas Maxhunit, gjendja e këtyre NP-ve po e dëshmon se në procesin e privatizimit u futën interesa të njerëzve që ishin në pushtet dhe bizneseve të afërta me pushtetarët e sundimtarët e sotëm. “Prandaj, procesi i privatizimit si i tillë hyri me një cikël të grabitjes dhe të ndërrimit të destinimit të ndërmarrjeve shoqërore, ngase shumica prej tyre u shndërruan në salla sporti ose në supermarkete, kurse pajiset e shtrenjta të atyre ndërmarrjeve u shndërruan në skrap, sikurse ajo e Fabrikës së Amortizatorëve, që e bëri kompania ‘Devolli’. Është për keqardhje ajo se çfarë efektesh të dështimit ka dhënë procesi i privatizimit, i cili në vend se të rriste numrin e të punësuarve e ka dhënë kundërefektin, sepse e rriti numrin e të papunëve në Kosovë”, është shprehur ai.
Ndërsa, ish- deputeti Xhevdet Neziraj, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se pa asnjë dyshim, ky proces ka nevojë për një hetim detaj që nga Prokuroria e Kosovës, ngase procesi i deritashëm i privatizimit të NP-ve dhe NSH-ve në Kosovë mund të konsiderohet lirshëm si njëri nga dështimet më të mëdha të vendit tash e 20 vjet pas luftës. “Ndaj, rrjedha e deritashme e procesit të privatizimit në Kosovë është dashur që të hetohet, por edhe të bëhet në tërësi edhe rishikimi i deritashëm i privatizimit”, është shprehur ai.
Grapci: Me privatizimin fatal u bë shpronësimi korruptiv i pronave të Kosovës
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se falë procesit të privatizimit që ishte fund e krye përmes proceseve korruptive, janë mjaftueshëm si indikatorë që e imponojnë hetimin e tërë këtij procesi. “Sepse, fundja krijimi i qëllimshëm i politikave korruptive për privatizimin e pronës publike ka qenë shumë mirë i planifikuar nga pushtetarët e asaj kohe.
Kjo u bë përmes emërtimeve dhe zgjedhjeve të personave në nivel të lartë me qëllim të menaxhimit të pronës dhe organizimin e shitjes bëri që klasa politike të jetë mirë e involvuar në privatizim, duke pronësuar pjesën më të madhe të aseteve të Kosovës. Krimi i organizuar dhe korrupsioni kryesisht u zhvilluan në dy segmente, në procesin e tenderomanisë dhe privatizimit të pronave. Se me procesin privatizimit buxheti i Kosovës nëpër vite u zhvat pothuajse nga të njëjtët, papunësia gjithnjë në rritje, zhvillimi ekonomik në stagnim dhe e gjitha kjo rezultoi me mungesë besimi, qëndrueshmërie dhe perspektive.
Pra, duhet thënë troç se privatizimi i pronave e kultivoi korrupsionin dhe gjunjëzoi gjithë Kosovën”, ka theksuar Grapci për gazetën “Kosova Sot”. Ai shton se Kosova nuk ka mundur të ecë para ekonomikisht, kur pronat e blera, apo më mirë thënë pronat e falura nga privatizimi, janë marrë nga pushtetarët e niveleve të larta në Kosovë, një pjesë e të cilave pastaj për t`u stërshitur më vonë dhe duke mos pasur kurrfarë impakti në ekonomi, por vetëm për qëllime kriminale të pushtetarëve të inkriminuar.
Halimi: Procesi i privatizimit në Kosovë doli të jetë i dështuar si një model
Eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk e ka asnjë dyshim se i gjithë procesi i privatizimit duhet të rishikohet dhe të hetohet edhe nga Gjykata e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.” Por, që të bëhet një hetim i mirëfilltë duhet që paraprakisht të bëhet një pavarësim nga politika ditore në sistemin e drejtësisë, përkatësisht që prokuroritë, gjykatat të pavarësohen nga politika ditore.
Deri më tash Prokuroria e Shtetit nuk e pa të udhës dhe nuk ka arritur që të hapë hetime dhe të dënojë rrjetet e krimeve të organizuara që po e mbajnë peng ekonominë e Kosovës për gati 20 vjet rresht. Vetëm kur të bëhet kjo pavarësi e drejtësisë nga politika ditore,vetëm atëherë do të ketë mundësi që të nisë procesin e rishikimit të gjithë procesit të privatizimit në mënyrë të mirëfilltë.
Sepse, vitet po e tregojnë se procesi i privatizimit në Kosovë doli të jetë i dështuar si një model. Vetëm përmes hetimeve nga gjykata do të mësonim se si u bënë këto “privatizime” dhe shantazhe nga nëntoka kriminale, bashkë me pushtetarët të niveleve të larta, dhe përfunduan te politikanët, të afërmit e tyre dhe familjarëve“, është shprehur ai.
(Kosova Sot)


