ARKATANA

Avullojnë rezervat shtetërore, milionat në xhepat e pushtetarëve

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Edhe pse akoma nuk është bërë një muaj që nga miratimi i buxhetit për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar që të shpenzojë rezervat e saj. 1.4 milion euro ekzekutivi i ka shpenzuar sivjet nga rezervat e shtetit. 4 milionë e 800 mijë euro është vlera e këtij fondi që është i dedikuar për raste emergjente.

Lajçi: Po shpenzohet Fondi Rezervë, sepse paratë e buxhetit të vjetshëm janë bërë rrush e kumbulla!

“Derisa vjet i ndanë 855 mijë euro e sivjet 500 mijë euro, kurse në fakt, sipas referencave të viteve 2016 dhe 2017, për festën e Pavarësisë janë ndarë vetëm nga 70 mijë euro.

Kurse ne tash për këtë mënyrë abuzive e kemi paraparë që të ftojmë një seancë për abuzimin e parasë publike, duke folur enkas vetëm për këto. Rasti konkret është edhe ndarja e 180 mijë eurove për të xhiruar një film në Kosovë, kur dihet se kompetente për vlerësimin e shumës për një film është Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës si kompetente, por jo edhe Qeveria e Kosovës”, thotë Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, për gazetën “Kosova Sot”.

Edhe pse akoma nuk është bërë një muaj që nga miratimi i buxhetit për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar që të shpenzojë rezervat e saj. 1.4 milion euro ekzekutivi i ka shpenzuar sivjet nga rezervat e shtetit. 4 milionë e 800 mijë euro është vlera e këtij fondi që është i dedikuar për raste emergjente.

500 mijë euro shkuan për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pastaj 300 mijë euro për delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut, 180 mijë euro për një film të dhëndrit të deputetit të PDK-së, Nait Hasani, e shumë shpenzime të tjera të dyshimta. Këto veprime për analistët edhe janë të habitshme, sepse, sipas tyre, edhe pse në bazë të ligjit shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara, Qeveria ‘Haradinaj’ po i shpenzon paratë pa asnjë kontroll, ndonëse janë para të tatimpaguesve. Sipas opozitës dhe analistëve, nëse vazhdon me këtë ritëm, buxheti dhe shteti do të bankrotojnë.

Shpenzime pa kritere ka në të gjitha institucionet. Kuvendi vetëm për llaptopë shpenzoi rreth 100 mijë euro, edhe pse deputetët realisht nuk kanë punuar fare gjatë këtij viti që e lamë pas. Qindra-mijëra euro u shpenzuar për dreka e darka, mëditje e rroga dhe luks të pushtetit.

Opozita thërret seancë për abuzimet buxhetore

Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj (LDK), kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e Financave publike, për gazetën “Kosova Sot” thotë se shqetësim themelor është mënyra se si Qeveria ‘Haradinaj’ po merr vendime për të shpenzuar para nga linja buxhetore që janë shpenzime të paparashikuara.

“Në vitin e kaluar kanë qenë 8 milionë e 400 mijë euro si rezultat i këtyre vendimeve të kësaj qeverie, kurse edhe për këtë vit qeveria e ka filluar po me të njëjtin avaz dhe problemin themelor e kemi përse nuk po parashikohen mjetet si për Pavarësinë e Kosovës. Derisa vjet i ndanë 855 mijë euro e sivjet 500 mijë euro, kurse në fakt, sipas referencave të vitit 2016 dhe 2017, për këtë festë janë ndarë vetëm nga 70 mijë euro. Kurse ne tash për këtë mënyrë abuzive e kemi të paraparë që të ftojmë një seancë për abuzimin e parasë publike, duke folur enkas vetëm për këto”, potencoi ai.

“Rasti konkret është edhe ndarja e 180 mijë eurove për të xhiruar një film në Kosovë, kur dihet se kompetente për vlerësimin e shumës për një film është Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht Ministria Kulturës si kompetente, por jo edhe Qeveria e Kosovës.

Por, këta veprojnë kësisoj duke e parë se shumë çështje nuk kanë nevojë as të planifikohen, sepse kanë interesa personale apo grupore këta pushtetarë kanë vendosur që me vendime abuzive të qeverisë të shpërndajnë mjete, madje edhe nga fondi rezervë, sepse ai fond vendoset për mjete që janë emergjente ose për fatkeqësi natyrore ose për rastet që nuk kanë mundur të parashikohen, sepse festimi i 10-vjetorit të pavarësisë, si edhe festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut janë çështje që dihen me vite të tëra përpara”, vlerësoi Selmanaj. Sipas tij, kjo qeveri që nga dita e parë ka dëshmuar se ajo është një qeveri e skandaleve dhe improvizimeve.

Paratë u bënë rrush e kumbulla

Deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, që po ashtu është anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, Ali Lajçi (VV), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se këto shpenzime të Fondit Rezervë po ndodhin, sepse paratë e buxhetit të vjetëm janë bërë rrush e kumbulla dhe qeveria ‘Haradinaj’ ka qenë e detyruar që të futen në shpenzimin e parave të Fondit Rezervë.

Fundamenti

“Për këtë qëllim ne si komision e kemi ftuar kryeministrin Haradinaj që të raportojë në komisionin tonë, por edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe pritet që të vjen javën tjetër dhe në këto takime presim se do të mësojmë se ku u harxhuan këto para. Shpenzimi i parave nga Fondi Rezervë e tregon se kjo qeveri ka keqpërdorim të parasë publike, ngase ka një keqmenaxhim dhe ky është një model i tillë i punës dhe shpërndarjes së buxhetit në këtë mënyrë, duke dëshmuar se ata nuk dinë që të mbajnë pushtet dhe të bëjnë shtet”, u shpreh ai.

Plaçkitje tipike

Specialisti i fushës së financave, i shkolluar në Angli, ekonomisti Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në një shtet ku zbatueshmëria e ligjit është e lartë, rezervat buxhetore do të ishin shpenzuar vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe ky është edhe dedikimi.

“Në Kosovë, ku zbatueshmëria e ligjit nga zyrtarët e lartë është pothuajse zero, këto rezerva përdoren si plaçkitje e lehtë, sepse nuk kalojnë nëpër procedura të rregullta të prokurimit. Gjithsesi shpenzimi pa kriteret e kërkuara me ligj i rezervave buxhetore është një shkelje e rëndë e rendit Kushtetues të Kosovës.

Prandaj edhe shtrohet pyetja se çka po qe se Kosovës i ndodh një fatkeqësi tepër e rëndë, ku do të kërkoheshin me urgjence 5 milionë euro. Me këtë rast do të mund të dëmtohen rendi dhe interesi i përgjithshëm i Kosovës, do të mund të rrezikohej siguria kombëtare, do të mund të pësojë dëmtime të rënda siguria kombëtare e Kosovës, e kështu me radhë”, potencoi ai.

Shteti në falimentim

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ende nuk është bërë një muaj nga miratimi i buxhetit për këtë vit dhe Qeveria e Kosovës ka filluar t’i shpenzojë rezervat e saj prej 1.4 milion euro.

“Sipas ligjit, rezervat shtetërore mund të shpenzohen, vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara, e qeveria po i shpenzon pa kontroll paratë e tatimpaguesve, duke mos u lodhur fare. Andaj, nëse vazhdon me këtë ritëm, buxheti dhe shteti do të bankrotojnë.

Duke i analizuar të gjitha këto shpenzime, pyesim me të drejtë a thua deri kur do të vazhdohet të zhvatet buxheti i tatimpaguesve, përderisa Kuvendi dhe Qeveria si institucione kanë dështuar tërësisht në punën e vet, gjegjësisht me mospunën e vet”, u shpreh ai.

Luks mbi varfërinë e popullit

Ligjëruesi Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se me këtë mentalitet të shpenzimeve kjo qeveri do ta falimentojnë shtetin.“Kjo na tregon se kësaj qeverie i mungon strategjia zhvillimore dhe ajo e shpenzimeve, sepse të futesh në fondin e rezervave në fillim të vitit, kjo na tregon se vendimet e kësaj qeveria janë vendime ad-hock dhe ato bëhen në baza ditore.

Sepse të shpenzohen aq shumë para nga koha që u bë një muaj kur u miratua buxheti, pra 1.4 milion kjo nuk do fare koment, sepse shihet se kësaj qeverie i mungon strategjia dhe llogaridhënia e shpenzimeve, por edhe transparenca. Sepse te ti shpenzosh 500 mijë euro për dy ditë të pavarësisë, pa asnjë risi, vërtet kjo është për keqardhje, sepse janë shumë para të popullit e taksa të qytetarëve tanë”, u shpreh ai.

“Kuvendi duhet të ndërmarrë masa, ngase qeveria duhet që ta ketë strategjinë e saj se si ta përdorin paranë e qytetarëve tanë taksapagues e jo që t’i shpenzojnë këto para si në bahçe të babës”, propozon Halimi. Sipas tij, janë 400 milionë euro dallim, më shumë shpenzime se sa që kemi të hyra në buxhetin e vendit. Halimi sugjeron se prandaj duhet të bëhet një auditim i detajuar se ku po shkojnë paratë e qytetarëve tanë.

(Kosova Sot)