Fundamenti

Gjyqtarët e prokurorët, lodra të politikës

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Njohësit e fushës së drejtësisë po e përcjellin me shqetësim të madh mënyrën se si e ka gjetur politika çelësin e qëlluar të kapjes së sistemit të drejtësisë, e që sipas analistëve, po ndodh të hapen dhe të mbyllen rastet e hetimeve penale si dhe të lëndëve gjyqësore edhe në zyrat e pushtetarëve të niveleve të larta në Kosovë dhe jo në institucionet e ndërtuara për trajtimin e së drejtës sipas ligjit e Kushtetutës.

Miftari: Në aferën “Pronto”, Adem Grabovci luante sikur luan njeriu shah me emërimin e kukullave në prokurori, në gjyqësi, në institucione kyçe të shtetit!

“Drejtësia është shndërruar në një institucion të instrumentalizuar, në funksion të politikës dhe të drejtësisë së kapjes së shtetit, të krimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Mosfunksionimi i ligjit dhe i drejtësisë i hap rrugën funksionimit të krimit dhe të korrupsionit. Antiligjshmëria dhe korrupsioni janë shkaqet kryesore, të cilat bllokojnë dhe pengojnë demokracinë, përparimin, integrimin dhe zhvillimin e shtetit dhe të demokracisë në Kosovë”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së drejtësisë po e përcjellin me shqetësim të madh mënyrën se si e ka gjetur politika çelësin e qëlluar të kapjes së sistemit të drejtësisë, e që sipas analistëve, po ndodh të hapen dhe të mbyllen rastet e hetimeve penale si dhe të lëndëve gjyqësore edhe në zyrat e pushtetarëve të niveleve të larta në Kosovë dhe jo në institucionet e ndërtuara për trajtimin e së drejtës sipas ligjit e Kushtetutës.

Është tepër e dyshimtë se si shumica e lëndëve dhe rasteve janë të orkestruara nga politika e inkriminuar, sepse dihet që krimi i organizuar dhe korrupsioni është elementi kryesor që po e shkatërron shtetin e Kosovës dhe po e lë shtet të krimit të organizuar. Me të drejtë thuhet se krimi i organizuar dhe korrupsioni po e pengojnë edhe realizimin e projekteve profitabile zhvillimore për Kosovën, siç alarmoi edhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit.

Një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e Departamentit për Çështje Kongresionale dhe Marrëdhënie me Publikun, Karen Sessions, ka theksuar se një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Sipas analistëve në Kosovë, do të vazhdojë të ketë vetëm krim të organizuar dhe korrupsion,përderisa lëndët gjyqësore dhe rastet penale vendosen në zyrat e pushtetarëve të inkriminuar.

Kapiti: Drejtësia e instrumentalizuar

Sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, nga Durrësi, në Kosovë sistemi i drejtësisë ka falimentuar për shumë arsye. “Drejtësia është shndërruar në një institucion të instrumentalizuar në funksion të politikës dhe të drejtësisë së kapjes së shtetit, të krimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Mosfunksionimi i ligjit dhe i drejtësisë i hap rrugën funksionimit të krimit dhe të korrupsionit.

Antiligjshmëria dhe korrupsioni janë shkaqet kryesore të cilat bllokojnë dhe pengojnë demokracinë, përparimin, integrimin dhe zhvillimin e shtetit dhe të demokracisë në Kosovë. Pasiguria juridike dhe korrupsioni, prej tyre, askush jo vetëm biznesi dhe sipërmarrësit vendorë, por as investitorët e huaj nuk kanë besim që të vijnë e të investojnë në Kosovë. Prej korrupsionit dhe prej pasigurisë juridike dhe asaj ekonomike burojnë edhe papunësia, varfëria dhe eksodi.

Aty ku nuk sundojnë ligji dhe drejtësia, aty në atë shtet poshtërsitë, hajnitë dhe tradhtia e politikës, e pushtetarëve dhe politikanëve, kanë lirinë për të vepruar, pasi janë të lira dhe të pandëshkueshme dhe veprojnë në liri edhe korrupsioni, papërgjegjshmëria, tradhtia dhe krimi i tyre”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Dosjet e paprekura të krimit

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, është një fatkeqësi e madhe që te ne drejtësia i trembet kaq shumë politikës, veçmas kur partitë janë në pushtet, prandaj pamundësohet veprimi i drejtë dhe i pavarur profesional, por rastet hapen e mbyllen edhe nëpër zyrat e partive ose institucioneve të tjera të drejtuara nga politika.

“Kjo praktikë vazhdon sikundër po ndodh edhe që të mbyllen fare rastet e hetimeve penale dhe lëndëve të tjera gjyqësore në zyrat e pushtetarëve të niveleve të larta në Kosovë, kjo faktikisht vërteton degradimin deri në këtë nivel të drejtësisë kosovare. Prandaj, është edhe heshtja dhe mungesa e veprimit të Prokurorisë Speciale e Kosovës ndaj dosjeve të krimit të politikës, të mafio-oligarkisë së krimit të organizuar dhe të korrupsionit, një neglizhencë kriminale e saj, që faktikisht është vetë mbrojtja dhe avokatia që organi i akuzës i bën krimit, korrupsionit dhe paligjshmërisë që bën politika e degraduar e kriminale”, u shpreh ai.

“Duket se kështu sistemi i drejtësisë po funksionon si një sistem piramidal korrupsioni dhe i krimit te organizuar dhe i dirigjuar nga mafia dhe oligarko-politika që e kanë kapur shtetin, e që janë mbi ligjin dhe drejtësinë. Qytetarët janë lodhur, mërzitur madje, duke mos gjetur mbrojtje të sistemi i drejtësisë, atëherë ata janë të detyruar që të ambientohen dhe ta pranojnë padrejtësinë e drejtësisë si normalitet të imponuar dhunshëm dhe pandëshkueshmërinë e politikës së krimit dhe korrupsionin e saj dhe të gjyqësorit si të drejtë të tyre që nuk guxon as ligji dhe as njerëzit e ligjit për ta ndëshkuar”, vijoi më tej Kelmendi.

Mobi Casa

“Prandaj, është krimi i organizuar dhe korrupsioni e keqja më e madhe që po e shkatërron të ardhmen e këtij vendi,sidomos perspektivën dhe zhvillimin ekonomik apo realizimin e projekteve zhvillimore për Kosovën sikundër alarmoi edhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, apo sikundër ka theksuar edhe zëvendëssekretarja e Departamentit për Çështje Kongresionale dhe Marrëdhënia me Publikun Karen Sessions, se një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Anarki shoqërore

Sipas prof. Blerim Burjanit, korrupsioni në Kosovë po sjell varfëri dhe po e ul shkallen e zhvillimit kualitativ të jetës së qytetarëve, sepse në rrafshin e përgjithshëm po shkakton pasiguri ekonomike. “Korrupsioni është krim ekonomik që sjell joperspektivën e rinisë kosovare.

Si fenomen krijon shprehitë shoqërore dhe rend anarkik pasuror. Kosova në këtë situatë duhet të hulumtojë rrugën e lirimit të saj nga korrupsioni mafioz, nepotizmi dhe zhvatja e buxhetit. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është problem kriminal në Kosove.

Rasti ‘Pronto’ tregon se në vend që të trajtohet keqpërdorim i detyrës zyrtare ashtu qysh është , është trajtuar si vepër për krijim të pabarazisë, gjë që nuk ka gjasa të trajtohet me fakte, në vend që të zbulohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare, prokuroria e gjykatat duhet të vërtetojnë jobarazinë sociale në punësim. Tash kjo po dihet që ky rast mund të përmbyllet pa aktgjykim dënues”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Miftari: Sherri i komunikatës 59, ishin vrarë edhe dy njerëz të pafajshëm, Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha se ne veç jemi mësuar dhe na është bërë rutinë të dëgjojmë apo t’i shohim se si hapen rastet gjyqësore kundër pushtetarëve, deputetëve apo politikanëve, ish-ministrave, madje mbyllen akoma pa u hapur. “Ta marrim shembull rastin e presidentit Thaçi, i cilin është edhe fajtori numër një pse sot kemi gjyqësi dhe prokurori e hetuesi të dështuar dhe ku pothuajse shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vetëm kukulla dhe lodra të politikanëve të korruptuar dhe të krimit të organizuar.

Bëhet pyetja tani: po ku ka në botë kur presidenti i një vendi, i një shteti mu në mes të Evropës shkon te viktima, te familja e viktimës politike që e kanë vrarë pikërisht mercenarët e presidentit dhe iu thotë se ju bëj be me 120 pleq se unë nuk kam urdhëruar vrasjen e Haki Imerit? Pra, a jemi ne shtet që kemi ligje, që kemi gjykata, që kemi polici dhe prokurori apo jemi shtet i KANUNIT, shtet xhungël ku viktima është gjithmonë i ligu. A jemi ne në shekullin 21 apo busulla jonë u ndal në kohën e Lekë Dukagjinit?!

Edhe loja tjetër e presidentit prapë kinse po bën kërkimfalje për një krim ndaj familjes së Gani Gecit- Komunikata e 59, ku presidenti i shtetit e hedh fajin larg, duke harruar se sherri i asaj komunikate të tij ishin vrarë edhe dy njerëz të pafajshëm, Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati”, u shpreh ai.

“Le ta marrim shembullin e aferës ‘Pronto’, ku caktoheshin kukullat, servilët politikë e të krimit të organizuar në vendet kyçe të shtetit, në vendet kyçe të drejtësisë, policisë e prokurorisë… ku Adem Grabovci luante sikur luan njeriu shah me emërimin e kukullave në prokurori, në gjyqësi, në institucione kyçe të shtetit, edhe pse ishte shef i shefave, por prapë punonte për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin e Sami Lushtakun. Kjo aferë tregon pse dhe si ka dështuar sundimi i ligjit në Kosovë”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Preteni: Drejtësia kosovare është shndërruar në cirk!

Ndërsa, ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se vërtet drejtësia kosovare është shndërruar në cirk dhe këtë më së miri e dëshmon procesi gjyqësor ndaj zyrtarëve të Qeverisë për gjuajte me armë. “Cirku po vazhdon, zyrtarët e lartë të shtetit nuk e dinë që gjuajtja me armë është vepër penale, që armëmbajtja pa leje gjithashtu nuk dihet se është vepër penale.

Deklarimi se t’i keni 2-3 milionë gjithashtu nuk do të thotë se duhet filluar hetimin. ‘Bektel&Enka’ në Serbi ndërton autostradë 50% më lirë se në Kosovë dhe prapë nuk ka hetime. Për vonesa në pagesa paguhen penalltitë, e për vonesë të punimeve nuk kërkohet asgjë. Diploma false dhe prapë s’ka hetime. Hetuesi policor zhvat dhe mashtron, prapë s’ka hetime”, potencoi Preteni për “Kosova Sot”. Sipas tij, nuk ka hetime për asgjë.

(Kosova Sot)