Kosovën e pllakos e keqja, qytetarët nuk kanë forcë as për protesta
Analistët politikë po e shohin me shqetësim se si ka humbur nga qytetarët sensi i të protestuarit dhe qytetarët po i përcjellin krejtësisht në heshtje të gjitha degradimet dhe devijimet që po ndodhin në shoqëri dhe në shtet. Konstatimi që del nga njohësit e zhvillimeve të deritanishme, sipas analistëve, ka të bëjë me faktin se deri më tani vetëm sa kanë degraduar protestat nga partitë politike me kauza tërësisht të rreme, sepse ato protesta janë përdorur e si mjet vetëm për të marrë pushtetin. Qytetari ndodhet i lënë anash dhe i mashtruar, madje dhe nga shoqëria e ashtuquajtur civile, sepse sipas analistëve politikë shoqëria civile po shikon vetëm se si të pasurohet dhe të vjelë para me ca konferenca të mbajtura ndonjëherë, kurse qytetari i zhgënjyer sikur është pajtuar me të keqen që po ndodh në këtë vend.
Guraziu: Nuk kemi shoqëri civile aktive, sepse shoqëria civile po shikon nga larg vetëm e vetëm se si të pasurohet dhe të vjelë para me ca konferenca të mbajtura ndonjëherë
“Përveçse nuk ka protesta për paranë publike që secili pushtet për 20 vjet me radhë, në të dy nivelet e qeverisjes, e vjedh çdo ditë, sot, siç nuk protestohet për punësimet partiake e familjare, çuditërisht nuk ka protesta as për rrezikun real që troket kaq kërcënueshëm në dyert tona, për ndarjen e vendit! E si të flasim më edhe për arsimin e degraduar tërësisht, shëndetësinë e kontaminuar dhe drejtësinë e kriminalizuar, të cilat tash e sa vite fund e krye janë të kapura nga pushteti. Gjendja dëshpëruese ka shkuar deri aty, sa edhe qytetarët sikur po pajtohen në heshtje me të keqen e madhe që po i ndodh këtij vendi, ku njeriu nuk e di më se çka në të vërtetë duhet të ndodhë më tepër që populli përfundimisht të çohet në protesta dhe të mos mbetet edhe më tej zgjidhja e vetme që qytetarët të ikin sa më larg Kosovës”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”
Analistët politikë po e shohin me shqetësim se si ka humbur nga qytetarët sensi i të protestuarit dhe qytetarët po i përcjellin krejtësisht në heshtje të gjitha degradimet dhe devijimet që po ndodhin në shoqëri dhe në shtet. Konstatimi që del nga njohësit e zhvillimeve të deritanishme, sipas analistëve, ka të bëjë me faktin se deri më tani vetëm sa kanë degraduar protestat nga partitë politike me kauza tërësisht të rreme, sepse ato protesta janë përdorur e si mjet vetëm për të marrë pushtetin. Qytetari ndodhet i lënë anash dhe i mashtruar, madje dhe nga shoqëria e ashtuquajtur civile, sepse sipas analistëve politikë shoqëria civile po shikon vetëm se si të pasurohet dhe të vjelë para me ca konferenca të mbajtura ndonjëherë, kurse qytetari i zhgënjyer sikur është pajtuar me të keqen që po ndodh në këtë vend.
Qytetari kosovar vazhdon të ankohet, por nuk proteston, edhe pse para syve të tij vidhet, abuzohet, paraja publike nga secili pushtet për 20 vjet rresht, në të dyja nivelet e qeverisjes, vidhet çdo ditë. Madje nuk ka protesta as për punësimet partiake e familjare, as për rrezikun e ndarjes së vendit, as për arsimin e shëndetësinë e degraduar, as drejtësinë e tejdegraduar e të kriminalizuar. Me të drejtë tani shtrohet pyetja se edhe çka duhet të ndodhë në këtë vend që populli të çohet në protesta dhe deri kur qytetarët do të pajtohen në heshtje me të keqen e madhe që po i ndodh këtij vendi, derisa e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa më larg Kosovës.
Të gjitha partitë njësoj
Analisti politik Florim Zeqa konsideron se futja e të gjitha subjekteve në sistem, përkatësisht renditja e të gjitha subjekteve pas marrjes së pushtetit, ka bërë që ta lënë në harresë të plotë elektoratin pas përfundimit të procesit zgjedhor nga ana e partive politike, gjë e cila ka bërë që edhe popullata të pasivizohet dhe demoralizohet siç është më së keqi.“Nuk ka si të mos ndodhë pikërisht kështu për faktin se liderët e partive politike përveç pasurimit të skajshëm kanë punësuar militantët partiakë dhe familjarët e tyre nëpër institucione e borde, nëpër agjenci e korporata tjera fitimprurëse…
Edhe të ashtuquajturat “OJQ” po mendojnë vetëm si të pasurohen dhe të vjelin para të buxhetit të shtetit me ca konferenca të mbajtura sa për sy e faqe dhe në koordinim të plotë me pushtetarët”, u shpreh ai.“Duke e parë këtë situatë sa të dhimbshme po aq dëshpëruese dhe vrastare për shtetin, qytetarët e zhgënjyer janë tërhequr nga të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend dhe rreth vendit tonë, duke u pajtuar në heshtje me të keqën e madhe që po i ndodh këtij vendi, për shkak se e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa më larg, për të mos u kthyer ndoshta asnjëherë në Kosovë. Deri në këtë derexhe e kanë sjellë qytetarin kusarët politikë të të gjitha llojeve e ngjyrave”, vijoi më tutje Zeqa.
“Nuk pritet gjë e mirë nga subjektet aktuale politike, e vetmja shpresë e vogël e qytetarëve të dëshpëruar është ngjizja e një nisme të re nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta çrrënjosur në themel të keqen që ka mbërthyer vendin tonë në këto dhjetë vitet e fundit. Kjo është e mundur me vullnet e dashuri, me guxim e përkushtim, me besa-besë për një qëllim hyjnor për të dhënë gjithçka nga vetja për Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.
Qarri: Dëshpërim i madh, pasivitet i paparë
Sipas analistit politik Gani Qarri, siç është dëshmuar tanimë edhe nga një anketë mbi cilësinë e jetës të Komisionit Evropian në shtatorin e vitit të kaluar, shqiptarët janë populli më joprotestues dhe me pjesëmarrjen më të ulët në protesta, nga të gjithë popujt e Bashkimit Evropian, prandaj ndodh ky fenomen abstenimi dhe mosvullneti për të protestuar.“Dhe, e gjitha kjo ndodh pikërisht në vitet kur numri i atyre që duan ta lënë vendin e vet dhe ikin nga Kosova, sa vjen e rritet. Fatkeqësisht, partitë e inkriminuara politike dhe me kauza tërësisht të rreme, që i përdorin edhe ato (kauzat), si mjet për të marrë pushtetin, kanë degraduar tërësisht prirjen për protesta dhe mbytur gjithë sensin e të protestuarit në Kosovë. Madje edhe shoqëria civile shikon vetëm se si të pasurohet dhe të vjelë sa më shumë para me ca konferenca të mbajtura ndonjëherë kot së koti, kurse qytetari i zhgënjyer sikur është pajtuar me të keqen që po ndodh tash e sa vite në këtë vend.
Ndaj, përveçse nuk ka protesta për paranë publike që secili pushtet për 20 vjet me radhë, në të dy nivelet e qeverisjes, e vjedh çdo ditë, sot, siç nuk protestohet për punësimet partiake e familjare, çuditërisht nuk ka protesta as për rrezikun real që troket kaq kërcënueshëm në dyert tona, për ndarjen e vendit! E si të flasim më edhe për arsimin e degraduar totalisht, shëndetësinë e kontaminuar dhe drejtësinë e kriminalizuar, të cilat tash e sa vite fund e krye janë të kapura nga pushteti. Gjendja dëshpëruese ka shkuar deri aty sa edhe qytetarët sikur po pajtohen në heshtje me të keqen e madhe që po i ndodh këtij vendi, ku njeriu nuk e di më se çka në të vërtetë duhet të ndodhë më tepër që populli përfundimisht të çohet në protesta dhe të mos mbetet edhe më tej zgjidhja e vetme që qytetarët të ikin sa më larg Kosovës”, tha Qarri për “Kosova Sot”.
Guraziu: Korrupsioni, i favorizuar nga heshtja shoqërore
Sipas analistit Ragip Guraziu, mungesa e zërit protestues po ndikon që në Kosovë të mos kemi ndryshime pozitive dhe as pastrim të politikës nga strukturat e korruptuara e të inkriminuara.“Prandaj, unë që në fillim e shtroj pyetjen se edhe çka duhet të ndodhë në këtë vend që populli të çohet në protesta paqësore. Vërtet nuk po e kuptoj se çka po presin qytetarët e Kosovës dhe pse qytetarët po pajtohen në heshtje me të keqën e madhe që po i ndodh këtij vendi dhe po presin, të zhgënjyer ndoshta, që të ikin sa më larg Kosovës. Ka kohë që po shihet ashiqare se në vendin tonë ka humbur sensi i të protestuarit dhe ndoshta kjo po ndodh pasi që qytetarët janë të zhgënjyer tej mase, apo i kanë degraduar protestat partitë politike me kauza tërësisht të rreme dhe vetëm duke i përdorur ato si mjet për të marrë pushtetin.
Është një fatkeqësi tjetër edhe pasiviteti i shoqërisë civile aktive. Nuk kemi shoqëri civile aktive, sepse shoqëria civile po shikon nga larg vetëm e vetëm se si të pasurohet dhe të vjelë para me ca konferenca të mbajtura ndonjëherë, kurse qytetari i zhgënjyer sikur është pajtuar me të keqen që po ndodh në këtë vend. Është fatkeqësi e madhe kjo heshtje qytetare, pasi që po shihet se nuk ka zë protestues as për paranë publike që po e zhvat kriminalisht secili pushtet për 20 vjet reshtë, në të dy nivelet e qeverisjes, e vjedh çdo ditë, nuk ka protesta as për punësimet partiake e familjare, as për rrezikun e ndarjes së vendit, as për arsimin e shëndetësinë e degraduar, as drejtësinë e tejdegraduar e të kriminalizuar. Vërtet kjo është një fatkeqësi e madhe për shtetin dhe demokracinë. Kjo na lë të kuptojmë se pse qytetarët po pajtohen në heshtje me të keqen e madhe që po i ndodh këtij vendi, të kapur për subjektet e tyre politike, e tani e kanë vërejtur se subjektet politike po i shfrytëzojnë vetëm për votat e tyre dhe kjo besoj se do jetë arsyeja pse e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa me larg Kosovës”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.
Bandat udhëheqin shtetin
Sipas analistit politik Reshat Badallaj, fakti që bandat dhe mafio-oligarkët e kanë kapur pushtetin ua kanë humbur rrugën në oborr edhe qytetarëve, i kanë lënë pa kurrfarë shprese, prandaj edhe nga zhgënjimi i vazhdueshëm nuk shohin më arsye as të protestojnë.“Më vjen keq, por duhet të them se ua kanë futur disave edhe frikën në bark, me premtime boshe se do t´i punësojmë, vetëm pritni e duhet pasur durim, pastaj ata që janë në punë i kërcënojnë se do të fluturojnë nga puna dhe lloj-lloj marifetesh tjera. Opozitë të mirëfilltë për t´i rrëzuar këto banda banditësh nuk kanë, nuk ka kush t´i organizojë protestat. Opozita u ka hyrë pazareve që ta largojnë bandën në pushtet, por mafio-oligarkët e kanë shpinën e fortë, sepse përkrahen nga kryebanditët dhe mafio-oligarkët e kanaleve të nëntokës kriminale. Pra, xhambazët që vjedhin popullin janë mbështetës dhe i mbajnë këto banda në pushtet me para të pista dhe qytetari i shkretë ka mbetur në rrugë, në mëshirën e Zotit”, u shpreh ai.“Pra, qofshin bandat e pozitës apo të opozitës nuk kanë dallim.
Poenta kryesore e këtyre bandave është se si ta kapin pushtetin dhe pastaj të ndajnë pazarin e hajnisë. Si mund të rrëzohen këta banda banditësh me një konferencë pesë minutash dhe atë vetëm lehin, se asgjë nuk thonë, dhe ikin. Kurse para gazetarëve vijnë me kërpesh, flokët e pispillosur dhe i thonë dy-tri fjalë dhe kështu largohen këta hajna, këta banditë shkuar banditëve. Populli i shkret po hesht, ka rënë në gjumin e ariut dhe vetëm pret se çka po ndodh, çka po bëhet me vesh në krah nga kuislingët dhe pazarexhinjtë që e japin Kosovën për interesa të tyre personale. Përndryshe që nga çlirimi këto banda të rrezikshme, që herë ndërrohen, herë hip njëri e herë tjetri dhe vjedhin paranë e taksapaguesve”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.
Badallaj: Populli i frikësuar
“Qytetarët, përpos heshtjes, kryebanditët po i frikësojnë edhe përmes organeve të ndjekjes dhe kjo i ka detyruar në pamundësi për t’u ngritur në protesta dhe ata për këtë kanë zgjedhur rrugën e ikjes, rrugën e kurbetit. Po e bëjnë këtë, sepse e kanë parë se që një kohë të gjatë me këta banda që e kanë kapur shtetin për interesa të tyre personale, populli nuk ka rrugë tjetër e ka humbur durimin dhe sa më parë kërkon të ikë nga Kosova për një jetë më të mirë dhe më të rehatshme.
Sido që të jetë, unë shpresoj se do të ndodhin edhe protesta gjithëpopullore kundër këtyre bandave hajnash që e kanë kapur pushtetin dhe që luajnë me miliona dhe nuk dihen ku kanë shkuar: populli nuk i di, sepse këto para janë në xhepat e këtyre banditëve dhe kryebanditëve që nuk do t’ia shohin hairin. Protesta duhet të ndodhin dhe janë të domosdoshme kundër këtyre bandave hajnash, për ta shpëtuar vendin”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.
Qytetarët nuk besojnë më në pallavrat e partive
Të anketuar nga gazeta, edhe qytetarët theksojnë se kanë shumë arsye, për të cilat do të protestonin, por ata janë mashtruar me vite të tëra nga organizimi i protestave prej partive të ndryshme politike dhe OJQ-ve, por nuk kanë realizuar asnjë qëllim dhe kërkesë, prandaj nuk po mund të motivohen tani dhe t’i besojnë dikujt që i fton në protestë, qoftë për tema politike apo sociale. Kështu mendon qytetari Vehbi Halili. “Së pari, duhet ta dimë që edhe çështja sociale e qytetarëve në Kosovë shihet që nga momenti kur ata shkojnë të marrin ato ndihmat sociale që i kanë kush i ka ato, që janë simbolike, dhe aty lindet pakënaqësia, sepse shihet që Qeverisë nuk i intereson aspak për jetën e qytetarit, por vetëm i intereson çështja e vet.
Për çështjen e topitjes së interesimit, pse ata nuk dalin në rrugë, kjo ka të bëjë me faktin që edhe qytetarët kanë ardhur deri në atë pikë që nuk po gjejnë zgjidhje alternative se kush do të ishte më i përshtatshëm që të vijë në pushtet, po dalin të gjithë të njëjtë, ndërrohet njëri e vjen tjetri, derisa çështjet janë të njëjta dhe nuk i intereson askujt për problemet e qytetarit, edhe pse nuk ka sigurime shëndetësore, nuk ka standard dhe siguri sociale, sepse i merr 75 euro ndihmë sociale e 50 euro i kushton fatura e rrymës elektrike, ose dikush e ka një pension apo rrogë 150-20 euro, kështu që rrugëdalje e vetme mbetet ikja jashtë vendit. Edhe këto temat e mëdha politike po i përdorin vetëm si mblesa për mbulimin e dështimeve dhe minimizimi e problemeve të përditshme të qytetarëve”, theksoi Halili për “Kosova Sot”.
Kështu mendon edhe qytetari Xhevat Prebreza.“Unë mendoj që qytetarët tani më janë lodhur me protesta, sepse kanë qenë kur ishin dikur protestat madhështore, por sot po shihet që proteston kot dhe nuk të merr askush parasysh, po flas tek partitë politikë. Partitë politike, pa marrë parasysh se cila është ajo, në pozitë apo në opozitë, nuk merren fare me problematikën e qytetarit, sepse prej pasluftës askush nuk është marrë seriozisht me këto probleme, kështu që në njëfarë mënyre edhe populli po e sheh që nuk ka asnjë të dobishme deri tani nga protestat dhe si rrugë tjetër që populli e ka zgjedhur, e ka zgjedhur ikjen nga vendi, për shkak të papunësisë, për shkak të gjendjes sociale, dhe për shkak të padrejtësive që u bëhen qytetarëve, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat”, vlerësoi ai.
Sipas Prebrezës, në një mënyrë popullit i është mbyllur goja, sepse po e shohin që protesto sa të duash, ankohu sa të mundesh, por askush nuk të merr parasysh, sepse po jetohet në një kohë të pakohë, për shkak se askush nuk merret as me idenë, as me mendimin dhe as me problemin tënd.
(Kosova Sot)


