Kush guxon t’ua prekë pronat milionëshe pushtetarëve?
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, duke përcjellë mënyrën se si bëhet deklarimi dhe verifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin kinse pasuria e këtyre zyrtarëve po verifikohet dhe hetohet për ligjshmërinë e prejardhjes së saj, konsiderojnë se me në propagandë të tillë pushteti vetëm po tallet, me gjoja verifikimin e pasurisë së paligjshme kur shihet se mijëra zyrtarë janë pasuruar paligjshëm, me korrupsion, por gjyqtarët e prokurorët nuk po merren akoma me ta.
Burjani: S’ka gatishmëri për të verifikuar pasurimin pa bazë, ngase i tërë spektri politik dhe sistemi i drejtësisë po bashkëjeton në korrupsion dhe me përfitues të paligjshëm
“Fatkeqësisht, ligji vepron vetëm ndaj kriminelëve të vegjël, e sa i përket dënimit të kriminelëve të mëdhenj ligji nuk vepron fare. Dhe, dihet se sa më i madh të jetë krimineli, aq më pak janë shanset për ta dënuar atë. Pra, janë minimale gjasat të dënohet mafiozi nga prokurorët dhe gjyqtarët që po ashtu janë pjesë e mafisë politike të Kosovës. Pa një VETTING të fuqishëm, gjithëpërfshirës, nuk do të pastrohen kurrë nga dora e mafisë këto institucione, sidomos institucionet e zbatimit të ligjit, pasi krimi i organizuar pikërisht i kontrollon organet e ligjit dhe sigurisë. I kontrollon, sepse vetë i ka krijuar dhe mbushur me mafiozë këto institucione, prandaj sot edhe prokuroria, gjyqtarët, hetuesit policorë dhe inteligjenca janë AVOKATË, mbulesë e krimit të organizuar, që shumica e tyre vijnë nga politikanët e korruptuar dhe mafia vendore,” thotë njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari për “Kosova Sot”
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, duke përcjellë mënyrën se si bëhet deklarimi dhe verifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin kinse pasuria e këtyre zyrtarëve po verifikohet dhe hetohet për ligjshmërinë e prejardhjes së saj, konsiderojnë se me në propagandë të tillë pushteti vetëm po tallet, me gjoja verifikimin e pasurisë së paligjshme kur shihet se mijëra zyrtarë janë pasuruar paligjshëm, me korrupsion, por gjyqtarët e prokurorët nuk po merren akoma me ta.
E kur shtrohet pyetje pse nuk ndodh një hetim, verifikim dhe konfiskim i pasurisë së kundërligjshme nga drejtësia, dyshimi del se ky veprim nuk ndërmerret, pasi që edhe vetë shumica nga prokurorët e gjyqtarët na dalin njësoj të pasuruar kundërligjshëm, si të korruptuar, prandaj edhe kur ndodhin denoncimet në prokurori nga AKK-ja, prokuroria nuk i merr seriozisht denoncimet e Agjencisë Antikorrupsion. Njohësit e kësaj fushe, mendojnë se edhe pa bërë kurrfarë fushate e propaganda qeveritare, drejtësia është dashur të vihej në lëvizje në secilin rast ku ka tregues të një pasurimi të dyshimtë, por ajo nuk vepron, së paku opinioni nuk po informohet, edhe pse në Kosovë nuk duhet të jesh hetues, për të kuptuar se si fqinji që deri dje kërkonte borxh, befasisht, një ditë të bukur e ka parkuar një veturë luksoze para oborrit tënd.
Ligji i mirë, por nuk zbatohet
Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot” se nëse analizohet seriozisht dhe thellësisht qasja e institucioneve përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, për ta nxjerrë në shesh pasurimin e kundërligjshëm, nuk ka pikë vullneti për ta bërë atë.“Ligji për deklarimin e pasurisë, ky aktuali është i mirë dhe për dy çështje nuk ka nevojë të ndryshohet. Pjesa e deklarimit nuk duhet të ndryshojë, kontrolli duhet të ndryshojë, por jo në masë të madhe, por vërtetësia e prejardhjes së pasurisë duhet të rregullohet nga e para. Ligji për deklarim, kontrollin dhe prejardhjen e pasurisë.
Shihni si emërtohet kurse në përmbajtje tek pjesa e prejardhjes nuk është asnjë nen. Në vend se të lëvizë-amendamentohet ose ndryshohet vetëm te pjesa e prejardhjes, tani po qarkullon ideja se deklarimi nuk duhet të publikohet, sidomos te pjesa e parave të gatshme, do të thotë po mendohet vetëm si të mos publikohen të dhënat. Ky është një regres dhe jo progres, sepse vërtetësia i prejardhjes së pasurisë nuk përmendet fare”, shpjegon Preteni. Sipas tij, është dashur që të sanksionohen punësimet e shumëfishta, është dashur t’u ndalohet gjyqtarëve dhe prokurorëve angazhimet nëpër 5-6 vende të punës.
Çdo i treti zyrtar i lartë ka më shumë se një vend pune.“E kjo nuk u rregullua, por, përkundrazi, tani zyrtarëve të lartë u lejohen punësimet nëpër borde, e kjo nuk ka qenë e lejuar më herët. Kodi penal u trumbetua shumë se do të ketë dënime penale për mosdeklarim të pasurisë, deklarim të rrejshëm dhe konflikt të interesit. Edhe nga ajo kohë, që 6 vjet asnjë zyrtare nuk është dënuar me ndonjë dënim të veçantë për këto vepra. Përkundrazi, dënimet kanë qenë më të fuqishme me ligjet e mëhershme, ku për këto vepra kishte dënime monetare deri në 1500 euro”, ka vlerësuar ai.
Preteni: Ku mbetën dënimet drakonike?
“Me Kod Penal është pritur se do të ketë dënime më drakonike, por ndodhi e kundërta, dënime me kusht apo dënime me 300 euro. Ky është progresi i proklamuar që del se është regres në praktikë. Publikimi i Deklarimeve të pasurisë është dashtë që të penalizohet edhe nga qytetarët. Mos i votoni ata që kanë bërë shumë pasuri dhe janë pasuruar me të shpejtë. Mjaftojnë vetëm analizat e atyre që publikohen e mos të flasim për paratë që i kanë të padeklaruara dhe të fshehura deri në Panama.
Asnjë hetues deri më tash nuk e ka hapur asnjë rast sipas detyrës zyrtare. Dëshmia kryesore e secilit prej zyrtarëve publikë se a ka punuar drejt apo jo në fakt është pasuria e tyre. Edhe shumë pasuri edhe shumë lekë nuk shkon. Drejtësia duhet t’i arsyetojë pagat e majme, duhet të veprojë sa nuk është bërë tepër. Le të shpresojmë që edhe vetting-u nuk do të vonojë dhe do të bëhet”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
Politika e inkriminuar
Sipas prof. Blerim Burjanit, mungesa e verifikimit dhe hetimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm, që do të çonte deri në procedurën e konfiskimit, nuk zhvillohet pasi që askush nuk dëshiron të merret me këtë temë, sepse është në dëm të politikës së inkriminuar.“S’ka gatishmëri për të verifikuar pasurimin pa bazë, i tërë spektri politik dhe sistemi i drejtësisë po bashkëjeton në korrupsion dhe me përfitues të paligjshëm. Sistemi i korruptuar nuk luftohet pa gatishmëri, edhe pse procesi realisht është fare i lehtë që të realizohet kur ka gatishmëri e vullnet, por e paraqesin qëllimisht si një proces i pamundshëm. Tani më ato vështirësi i ka bërë publike edhe Agjencia Antikorrupsion”, u shpreh ai.
“Procesi është gjithsesi verifikues dhe çdo gjë që është deklaruar, nëse ka argumente dhe dëshmi për prejardhjen e pasurisë në mënyrë ligjore është në rregull, por nëse jo, atëherë ajo duhet të identifikohet dhe të konfiskohet. Çdo gjë që del jashtë deklaratës së agjencisë duhet të hetohet nga prokuroria me tutje, e nga praktika e deritanishme ne e dimë që asnjë deklaratë gati nuk përputhet me pasuritë që kanë deklaruar politikanët në AKK, apo më mirë të quhen ‘badihavxhinjtë’ që jetojnë në mënyrë të paligjshme”, vijoi më tej Burjani.“Gjasat për të arritur deri tek e vërteta janë të mëdha, nëse do të kishte vullnet veprimi, nëse ndiqen procedurat një nga një dhe jo me nxitim, sepse shumë njerëz janë bërë të pasur në shumë mënyra të paligjshme.
Ka edhe pasuri që janë bartur te pronarë të rrejshëm. Së pakut kështu edhe po flitet, prandaj edhe këto gjëra duhet të verifikohen, me një procedurë të ndjekur. Me metodologji antikrim mbi 90% do të luftohej edhe krimi ekonomik, edhe nepotizmi, korrupsioni dhe zhvatja por pa VETING nuk besoj që për të gjitha këto veprime dikush do e thyej akullin me vullnet personal apo institucional”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Miftari: Prokuroria, policia, gjyqësia gjenden në grushtin e mafisë
Edhe njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari tha për “Kosova Sot” se tallja e shtetit me gjoja verifikimin e pasurisë së paligjshme e së mijëra zyrtarëve dhe politikanëve tjerë të Kosovës nuk është risi, pasi të njëjtët njerëz, të njëjtët profiterë janë që nga viti 1999 e gjer më sot 2019 dhe vetëm tallen me ne si popull dhe luajnë me fatin tonë si macja me miun.“Edhe mosmarrja e gjyqësisë dhe prokurorisë me këto çështje tregon qartë se prokuroria, policia, gjyqësia dhe AKI-ja gjenden në grushtin e mafisë dhe se nga ligji mundësh me frikësuar vetëm nëse je i drejtë dhe nëse kërkon drejtësi, sepse sot në Kosovë vetëm rrezikon duke kërkuar drejtësi. Pra, kështu e rrezikon veten pasi drejtësi dhe gjyqësi të paanshme dhe zbatim të ligjit njësoj për të gjithë nuk ka në Kosovë”, u shpreh ai.
“Fatkeqësisht ligji vepron vetëm ndaj kriminelëve të vegjël, e sa u përket dënimit të kriminelëve të mëdhenj ligji nuk vepron fare. Dhe, dihet se sa më i madh të jetë krimineli, aq ma pak janë shanset për ta dënuar atë, pra janë minimale gjasat të dënohet mafiozi nga prokurorët dhe gjyqtarët që po ashtu janë pjesë e mafisë politike të Kosovës”, vijoi më tej Miftari. Sipas tij, po të vepronte si duhet Ligji i antimafisë, edhe Presidenca, edhe kryeministria, por edhe Parlamenti do të pastroheshin, sepse shumë zyrtarë që punojnë aty do të mbeteshin pa prona, pa shtëpia, pa vila, pa banesa, pa vetura dhe pa vila në Turqi, Zvicër, Katar, Dubaj etj. Edhe Miftari thotë se vetëm VETTING-u i pastron këto gjëra.
Ndërkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet lidhur me këtë temë. “Pa një VETTING të fuqishëm, gjithëpërfshirës, nuk do të pastrohen kurrë nga dora e mafisë këto institucione, sidomos institucionet e zbatimit të ligjit, pasi krimi i organizuar pikërisht i kontrollon organet e ligjit dhe sigurisë. I kontrollon sepse vetë i ka krijuar dhe mbushur me mafiozë këto institucione, prandaj sot edhe prokuroria, gjyqtarët, hetuesit policorë dhe inteligjenca janë AVOKATË, mbulesë e krimit të organizuar, që shumica e tyre vijnë nga politikanët e korruptuar dhe mafia vendore, por që gjithsesi po përkrahet akoma edhe nga të korruptuarit ndërkombëtarë që janë përfaqësues zyrtarë dhe staf diplomatik e politik i ambasadave në Prishtinë. Prandaj, dëshira e shpresa se ligji do të funksionojë edhe në Kosovë tash për tash mbetet vetëm shpresë, ëndërr apo utopi jona”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)

