Qytetarët e bizneset e ndershme paguajnë taksa për sundimtarët
Të gjitha bizneset e ndershme private, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale, por edhe qytetarët në Kosovë, nga ana e pushtetarëve të tashëm detyrohen të paguajnë taksa për sundimtarët e tashëm. Ndryshe, në vendet normale, kur pushteti jep llogari për çdo cent të harxhuar, qytetarët me dinjitetin më të madh paguajnë taksat, sepse e dinë se ato taksa e përmirësojnë jetën e tyre, në shërbime më të mira shëndetësore, në rrugë e kanalizime dhe administrate efikase.
Maloku: Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit dhe bizneset të jetojnë me dinjitet
“Kush nuk e paguan haraçin për nëntokën kriminale, që bashkë me mafio-oligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë kontrollojnë gjithçka, e kanë kot. Po qe se nuk ua jep ‘tallin’, përmes ryshfeteve ndaj pushtetarëve, nuk ke asnjë shans që të marrësh licenca, e as leje ndërtimi nëpër komunat e Kosovës, të marrësh licenca për monopole, të marrësh licenca për banka, si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara t’i lëshojnë”, thotë deputeti Sali Salihu për gazetën “Kosova Sot”
Të gjitha bizneset e ndershme private, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale, por edhe qytetarët në Kosovë, nga ana e pushtetarëve të tashëm detyrohen të paguajnë taksa për sundimtarët e tashëm. Ndryshe, në vendet normale, kur pushteti jep llogari për çdo cent të harxhuar, qytetarët me dinjitetin më të madh paguajnë taksat, sepse e dinë se ato taksa e përmirësojnë jetën e tyre, në shërbime më të mira shëndetësore, në rrugë e kanalizime dhe administrate efikase.
Por, sipas deputetëve të opozitës dhe analistëve të ekonomisë, në Kosovë nuk është kështu, sepse te ne bizneset private, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale, dhe qytetarët paguajnë taksat. Ndërkaq, këto para vidhen, zhvaten, keqpërdorohen, si dhe u jepen rroga njerëzve të politikës dhe familjarëve e klaneve të politikanëve që zënë vend në administratën shtetërore. Sipas tyre, është për keqardhje që në Kosovë për afro 20 vjet pushtetarët e të dyja niveleve nuk i frikësohen ligjit, duke zhvatur, duke vjedhur e duke keqpërdorur kështu në baza ditore pa asnjë problem paratë e tatimpaguesve.
Salihu: Pushtetarët bllokojnë bizneset që nuk i kanë nën kontroll
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për “Kosova Sot”, ka thënë se të merresh me një biznes, vërtet është shumë e vështirë dhe gati e pamundur. “Kur e them këtë bazohem në faktin se në Kosovën e pasluftës e deri më sot po vazhdon fenomeni i dominimit të nëntokës kriminale, që në bashkëpunim me mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe me parapolitikën, ta mbajnë peng dhe në duart e tyre tërë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.
Prandaj, e them lirshëm se të gjitha bizneset e ndershme private, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale, por edhe qytetarët në Kosovë, nga ana e pushtetarëve të tashëm detyrohen të paguajnë taksa për sundimtarët e tashëm”, është shprehur ai. Salihu thotë se nga anketa e bizneseve të ndershme mësojmë se kush nuk e paguan haraçin për nëntokën kriminale, që bashkë me mafio-oligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë, e kanë kot, sepse ata bllokojnë biznese që nuk i kanë nën kontroll. “Po qe se nuk ua jep ‘tallin’ e tyre përmes ryshfeteve ndaj pushtetarëve të tjerë, nuk ke asnjë shans që të marrësh licenca e as leje ndërtimi nëpër komunat e Kosovës, të marrësh licenca për monopole, të marrësh licenca për banka, si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara me ligj t’i lëshojnë për bizneset e rregullta ligjore edhe kur i plotësojnë kushtet ligjore”, është shprehur ai.
Qeveria “Haradinaj” duhet që të luftojë monopolet dhe krimin në ekonomi
Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, vlerëson se që të dallojë nga qeveritë e tjera nevojitet që Qeveria e Ramush Haradinajt, në vendimet e saj duhet të jetë konkrete, që të bëjë ndryshime rrënjësore dhe të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit, pasi edhe vetë ata kanë thënë se viti 2109 do të jetë vit i ekonomisë. “Ajo duhet të jetë një Qeveri dinamike dhe zhvillimore dhe të jetë kundër çdo të keqe që e ka kapluar këtë vend.
Ne presim nga Qeveria e tashme që të kemi zhvillim të hovshëm ekonomik, i mbështetur në potencialin njerëzor dhe pasuritë natyrore të vendit tonë, sikurse që e tha për ‘Trepçën’ se është turp se si e kemi lënë në këtë situatë”. është shprehur ai.
Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, për “Kosova Sot”, thotë se në Kosovën e pasluftës është krijuar një traditë e brishtë që vetëm ato kompani që janë monopoliste dhe që ishin të lidhura me garniturat e pushtetarëve të pasluftës kanë pasur përfitime dhe askush tjetër. “Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit dhe bizneset që afarojnë jetojnë me dinjitet dhe perspektivë, pra që të ketë një ekonomi me treg të lirë dhe jo si kanë qenë shumica e qeverive të deritashme që ishin për dikë nënë e për dikë njerkë”. Sipas Malokut, ryshfeti i të mëdhenjve për pushtetarët ka qenë gjithmonë prezent që nga pas lufta dhe kjo ka bërë që të shkatërrohen bizneset e vogla dhe të mesme, duke i lënë anash dhe duke mos u dhënë mundësi që të zhvillohen. “Shpresojmë se për bizneset e ndershme, që nuk janë të lidhura me politikën, po vijnë ditë më të mira. Por, më kryesorja mbetet forcimi i sundimit të ligjit, sepse pa një shtet të fortë ligjor nuk ka perspektivë, nuk ka ekonomi e as investime të huaja “, është shprehur ai.
Halimi: Në mungesë të sundimit të ligjit, bizneset e huaja po tërhiqen nga Kosovë
“Kjo situatë e të bërit biznes është një realitet që po e fundos ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës, andaj edhe është emergjente që të merren masa nga Qeveria aktuale përmes mekanizmave të saj, po ashtu edhe drejtësia në vend.
Në të kundërtën, praktika e tashme e të bërit biznes shkon në mullirin e atyre shteteve që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës, kështu që patriotizmi më i madh është funksionimi i shtetit ligjor. Kërkohet nga Qeveria ‘Haradinaj’ që t’i kryejë detyrat ligjore, sepse ata edhe marrin paga nga taksapaguesit për krijimin e sigurisë e zhvillimit normal të jetës dhe të bërit biznes në një konkurrencë të plotë dhe fer. Kjo, ngase praktika e pashkruar e të bërit biznes, por, për fat të keq funksionale, e ka dëmtuar si nga ana ekonomike dhe në imazh Kosovën në nivel ndërkombëtar, duke bërë që shumë biznese të huaja të tërhiqen nga Kosova, po ashtu edhe shumë biznese vendore të falimentojnë si rezultat i mafio-oligarkisë në vend. Tashmë është koha e fundit që kjo
Qeveri të ndalojë që këto para më të mos vidhen, mos të zhvaten, keqpërdorohen , si dhe të ndërpritet tradita e vjetër që t’u jepen rroga njerëzve të politikës dhe familjarëve e klaneve të politikanëve që zënë vend në administratën shtetërore. Prandaj, kjo traditë vërtet është për keqardhje që në Kosovë, për afro 20 vjet, pushtetarët e të dyja niveleve nuk i frikësohen ligjit, duke zhvatur, duke vjedhur e duke keqpërdorur kështu në baza ditore pa asnjë problem paratë e tatimpaguesve, duke e cilësuar veten se janë mbi ligjin”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, eksperti i çështjeve ekonomike, Sejdi Halimi
Grapci: Bizneset private e kanë problem të mbijetojnë pa dhënë haraçin
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, theksoi se bizneset private, që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale dhe që paguajnë taksa, këto biznese e bëjnë këtë me vetëdije të plotë, duke e ditur dhe duke shpresuar se një ditë gjithë këtë mundim që e kanë bërë, gjeneratat e reja në të ardhmen mos të jenë viktimë të këtij sistemi kriminal.
“Tani, edhe pse kanë kaluar 20 vjet, harxhimet publike nuk kanë të ndalur nga pushtetarët tanë si dhe keqpërdorimi i parave të taksapaguesve tashmë në Kosovë është bërë një gjë normale, prandaj për t’u ndalur ky skandal, duhet gjithsesi të ndryshohet kjo Qeveri dhe sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sektori i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik ka degraduar në Kosovë me një temp shumë të shpejtë. Por, ky degradim është rritur thuajse për 20-35 për qind viteve të fundit, që do thotë 20-35 për qind të bizneseve private janë mbyllur shkaku i nëntokës kriminale. Por, e them me vetëdije se pronarët e kompanive private janë vetë fajtorë, për shkak se ata vetë e kanë filluar këtë mënyrë të biznesit, duke u dhënë para pushtetarëve politikë, dhe biznesmenëve me ndikim të lartë institucional”, është shprehur Grapci
(Kosova Sot)


