Aktivizohet nga stoli dhe i shënon dy gola, Mehmedi ia siguron fitoren Wolfsburgut
Admir Mehmedi e ka dëshmuar se e meriton një vend në formacionin e parë të Wolfsburgut, me paraqitjen e tij të mrekullueshme në ndeshjen kundër Monchengladbachut.
Skuadra e Mehmedit e fitoi këtë ndeshje me rezultat 3:0, mirëpo deri në minutën e 64-të, kur përfaqësuesi i Zvicrës hyri në lojë, ata kishin qenë në rrezik ta humbin epërsinë 1:0 që e kishin, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, vetëm katër minuta pasi hyri në lojë, Mehmedi u sigurua që skuadra e tij t’i shmangej rrezikut, duke e shënuar golin e tij të parë të ndeshjes, që e kaloi Wolfsburgun në epërsi me rezultat 2:0.
Kjo nuk ishte e gjitha për futbollistin nga Gostivari, pasi që ai arrit ta shënojë edhe një gol tjetër, në minutën e 83-të të ndeshjes, pas një pasimi të mirë nga John Brooks.
Mehmedi i ka bërë 17 paraqitje për klubin gjerman këtë sezon, gjatë të cilave i ka shënuar gjashtë gola dhe i ka asistuar katër të tjera. /Gazeta Express/


