Plani për ndarjen e Kosovës ia humb shijen festës së Pavarësisë
Derisa Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi po bëjnë përgatitjet e fundit për shënimin solemn të përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të cilat aktivitete Qeveria ka ndarë 500 mijë euro, analistët politikë, por edhe qytetarët e anketuar janë shumë të padisponuar për të festuar me kënaqësinë e viteve të kaluara.
Qarri: Përveç tendencës së Hashim Thaçit për pazare të ndyra edhe me territorin e shtetit, hije dyshimi mbi përmbajtjen e kësaj platforme për bisedime po hedh edhe mungesa permanente e transparencës
“Pa dyshim, ky është përvjetori më i zbehtë i Pavarësisë së Kosovës që po e presin qytetarët e zhgënjyer e të thyer shpirtërisht, të varfër e të pashpresë, në mes të tjerash edhe për shkak të rrezikut që po i kanoset shtetit të ri nga vetë politika e inkriminuar, që për shumë kohë ka kapur majat e pushtetit, e cila po bën pazare të ndyra edhe me territorin e shtetit për interesa puro-personale. Mosbërja publike për opinionin e gjerë të platformës së bisedimeve dhe mungesa e transparencës rreth këtij dokumenti të rëndësishëm, për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e ekipit negociator, hedh dyshime mbi përmbajtjen e kësaj platforme”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Derisa Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi po bëjnë përgatitjet e fundit për shënimin solemn të përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të cilat aktivitete Qeveria ka ndarë 500 mijë euro, analistët politikë, por edhe qytetarët e anketuar janë shumë të padisponuar për të festuar me kënaqësinë e viteve të kaluara.
Sipas tyre, ku është përvjetori më i zbehtë i pavarësisë së Kosovës, duke pasur parasysh se tani, kur po futemi kinse në dekadën e dytë të shpalljes së shtetit, rreziku që i kanoset këtij shteti vjen pikërisht nga vetë politika e inkriminuar që për shumë kohë ka kapur majat e pushtetit, e cila tani po flet dhe po provon të bëjë pazare të ndyra me territorin për interesa puro-personale!
Përgatitjet që janë duke u bërë për negociata të reja me Serbinë, kinse për të arritur një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, janë krejtësisht jotransparente, sepse Ekipi negociator nuk e ka bërë publike platformën e bisedimeve me Serbinë, në të cilën do të shihej qartë se çka do të bisedohet, a do të ketë pazare për territore, si dhe a do të kërkohet kompensimi i dëmeve të luftës.
Analistët dhe qytetarët kërkojnë madje edhe diskutim publik për përmbajtjen e platformës- dokumentit final të miratuar nga delegacionin shtetëror për bisedime, sepse ndryshe mbajtja sekret, mungesa e transparencës, hedh hije dyshimi mbi përmbajtjen e kësaj platforme, që është një dokument i rëndësishëm për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas analistëve, shqetësimi vjen e bëhet serioz derisa presidenti Thaçi po vazhdon të kërkojë negociata për rishikimin e kufijve, vetëm për t’i shpëtuar Speciales.
Aliu: Mafiozët e mbajnë peng Kosovën
Një përvjetor të tillë të zymtë dhe pa optimizëm që e presin qytetarët e sheh edhe analisti Bislim Aliu.”Pa asnjë dyshim, po shihet në fytyrat e secilit qytetar që gjithsesi, ky është përvjetori më i zbehtë i pavarësisë së Kosovës, që po e presin qytetarët e zhgënjyer, për shkak se veçanërisht tani po i kanoset rreziku i copëtimit nga vetë politika e inkriminuar, e cila për shumë kohë ka kapur majat e pushtetit, dhe po bën pazare të ndyra edhe me territorin e shtetit për interesa puro personale!
Ndaj, unë mendoj që është koha për të hequr dilemat, për t’u bërë gjithçka transparente nga Ekipi negociator, duhet të bëhet publike platforma e bisedimeve ku do të shihej qartë, se çka do të bisedohet. Qytetari duhet ta dijë nëse vërtet do të ketë pazare me territorin, si dhe a do të kërkohet kompensimi i dëmeve të luftës?! Transparenca është më e domosdoshme se kurrë tani, ngase ne çdo ditë po e shohim se si po vazhdon ende presidenti Thaçi të kërkojë negociata për rishikimin e kufijve, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar Speciales nga Serbia! Ndaj, përveç transparencës, rreth dokumentit në fjalë, problematike mbetet edhe përfaqësimi në Ekipin negociator, që udhëhiqet nga dy parti të vogla, ndërkaq njëra nuk është zyrtarisht, sipas KQZ-së, as parti parlamentare, përfaqësimi i cunguar dhe jolegjitim i tipit të Shpend Ahmetit në Ekipin negociator e vështirëson përparimin e Kosovës në dialog me Serbinë.
Po ashtu, mbetet për t’u shqetësuar, ngase kjo platformë mund të kalojë në Kuvend pa asnjë problem, edhe nëse është e pafavorshme për Kosovën, në saje të pazareve paraprake që Shpend Ahmeti i ka bërë paraprakisht me Qeverinë aktuale. Pra, qytetarët po e presin në ankth këtë përvjetor të radhës të pavarësisë së Kosovës, ngase Kosovën po e mbajnë peng, interesxhinjtë e mafiozët, që punojnë vetëm për interesa personale dhe klientelat kriminale e korruptive në vend!”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.
Bandat po e gjymtojnë shtetin
Një mendim të ngjashëm ka edhe analisti Reshat Badallaj.”Pa më të voglin dyshim, ky përvjetor është më i zbehti deri më tani dhe atë krejt me fajin e bandave që e kanë kapur pushtetin pameritueshëm. Qytetarët janë të dëshpëruar dhe as që e kanë menduar se do vijë një ditë që të jenë të pashpresë fare, sepse bandat që nga majat e larta janë duke punuar kundër interesave të vendit dhe qytetarëve të saj dhe për interesa të tyre të shumëfishta personale.
Përpos hajnisë që e goditën këto banda, këta janë duke bërë edhe pazare të pista duke dhënë edhe gjymtyrët e tokave tona që janë mbrojtur dhe është derdhur shumë gjak dhe këta pazarxhinj hajnash e japin si të ishte plakë”, tha Reshat Badallaj. Edhe sipas Badallajt, besimi në këtë Ekip shtetëror të bisedimeve nuk mund të jetë në nivel derisa e kanë futur në lojë edhe:
“Pionin dhe argatin, hajnin dhe matrapazin, Shpend Jahtin e Devollëve, që është me mandate të subjektit tjetër dhe ky merr kinse mandate të flasë në emër të vendit. Edhe dokumenti natyrisht se nuk publikohet, sepse është me hile dhe akt tradhtie që është bërë për interesa personale dhe jo shtetërore, përndryshe po të mos ishte kështu, ajo pa më të voglin hezitim do të publikohej”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.
Qarri: Pazaret e pista të Thaçit
Edhe sipas analistit politik Gani Qarri, përvjetorit të Pavarësisë së këtij viti po ia zbehin rëndësinë dhe kuptimin që duhet ta kenë të gjitha dyshimet për pazare me territore dhe loja e paskrupullt e të parit të shtetit me qitjen në “ankand” të territorit e shtetit për interesa puro-personale. Kjo ka bërë që ky të jetë përvjetori më i zbehtë i pavarësisë së Kosovës, të cilin qytetarët po e presin më të zhgënjyer se kurrë më parë, për shkak të rrezikut real që po i kanoset shtetit tonë të ri nga vetë politika e inkriminuar, e cila, edhe sipas Qarrit, ka kapur majat e pushtetit në Kosovë.
“Ndërsa ajo që për momentin brengos më së tepërmi opinionin e vendit, është fakti se ekipi negociator ende nuk e ka bërë publike as platformën e shumëpërfolur të bisedimeve me Serbinë, ku do të shihej qartë se çka do të bisedohet, a do të ketë pazare për territore, a do t’i shpëtojë Kosova ndarjes, a do të kërkohet kthimi i mbi 1600 trupave të pagjetur si dhe a do të bëhet kompensimi i dëmeve të luftës, që Serbia pushtuese ka shkaktuar në Kosovë. Madje, përveç tendencës së Hashim Thaçit për pazare të ndyra edhe me territorin e shtetit, hije dyshimi mbi përmbajtjen e kësaj platforme po hedh jo vetëm mungesa permanente e transparencës rreth këtij dokumenti të rëndësishëm për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por veçanërisht vazhdimi i kërkesës çmendurake të presidentit Thaçi për rishikimin e kufijve,vetëm e vetëm për t’i shpëtuar ai vetë Speciales nga Serbia”, theksoi Qarri për “Kosova Sot”.
Ai konsideron se mungesa e legjitimitetit politik të partive që përbëjnë Ekipin e bisedimeve hedh akoma më shumë fije dyshimi në këtë proces, prandaj Qarri kërkon debat publik me qytetarët. “Për aq më tepër, përveç jotransparencës rreth dokumentit në fjalë, problematik më vete mbetet edhe përfaqësimi në ekip që udhëhiqet nga dy parti të vogla dhe nga pushtetarë, të cilët luftojnë për interesa vetjake për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, një përfaqësim i cunguar dhe jo plotësisht legjitim, i tipit të Shpend Ahmetit si bashkëkryesues i ekipit negociator, gjë që e ul prestigjin e Ekipit bashkë me seriozitetin e bisedimeve, si dhe vështirëson përparimin e Kosovës në dialogun me Serbinë”, shpjegoi më tej ai.
“Para se platforma të dërgohej në Kuvend dhe të paraqitej për votim, fillimisht do të duhej t’i nënshtrohej një shqyrtimi publik kur dihet se edhe një ligj i thjeshtë dhe pa ndonjë peshë të madhe, pikësëpari kalon në shqyrtime publike, e pastaj votohet, ndaj një dokument si platforma, me kaq shumë rëndësi për bisedime, medoemos do të duhej, që para së gjithash të diskutohej me qytetarët e vendit. Përndryshe, shpejtësia dhe mënyra me të cilën u bë kjo platformë në terr dhe huti, për dialogun me Serbinë, lë të kuptohet se përmbajtja e saj mund të jetë shkel e shko dhe pothuajse e pavlerë, e që megjithatë pa asnjë problem edhe si e tillë, mund të kalojë në Kuvend, në saje të pazareve që Shpend Ahmeti mund t’i ketë bërë paraprakisht me Qeverinë dhe liderët interesxhinj e mafiozë, të cilët tash e dy dekada me radhë punojnë vetëm për klientelat kriminale dhe korruptive në vend, në mënyrë që ta ruajnë pushtetin dhe të mbajnë sa më gjatë gjithë Kosovën peng”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.
Zeqa: Platforma e bisedimeve, e përgatitur nga ekipi negociator, t’i nënshtrohet një shqyrtimi të gjatë publik
Analisti Florim Zeqa thotë se varfërisë, që ka kapluar qytetarët e Kosovës, në këtë përvjetor i shtohet edhe frika e copëtimit të shtetit. “Pa dyshim, ky është përvjetori më i zbehtë i Pavarësisë së Kosovës që po e presin qytetarët e zhgënjyer e të thyer shpirtërisht, të varfër e të pashpresë, në mes të tjerash edhe për shkak të rrezikut që po i kanoset shtetit të ri nga vetë politika e inkriminuar që për shumë kohë ka kapur majat e pushtetit, e cila po bën pazare të ndyra edhe me territorin e shtetit për interesa puropersonale”, u shpreh ai.
“Mosbërja publike për opinionin e gjerë të platformës së bisedimeve dhe mungesa e transparencës rreth këtij dokumenti të rëndësishëm për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Ekipit negociator, hedh dyshime mbi përmbajtjen e kësaj platforme”, vijoi më tej Zeqa. Sipas tij, përderisa nuk shihet qartë se për çka do të bisedohet, a do të ketë vërtet pazare për territore, si dhe a do të kërkohet kompensimi i dëmeve të luftës, vazhdimi i dialogut ngre dilema dhe shqetësime të arsyeshme të qytetarëve të vendit për epilogun final të bisedimeve.
“Për këtë arsye platforma e bisedimeve, e përgatitur nga Ekipi negociator, do të duhej t’i nënshtrohej një shqyrtimi të gjatë publik dhe për çdo detaj para se të kalojë në Kuvend. Për shkak se kemi të bëjmë me një marrëveshje kapitale për të ardhmen e vendit, e cila nuk mund të rishikohet e as të riparohet më. Edhe përkundër faktit se ligje pa ndonjë rëndësi të madhe kalojnë në shqyrtime publike, është e pafalshme që një dokument i tillë, me kaq peshë të madhe, të mos diskutohet me qytetarët e vendit”, potencoi ai. “Shpejtësia me të cilën është bërë kjo platformë në errësirë për dialogun me Serbinë, lë mëdyshjet se përmbajtja mund të jetë jokualitative, e pavlerë dhe shumë e dëmshme për Kosovën”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
Qytetarët aspak entuziastë
Me disponim të zbehtë, për të mos thënë krejtësisht të padisponuar për të festuar, janë edhe qytetarët, të cilët sa herë që ndezin një TV ose lexojnë një gazetë, janë të bombarduar me lajme që paralajmërojnë rrezikun e ndarjes dhe humbjes së re të territorit, pas humbjes në kufi me Malin e Zi, tani edhe me Serbinë, për çka madje flitet edhe rreth mundësisë së shkëmbimit e copëtimit, duke i dhënë shtetit serb disa komuna, duke rrezikuar pasuritë më të rëndësishme minerare të shtetit të Kosovës.
“Për mendimin tim, ky përvjetor është dhe do të mbahet në mend si përvjetori më i zbehtë që ka ndodhur brenda këtyre 11 vjetëve të shpalljes së pavarësisë. Është shumë e rëndësishme të thuhet që Grupi negociator për këto bisedimet me Serbinë po harton edhe dokumente që nuk e dimë se çka përmbajnë, për t’u futur në bisedime me Serbinë, e në këto bisedime, sipas presidentit Thaçi, opsion është edhe rishikimi i kufijve të shtetit të Kosovës, gjë që nënkupton rrezikun e ndarjes dhe të copëtimit.
Unë mendoj që ky dokument i Ekipit negociator do të duhej të nxirret edhe në diskutim publik me qytetarët, nëse këto bisedime veç po imponohen edhe nga ndërkombëtarët që të zhvillohen me një dinamikë më të përshpejtuar. Vetëm nga diskutimi publik do ta merrte bazën e shëndoshë dhe mbështetjen meritore sipas vlerësimit qytetar, mirëpo ky diskutim publik po shihet që nuk pritet se ka për të ndodhur. Krejt këtë barrë e ka marrë mbi vete Ekipi negociator”, vlerësoi Selver Lenjani.
Sipas tij, mbetet shumë brengosëse ideja e shkëmbimit të territorit apo e ndërrimit, apo për ta kuptuar më së miri, ideja e copëtimit të territorit që duket se tani kjo ide dhe ky projekt ka hyrë në pazar mes Serbisë dhe Kosovës, sepse këtu janë bërë bashkë në një projekt Vuçiqi, Hashim Thaçi, Vladimir Putini dhe një përkrahje të copëtimit të Kosovës po shihet që po ia jep edhe Edi Rama. Festa për përvjetorin e 11-të të pavarësisë së Kosovës është një buzëqeshje e ngrirë edhe për qytetarin Rrahman Emini.
“Ky përvjetor ka dallim shumë të madh prej përvjetorëve të viteve të kaluara, për shkak të këtyre temave që po përmenden çdo ditë, ndërrimi i territoreve, shkëmbimi, rishikimi, korrigjimi e të tjera. Kjo e ka zbehur besoj edhe disponimin e shumë qytetarëve të tjerë, sikurse mendoj unë, sepse e shoh te secili që bisedoj se ata janë tepër të demoralizuar. Edhe ky dokument që po përgatitet nga Ekipi negociator është vetëm hedhje hi syve për neve qytetarët, sepse nuk ka asgjë prej atij Ekipi negociator.
Unë mendoj se derisa është Kushtetutë në fuqi, me Kushtetutë duhet t’i ndalohet secilit që të mos bisedojë për çështjen e territorit, sepse të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani, asnjëherë nuk janë zbatuar, edhe tani në këto bisedime që po shkojnë në Bruksel po më duket që po shkojnë dhe vetëm po shëtisin atje nëpër korridore se nuk janë duke bërë ndonjë gjë tjetër serioze e të besueshme, sepse nuk po besoj që janë duke zhvilluar takime me zyrtarët e lartë të Brukselit, por vetëm me disa këshilltarë të tyre. Unë mendoj që këtu krejt përgjegjësinë dhe fajin e kurdisjes së kësaj situate e ka Hashim Thaçi, sepse ai e ka nisur dhe e ka marrë në dorë këtë proces dhe unë nuk e di pse e çka është puna e tij, veçse po më duket krejt një situatë që po shkon në katastrofë”, potencoi Emini.


