Hidromorava

Milionerëve të politikës t’u hetohen pasuritë korruptive

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë po e përcjellin me shumë shqetësim mënyrën e pasurimit të paligjshëm që nuk po hetohet as nuk po ndëshkohet në shtetin e Kosovës.

Kelmendi: Ligji antimafia godet njerëzit e krimit të organizuar, njerëzit e mafio-politikës, që kanë krijuar rrjetet e tyre të fuqishme kriminale

“Të gjithë të ashtuquajturit politikanë duhet të tregojnë dhe ta dokumentojnë me fakte prejardhjen e pasurisë që e kanë të shprehur edhe në para, edhe në blerje apo shitje të gjerave. Pra, duhet të vërtetohen transferet bankare, si dhe të gjitha pasuritë e trashëguara apo pasuritë e paluajtshme familjare të falura dhe që janë të regjistruara në gjykata apo te noteri”, thotë analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë po e përcjellin me shumë shqetësim mënyrën e pasurimit të paligjshëm që nuk po hetohet as nuk po ndëshkohet në shtetin e Kosovës.

Ata konstatojnë se pushtetarët e Kosovës e kanë gjetur mënyrën se si ta shfrytëzojnë drejtësinë e kontrolluar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, për t’u pasuruar, sepse e dinë që askush nuk i heton e as dënon. Madje, të gjithë kanë bindjen se të hetohet pasuria se si janë bërë të pasur pushtetarët nuk është e vështirë, sepse qytetarët dinë për të gjithë politikanët për pasuritë që kanë brenda e jashtë shtetit..

Mirëpo, nga ky mosveprim del konstatimi sipas të cilit qëllimisht po amnistohet pasuria e fituar në mënyrë kriminale, pikërisht për shkak se drejtësia dirigjohet nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Shqetësimi bëhet akoma më i madh nga dyshimi, sipas të cilit edhe Policia po shfrytëzohet për të mos vepruar e për të mos ndjekur këtë fenomen, derisa ndodhin edhe raste të atilla kur Prokuroria e Gjyqësori e përdorin Policinë vetëm e vetëm për t`i shantazhuar individët e ndryshëm, të cilët politika e inkriminuar nuk i ka nën kontroll.

Në krejt këtë xhungël të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë rezulton se ky sistem po i shërben vetëm nëntokës kriminale dhe politikës së inkriminuar, duke shantazhuar të gjithë “të padëgjueshmit”, ndërkaq sillet në mënyrë paqësore, duke mbyllur sytë para krimit të organizuar të përditshëm.

Pasuritë e dyshimta të verifikohen

Sipas ligjëruesit të së drejtës Blerim Burjanit, çështja e zbardhjes dhe verifikimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm është duke ngecur vetëm nga mosinteresimi dhe mungesa e vullnetit të politikës, e cila po ndikon në drejtësi, sepse të gjitha mundësitë ligjore ekzistojnë për ta bërë këtë. “Verifikimi i pasurisë është i mundur dhe nuk ka asnjë pengesë të vetme për ta arsyetuar mosveprimin.

Çështja e procedurës se verifikimit të prejardhjes se pasurisë bëhet fare lehtë përmes deklarimit që e kanë bërë të gjithë zyrtarët në Agjencinë Antikorrupsion. Çdo pasuri që ka personi dhe që e ka deklaruar, nëse nuk e justifikon prejardhjen, ajo duhet të hetohet dhe të konfiskohet. Kjo është e qartë dhe shumë veprim i saktë që mund të kryhet pa qenë fare në kundërshtim me ligjin”, u shpreh ai. “Të gjithë të ashtuquajturit politikanë duhet të tregojnë dhe ta dokumentojnë me fakte prejardhjen e pasurisë që e kanë të shprehur edhe në para, edhe në blerje apo shitje të gjerave. Pra, duhet të vërtetohen transferet bankare, si dhe të gjitha pasuritë e trashëguara apo pasuritë e paluajtshme familjare të falura dhe që janë të regjistruara në gjykata apo te noteri”, vijoi më tej Burjani.

“Deri më tash nuk ka pasur vullnet institucional për të trajtuar këtë çështje që ndërlidhet me mënyrën e sigurimit të pasurisë, sikur që nuk ka pasur asnjë veprim dhe nuk ka pasur e nuk ka akoma vullnet për ta luftuar korrupsionin, shpëlarjen e parave, zhvatjen e parasë publike përmes shtimit të ministrive dhe zëvendësministrave dhe këshilltarëve, vetëm e vetëm që mënyra e përfitimit të paligjshëm të jetë akoma më e lehtë dhe e mbrojtur nga ndjekja”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Hidromorava

Haziri: Zhvatësit të përgjigjen para ligjit

Sipas analistit Arsim Haziri, është një nga dështimet e mëdha që po e përcjellin drejtësinë kosovare, edhe në këto vitet e paspavarësisë , dhe përkundër kërkesave të faktorit ndërkombëtar për fuqizimin e sundimit të ligjit, pasuria e fituar kundërligjshëm mbetet e patrajtuar dhe e paprekshme. “Pasuritë e paligjshme, përderisa nuk penalizohen, atëherë po ‘legjitimohen’. Është sistemi i tillë, pra që nuk heton padrejtësitë dhe shkeljet që mundëson që të shpërfillen asetet publike.

Dikasteret më relevante të shtetit tonë çalojnë, çalojnë qëllimisht vetëm për të mos i kapur zhvatësit, dhe dominimi i kësaj gjendjeje nënkupton edhe funksionalizimin e krimit. Kosova pothuaj asnjëherë më keq s’ka qenë, ajo përmes mënyrës sesi po udhëhiqet po arrin të jetë e pamundshme për t’i realizuar pritjet e qytetarëve. Luftimi i dukurive negative nuk fillon nga qytetari, ajo duhet nisur nga udhëheqësit ose bartësit e institucioneve publike, më konkretisht nga ata që ka dëshmi të mjaftueshme për shkelje enorme. Krejt çfarë janë duke realizuar politikanët tanë, është minimalizimi më i madh i sektorit ekonomik, dhe orientimi, siç po ndiqet, ka bërë që vendi ynë të migrojë vazhdimisht nëpër vendet perëndimore. Kjo qasje është kundër dinjitetit social, ky orientim është kundër çdo të mire universale”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Ligji antimafia godet të inkriminuarit

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, është krejt joreale nëse pritet që përmirësimi i sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë të bëjë kthesa për miratimin e dy ligjeve të rëndësishme, Ligjit antimafia dhe Ligjit për VETTING-un, që njëkohësisht rezultojnë zbatimi i tyre në dekriminalizimin e plotë të politikës, por edhe të institucioneve të drejtësisë. “Më në fund është koha që Ligjin antimafia duhet ta bëjë kjo Qeveri, por nëse jo, nuk arrin kjo ta bëjë për faktin se po duket që i ka ditët e numëruara, atëherë në rend të parë të bërjes së këtij ligji duhet ta renditë legjislatura e re.

Unë besoj dhe shpresoj që nga aty edhe do të nisin ndryshimet, sepse çka është mjaft… mjaft është”, u shpreh ai. “ Përfundimisht, Kosovës i duhet një ligj antimafia dhe derisa nuk pret koha që ta bëjë kjo Qeveri, ose nuk kanë vullnet politik, mbetet ta bëjë me patjetër Qeveria pasuese, sigurisht që do ta aprovojë, atë sepse sundimi i ligjit, lufta kundër krimit e korrupsionit akoma po mbeten kusht i rrugëtimit të Kosovës drejtë BE-së.

Nuk do të jetë një veprim aq i lehtë të merret nga politika, sepse kuptohet se ky ligj pikësëpari njerëzit e krimit të organizuar, njerëzit e mafio-politikës, që kanë krijuar rrjetet e tyre të fuqishme kriminale,por sigurisht që do të godet edhe të gjithë ata që nga politika dhe struktura të tjera pasurinë e tyre e kanë fituar kundërligjshëm”, shpjegon më tutje Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, një Qeveri e re, e dalë nga zgjedhjet pasuese, mund ta bëjë këtë, nëse krijohet nga partitë politike të reformuara sadopak dhe të ristrukturuara.

Të korruptuarit, bllokadë për drejtësinë

“Ligjit anfimafia i frikësohen të partitë politike që tani për tani janë pa dallim të inkriminuara, kush më shumë e kush më pak, qoftë në pozitë apo në opozitë, ngase njerëzit e tyre të nivelit të lartë do të mundë të jenë të parët në shënjestër të Ligjit antimafia për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Unë po e them këtë me bindjen e plotë, duke ditur se në Kosovë ka mjaft nga njerëzit e politikës, qoftë krerë të drejtimit të partive politike apo në përbërje të ‘eskortës’ së parë, që janë pasuruar kundërligjshëm.

Pra, ky ligj godet pikësëpari ata. E tani ata duke ditur efektet e këtij ligji dhe ku ai godet pikësëpari, ka ndodhur që për vite të tëra deri më tani ky ligj është përfolur,por është bllokuar dhe nuk është lejuar të miratohet. Bllokimi nuk ka qenë i rastësishëm nga ndonjë grup i veçantë i interesit, i lidhur me krimin e korrupsionin, por ka qenë dhe vazhdon të mbetet i koordinuar nga krimi i lidhur me politikën dhe përfaqësuesit e tij qoftë në Qeveri apo në Kuvend, prandaj tash kjo Qeveri duhet të tregojnë se vullnetin e saj politik për ta bërë Ligjin antimafia, nëse i premton koha, sepse është me interes për vendin. Përndryshe, presioni mbi Qeverinë tjetër do të jetë shumë më i madh, besoj edhe nga shoqëria civile vendore, por edhe nga vetë faktori ndërkombëtar”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)