Fundamenti

Subvencionet për bujqit përfundojnë në xhepat e mafio-oligarkëve

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Përfaqësues të Sindikatës, deputetë aktualë dhe ish- deputetë e ekspertë të ekonomisë theksojnë se institucionet nuk po e bëjnë auditimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë ku “bujqit” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla ose fare në fushën e bujqësisë.

Guraziu: “Bujqit ” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla apo nuk investojnë fare në bujqësi

“Në emër të Sindikatës së Bujqve kam kërkuar disa herë zyrtarisht nga ZAP-i, që të bëhet auditimi i subvencioneve për bujqit tanë, por kërkesa ime ka hasur në veshë të shurdhër. Edhe nga Prokuroria e Kosovës kam kërkuar po të njëjtën gjë, që të bëjnë një hetim të detajuar në këtë Ministri, por deri më sot nuk kam marrë përgjigje. E keqja tjetër është se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Bujqësisë po i fshehin nga Sindikata të dhënat e shfrytëzuesve të subvencioneve, me çka edhe po fshihen keqpërdorimet e tyre. Të gjitha kërkesat tona kanë shkuar huq, sepse sharra ka hasur në gozhdë, ngase tashmë po duket qartë se edhe këto institucione janë të ndikuara nga politika ditore”, thotë për gazetën “Kosova Sot” kreu i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri

Përfaqësues të Sindikatës, deputetë aktualë dhe ish- deputetë e ekspertë të ekonomisë theksojnë se institucionet nuk po e bëjnë auditimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë ku “bujqit” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla ose fare në fushën e bujqësisë.

Sipas tyre, e tëra kjo po ndodh, ngase ato para më nuk po i kontrollon askush se si janë shpenzuar dhe në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, ato po shkojnë në xhepat e mafio-oligarkëve dhe rrjetit të tyre të inkriminuar politikë, e deri në kriptovalutat. Shtrohet pyetja se përse Prokuroria nuk po heton se si po jepen subvencionet në bujqësi, kujt po i jepen dhe sa po përfitojnë bujqit e vërtetë.

Kreu i Sindikatave të Bujqësisë Tahir Tahiri, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se në emër të Sindikatës së Bujqve që e drejton ka kërkuar disa herë zyrtarisht nga ZAP-i që të bëjnë auditimin e subvencioneve për bujqit tanë, por kërkesa e tij ka hasur në veshë të shurdhër. “Edhe nga Prokuroria e Kosovës kam kërkuar po të njëjtën gjë, që të bëjnë një hetim të detajuar në këtë ministri, por deri më sot nuk kam marrë përgjigje”, është shprehur Tahiri. Sipas tij, e keqja tjetër është se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Bujqësisë po i fshehin nga Sindikata të dhënat e shfrytëzuesve të subvencioneve me çka edhe po fshihen keqpërdorimet e tyre. ” Të gjitha kërkesat tona kanë shkuar huq, sepse sharra ka hasur në gozhdë, ngase tashmë po duket qartë edhe këto institucione janë të ndikuara nga politika ditore. Megjithatë, unë sërish do të bëjë kërkesa në ZAP dhe në Prokurori që të nisin këto hetime dhe nuk do të dorëzohen derisa ato të fillojnë, sepse fundja, se ka keqpërdorime të këtyre subvencioneve në këtë Ministri të Bujqësisë dhe Agjenci Bujqësore e ka konfirmuar edhe z. Ramush Haradinaj“, është shprehur ai.

Lajçi: Keqpërdorimet bëhen nga mospërcjellja e shfrytëzuesve të granteve

Ndërsa, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Ali Lajçi (LVV), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se gjeneza e keqpërdorimit të këtyre granteve qëndron se Ministria e Bujqësisë qëllimshëm nuk po e përcjell se kush po i shfrytëzon dhe si po implementohen këto grante. “Deri më tani politikat bujqësore nuk kanë qenë adekuate në raport me interesin e vendit e të fermerëve. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB-ja), po shihet se është e manipuluar me këto grante dhe ato po dështojnë, ngase nuk ka një studim të fizibilitetit se sa do të prodhojnë vende pune dhe sa do të ketë rritje të kapaciteteve prodhuese në vendin tonë me ndarjen e këtyre granteve”. Sipas Lajçit, në shumicën e rasteve deri tash grantet dhe subvencionet u dhanë përmes lidhjeve të individëve të caktuar nga politika dhe që nuk kanë lidhje e nuk merren fare me bujqit e në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë nuk po e përcjell implementimin dhe qëndrueshmërinë e këtyre granteve dhe subvencioneve me analiza dhe veprime konkrete. “Përfituesit nuk kanë mbështetje konkrete në fazën e implementimit. Që nga pas lufta e deri më sot, politikat në sektorin e bujqësisë duhet që të ndryshojnë rrënjësisht e në themel, në mënyrë që të arrijmë atje ku dëshirojmë, sepse bujqësia do të mund të ndryshonte edhe raportet e eksportit dhe importit. Kosova po importon me miliona euro mallra për konsum dhe ushqim dhe ato produkte, por edhe ato të bujqësisë nuk janë cilësore, por janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Prandaj, nëse arrijmë që t’i ndryshojmë politikat e bujqësisë, kjo do të ishte një punë e mbarë, ngase bëhet fjalë për një siguri nacionale. Prandaj, Komisioni për Bujqësi duhet të monitorojë nga afër se çfarë po ndodh me këtë keqmenaxhim të mëtejmë të këtyre fondeve“, është shprehur ai. Shton se disa nga “bujqit” i marrin paratë dhe në shumë raste nuk po bëjnë investime në bujqësi.

Mobi Casa

Halimi: Në shumicën e rasteve, donacionet u jepen të afërmeve me pushtetin

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi për gazetën “ Kosova Sot” ,thotë se nuk ka asnjë dyshim se ZAP-i ka nevojë imediate që të bëjë një auditim të subvencioneve. “Duke nisur nga pas lufte e deri më sot, në Ministrinë e Bujqësisë është krijuar një traditë e brishtë, ngase zyrtarët e kësaj ministrie po i vjedhin dhe po i zhvatin paratë e granteve dhe subvencioneve që janë të dedikuara për bujqit tanë. Derisa shtetet e tjera subvencionojnë prodhimin e tyre, përkatësisht fermerët, me mënyra të ndryshme që ata të jenë të barabartë dhe pse jo të dalin me çmime konkurruese në vendin e tyre edhe jashtë vendit, në vendin tonë ndodh një fenomen tjetër”, është shprehur ai. Sipas Halimit, derisa Qeveria e Kosovës i ka ndarë milionat për bujqësi dhe një gjë e tillë është e vërtetë, por shtrohet pyetja se si po shpërndahen ato grante dhe subvencione te fermeri. “Asnjë euro nga pushteti kosovar i mëhershëm, por edhe këta të tanishmit nuk i jepet fermerit të vërtetë. Në shumicën e rasteve këto donacione-grante u jepen personave të afërm me pushtetin, të cilët as që e kanë idenë se si punohet në bujqësi dhe se kurrë në jetën e tyre nuk janë marrë me këtë veprimtari. Fermeri i shkretë i Kosovës po e heq të zitë e ullirit gjatë tërë vitit dhe në fund shteti jo që nuk e mbron, por edhe kushte elementare për punë nuk krijon dhe fajtorë për këtë janë analfabetët me diploma, që në emër të luftës uzurpuan dhe degraduan gjithçka. Të gjitha këto vërejte që u thanë e imponojnë auditimin e menjëhershëm të ZAP-it në këtë ministri”, është shprehur ai.

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se mungesa e një auditimi të subvencioneve në fushën e bujqësisë, ka bërë që paratë dedikuar bujqësisë po keqpërdoren. “Ato para, në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, ato para po shkojnë në xhepat e mafio-oligarkëve. Prandaj, këtu edhe doemos po shtrohet pyetja pse nuk bëhet auditimi i subvencioneve në fushën e bujqësisë. Në këtë sektor, deri tani shumica e “bujqve” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla apo kurrfare në bujqësi, sepse ato para më nuk i kontrollon askush se si janë shpenzuar. Veç saj, që e keqja të jetë më e madhe, ato para në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë, ato para po shkojnë në xhepat e mafio-oligarkëve ku krijohen humbjet në bujqësi dhe me këtë rast po përfitojnë jo ligjshëm mafio-oligarkët”, është shprehur ai. Sipas Guraziut, derisa nuk bëhet auditimi i subvencioneve në fushën e bujqësisë, do të vazhdohet me avazin e vjetër, ku shumica e “bujqve” marrin paratë dhe bëjnë investime të vogla apo kurrfarë investimi në bujqësi. Ai tutje ka shtuar se Prokuroria nuk po heton raste se si po jepen subvencionet në bujqësi, kujt po i jepen dhe sa përfitojnë bujqit e vërtetë dhe për këtë arsye po vazhdohet të shkatërrohet bujqësia e Kosovës.

Neziraj: Vendi nuk përfiton me keqpërdorime grantesh

Ish- deputeti Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ZAP-i duhet të bëjë auditimin e subvencioneve, sepse nga praktika e deritashme është vërtetuar se sektori i bujqësisë, por as vendi ynë, nuk mund të përfitojnë me keqpërdorin e fondit të granteve dhe subvencioneve. “Mbështetja e të afërmve dhe militantëve partiakë dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtetë po i dëmton fermerët e vërtetë që po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve. Është për çdo kritikë mënyra e deritashme shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve dedikuar fermerëve që po bëhet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ka pasur shumë raste kur përfituesit e këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore. Në cilësinë e deputetit të dikurshëm të Kuvendit, vlerësoj se ZAP-i duhet që të formojë një grup pune që do të hulumtonte keqpërdorimet e këtyre granteve dhe subvencioneve dhe më pas për punën e tyre të raportojnë në Kuvendin e Kosovës, ndryshe dilemat nuk hiqen ato mbesin “, është shprehur ai.

Grapci: Politika e inkriminuar me vizion të paqartë për bujqit e Kosovës

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se nuk ka dyshime se ka keqpërdorime të subvencioneve dhe granteve që nga pas lufta, prandaj edhe imponojnë nevojën e një auditim të ZAP-it. “ Pa dyshim se këtu fajtore është edhe politika e inkriminuar me një vizion krejt të paqartë për bujqit e Kosovës. Sepse, grantet duhet të ndahen si duhet dhe kjo nuk po ndodh në Kosovë. Si duket, po përfitojnë ata që nuk kanë të bëjnë fare me bujqësi, por janë në punë. Akuzat që po bëhen me të drejtë nga kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, janë të drejta.Por, këtu shtrohet pyetja se përse po heshtin ZAP-i dhe Prokuroria e Kosovës që të ndriçojnë këto abuzime me këto para të shtetit dhe të dënohen fajtorët”, është shprehur Grapci.

(Kosova Sot)