Fundamenti

Drejtësia e kapur e shtriu për vdekje shtetin ligjor

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim të madh dështimin e këtij sistemi dhe faktin se si e kanë humbur qytetarët tërësisht besimin në drejtësinë kosovare, sepse edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen po marrin epilog të padrejtë.

Preteni: Gjyqësori i Kosovës duhet t’i zbresë flamujt në gjysmështizë

“Pushteti, drejtësia dhe ligji u bënë instrumente në duar të politikanëve të korruptuar. Ligjin e bënë mburojë të krimit të organizuar, që sot fshihet në politikë dhe aspak në nëntokë, pasi për punët e nëntokës kujdesen oligarkët e politikanëve që në fakt janë vetëm kukulla të krimit të organizuar, që u shërbejnë vetëm për t’ua menaxhuar pasuritë e fituara me hajni dhe me korrupsion, por edhe për pastrimin e parave. Prandaj, qytetari ynë sot nuk ka shpresë, pasi e ka humbur edhe atë në padrejtësi dhe duke jetuar nën thundrën e shtetit të korruptuar dhe të kapur nga mafia”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim të madh dështimin e këtij sistemi dhe faktin se si e kanë humbur qytetarët tërësisht besimin në drejtësinë kosovare, sepse edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen po marrin epilog të padrejtë.

Është e pamundur të bëhet tani një përllogaritje se sa humbin qytetarët nga proceset e padrejta që zhvillohen nga ata që duhet të ndajnë drejtësi, siç ishte edhe rasti i fundit në Shqipëri me gjykatësin që kërkoi madje edhe favore seksuale dhe ryshfet, por që një gjendje e tillë që kemi në gjyqësorin e Kosovës në pikën zero të pavarësisë dhe drejtësisë që ofrohet tregon se raste të tilla ndodhin edhe tek ne, vetëm se këtu nuk ka emisione “STOP” e “As Fiks fare” për të denoncuar rastet, ndonëse sistemi gjyqësor nuk është aspak kredibil dhe raste të tilla ndodhin shumë, por mbesin pa u zbuluar kurrë. Shërbyesit e politikës po e shkatërrojnë drejtësinë Sipas analistit Arsim Haziri, dështimi historik i drejtësisë kosovare vjen edhe si pasojë e ngufatjes nga joprofesionistët dhe nga familjarizmi i instaluar aty në masë ekstreme. “Profesionalizmi në sistemin e drejtësisë nuk është prezent sa duhet e kërkohet.

Ai pamundësohet qëllimisht nga individë të caktuar, ose shërbyes të politikës, me të vetmin pretekste që garda e parë, pavarësisht së çfarë bën, assesi të mos jetë subjekt i ndonjë gjykimi eventual. Sistemi i vlerësimit i njohur si Vetting assesi s’po shihet i arsyeshëm si praktikë për vendin tonë. Ky proces arrin të zgjojë nivelin e profesionalizmit, të parandalojë funksionimin e masës klienteliste, rrethit kriminal. Sistemi i drejtësisë sikur të merrte parasysh profesionalizmin, mosndikimin politik dhe mbi të gjitha integritetin moral, ndryshe do të reflektohej veprim në terren i gjykatave e prokurorëve. Janë shumë raste të cilat pasqyrojnë më së miri funksionimin e sistemit të drejtësisë, prej atyre individuale, e deri tek ato kolektive, duke përfshirë këtu edhe disa liderë e politikanë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Arsim Haziri.

FIDANISHTJA

Zhvatja e pandërprerë e buxhetit Sipas profesorit të së drejtës, Blerim Burjani, nuk mund të ketë drejtësi të drejtë, efektive e të pavarur, derisa nuk ka disiplinë, rend dhe ligj brendapërbrenda vetë institucioneve ligjzbatuese – prokurorive, gjykatave dhe policisë hetimore. “Qytetarët e dinë se kjo drejtësi është selektive dhe problemi më i madh është korrupsioni, që nuk po ndiqet fare penalisht nga prokuroria, prandaj nuk ka rend dhe ligj në asnjë segment të funksionimit të shtetit. Është më i paprekshmi profili i lartë politik apo thjesht këta që po thonë se po merren me politikë, e po bëjnë zhvatje të buxhetit të qytetarëve, prandaj miliona euro shpenzohen kot. Për mendimin tim zhvatja është vepër penale, e kjo zhvatje ka të bëjë edhe kur bëhet kështu me letra e në mënyrë të hapur, duke instaluar 21 ministra e mbi 80 zëvendësministra e 90 këshilltarë politikë në kabinetin qeveritar. Të gjitha këto veprime janë vetëm zhvatje e buxhetit, keqpërdorim i detyrës zyrtare, duke nxjerr vendime politike që dëmtojnë buxhetin, që varfërojnë ekonominë dhe rrisin varfërinë ekstreme, që ndalin investimet dhe ndikojnë në ulje të mundësive të reja të punësimit”, është shprehur analisti Burjani për gazetën “Kosova Sot”

Miftari: Qindra-mijëra dosje dhe procese gjyqësore humbën

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, vlerëson se qytetarët tanë kanë pasur shpresa të mëdha se pas okupimit, kur trokiti liria edhe për popullin shqiptar të Kosovës, që së paku tani në liri do të funksionojë ligji e drejtësia dhe Kosova do të zhvillohet ekonomikisht, por edhe do të përparojë si shtet juridik i barabartë për të gjithë si shoqëri e dalë nga lufta e përgjakshme, por realisht këto ishin vetëm shpresa dhe ëndrra. “Por kjo nuk ndodhi, nuk u bë drejtësi e mirëfilltë, pas luftës filluan hajnitë dhe plaçkitjet e pasurisë shoqërore, por edhe private, në fillim ishin individuale, por kur u konsolidua pak a shumë shteti vjedhjet dhe plaçkitjet e pasurisë kombëtare u bënë “institucionale”, pasi pikërisht ata që ishin në politikë dhe pushtet, ata që e kishin detyrë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e shtetit e të pasurisë së Kosovës, pikërisht ata njerëz e vodhën dhe e plaçkitën vetë. Pas luftës korrupsioni dhe krimet u bënë “vepra patriotike”, u instalua kriminaliteti në gjykata, polici, prokurori, Parlament dhe Presidencë. Edhe partitë politike u mbushën me udbashë dhe hajna të uritur që politikën dhe pushtetin e përdorin për ta mbrojtur veten, pra për ta mbrojtur vetveten dhe me këtë dhe krimin e organizuar ekonomik e politik, pasi koka e krimit është instaluar jorastësisht në politikë dhe pushtet. Qindra e mijëra dosje dhe procese gjyqësore humbën, u devalvuan apo u komprometuan, ku shkelej sistematikisht e drejta e qytetarit e punëtorit dhe studentit, nxënësit”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Preteni: Dështuan faqezinjtë e sistemit tonë të drejtësisë

Hasan Preteni, ish-drejtues i Agjencisë Antikorrupsion në dy mandate dhe njëherësh ishepror ushtarak i karrierës dhe luftëtar lirie, ish-epror edhe në TMK, thekson për “Kosova Sot” se për shkak të dështimit të drejtësisë kosovare në ofrimin e drejtësisë së pavarur dhe profesionale, për krimet pa dallim, të luftës e të paqes, krimet me motive politike dhe ekonomike, që nga sot gjyqësori i Kosovës duhet t’i zbresë flamujt në gjysmështizë, sepse nuk e pati dhe nuk e ka as guximin dhe as kurajën që të merret seriozisht me zbatimin profesional e të pavarur të ligjit! “Më vjen shumë keq për çlirimtarët tanë që në shënimin e 20- vjetorit të lirisë duhet të dëshmojnë pafajësinë diku jashtë Kosovës. Me vjen keq-inat prej të gjithë atyre që sot “po festojnë” për çlirimtarët tanë. Lufta ishte e shenjtë dhe e drejtë. Në çdo luftë, edhe në ato që udhëhiqen nga institucionet e rregullta shtetërore, mund të ketë gabime, po gabojmë shumë edhe në paqe e jo në luftë, kur ballafaqohemi me viktima, me plagosje, me humbjen e më të dashurve. Konventat e Gjenevës nuk i dinë as gjeneralët e shteteve të NATO-së. Lufta çlirimtare është diçka e veçantë, i prijnë patriotët, fshatarët dhe shtresat sociale jo të konsoliduar. Nuk presin tanke e aeroplanë, por edhe me pushkë gjuetie dalin para tankut. Çlirimtarët tanë nuk kanë bërë krime lufte. Kjo është e sigurt! E vërteta është e pakontestueshme. Disa nga çlirimtarët tanë pas lufte ishin aktorë, fatkeqësisht, të disa veprimeve joetike. U dhanë pas pronës dhe pasurisë, kjo është e keqe që nuk e karakterizon vetëm Kosovën dhe shqiptarët. Mos shkoni më larg, shikoni shtetet e ish-Jugosllavisë! Për krimet e luftës përgjigjen aktorët menjëherë pas luftës. Haga është një shembull i tillë. Të ftuarit e Hagës nuk janë kriminel të luftës. Për ata që devijuan pas luftës është dashur të jenë kompetente prokuroritë e vendit. Politika i zaptoi, por ata ishin të gatshëm për këtë. Pse çlirimtarët po shkojnë në Hagë, përgjegjësia bie mbi faqezinjtë e “institucioneve të drejtësisë në Kosovë”. Komandantët nuk janë kriminelë lufte, ndonëse disa prej tyre dështuan në paqe, por për këto vepra është dashur të ndiqen nga vendorët. Po përsëritet historia e Al Kapones, e kapi shtetin por u dënua për evazion fiskal. Çlirimtarët tanë nuk janë kriminelë, por disa nga çlirimtarët dështuan pas lufte. Mirëpo dështimi në luftën për të bërë shtet nuk duhet dënuar si vepër në veprimet për liri. Ishkryeprokurorë, ish-prokurorë, prokurorë të tanishëm, për ju Kosova do të organizojë një gjykim të veçantë, mjerë ju për sjelljet tuaja. Ju jeni kriminelë të pasluftës”, theksoi analisti Hasan Preteni për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)