Pa u ndëshkuar regjimi, nuk vjen shpëtimi
Kosova, e rrezikuar seriozisht nga largimi i popullatës
“Shpëtimi i vetëm i qytetarëve të Kosovës do të jetë ndëshkimi i këtyre sundimtarëve përmes votës së lirë, ngase përderisa kjo kastë e sundimtarëve të jenë në pushtet, e them lirshëm se Kosovën e presin ditë edhe më të rënda dhe varfëri edhe shumë më e madhe dhe një vazhdim i izolimit ndërkombëtar, ngase me këtë garniturë sundimtarësh nuk ka integrime në BE dhe lëvizje të lirë”, thotë deputeti Ali Lajçi për “Kosova Sot”.
Degradimi politik dhe shtetëror e ka demotivuar edhe votuesin kosovar, që më nuk ka interes për këto parti të inkriminuara. Sipas analistëve politikë dhe deputetëve të opozitës, vlerësohet se partitë aktuale në Kosovë janë në një krizë të elektoratit. Qytetarët janë lodhur dhe e kanë humbur durimin me të gjitha këto parti politike, që asnjëra prej tyre apo shumica syresh nuk punoi për ta, por vetëm për vete dhe për nëntokën kriminale. Lidhur me çështjen, analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ky është një zhvillim i natyrshëm.
“Aty ku nuk mund të jetohet mirë, dhe ekzistojnë vende të tjera ku jetohet më mirë, është idiotësi të këmbëngulësh për të qëndruar, nëse nuk mund ta përmirësosh gjendjen. Populli ynë është para sfidës: të qëndrojë në vend të tij apo të shpërndahet nëpër botë! Gjatë historisë janë zhdukur shumë popuj që nuk kanë qenë në gjendje të mbijetojnë në vendin e tyre apo të përballin pushtimet. Ata që duan të largohen nga Kosova, moti kanë hequr dorë nga përgjegjësia për të votuar, meqë kanë humbur besimin, që me pjesëmarrje në votim mund ta përmirësojnë gjendjen, meqë bandat e krimit të organizuar, që i kanë formuar partitë, e kanë kapur shtetin, dhe vetëm se po riciklohen mes tyre”, potencoi ai.
Shpresa, e zbehtë për zhvillim
Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ikja e tillë e të rinjve është gjëja më e dëmshme për Kosovën. “Papunësia është 37 për qind, kosovarët marrin mesatarisht 170 euro, ku, sipas Bankës Botërore, një e treta e kosovarëve jeton në varfëri të plotë, dhe e gjithë kjo varfëria po e çon vendin drejt arratisë dhe largimit”, u shpreh ai. “Kosova, krahas Shqipërisë dhe Malit të Zi, njihet si epiqendër e prostitucionit, trafikut të qenieve njerëzore dhe tregtisë së armëve, drogës. Krimi i organizuar, por edhe korrupsioni, vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e Kosovës dhe nuk ka vullnet politik dhe këmbëngulësi e instrumenteve të shtetit për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjyqësia ka ngecur prapa në drejtim të zbatimit dhe ndëshkimin e atyre personave, sepse është e lidhur me politika dhe krimin që kanë thyer ligjin në këtë drejtim, ku politika ka lidhje me klanet e fuqishme politike”, potencoi Hertica.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga opozita, Ali Lajçi( LVV), për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se mosndryshimi i gjendjes alarmante, veçanërisht në ekonomi që po mbretëron që nga pas lufta në Kosovë nga të gjitha garniturat e deritashme që sunduan me vendin me të madhe po ndikojnë për të keq në largimin e qytetarëve tanë, e në veçanti në largimin e popullatës së re nga vendi. “Kjo, ngase me shkuarjen e tyre në Perëndim, sikurse që edhe po tregon ikja e tyre, ata edhe po e humbin interesimin e tyre për të votuar në Kosovë”, u shpreh ai. Prandaj, sipas deputetit të opozitës Lajçi, lirshëm mund të thuhet se qysh tani mund të vlerësohet pa hamendje se partitë aktuale në skenën politike të Kosovës do të jenë në një krizë të thellë me mungesë të elektoratit, ngase ka vite që elektorati i Kosovës, i zhgënjyer nga keqqeverisja, tashmë kanë rënë në një apati të thellë dhe të vetmin shpëtim qytetarët tanë e shohin që të ikin sa më larg Kosovës.
Partitë i gëzohen krizës
“E tërë e keqja në këtë migrim është se në anën tjetër partitë politike që janë në pushtet po i gëzohen këtij fakti,pasi të pakënaqurit ndaj sundimit të tyre, që janë shumica e qytetarëve, po ikin nga vendi, ndërkaq në Kosovë po mbesin vetëm një pjesë e qytetarëve servilë që do t`ua japin votën sërish këtyre partive politike që janë në pushtet. E tëra kjo po ndodh, ngase qytetarët nga varfëria e skamja e madhe, që i ka kapluar, janë lodhur dhe të njëjtët edhe e kanë humbur durimin e shpresën se do të bëhet mirë në Kosovë. Kjo edhe na tregon se qytetarët tanë janë tej mase të pakënaqur me të gjitha këto parti politike, pasi asnjëra prej tyre apo shumica syresh nuk punoi për qytetarin, por punuan vetëm për veten e tyre, klanet, militantët partiakë dhe për nëntokën kriminale që ishte dhe mbetet e lidhur me pushtetarët e tashmë”, theksoi Ali Lajçi për “Kosova Sot”.
Të izoluar dhe të varfër
“Tani, duke parë këtë situatë të rëndë ekonomike dhe varfërinë ekstreme, qytetari po largohet nga Kosova për shkak të korrupsionit, varfërisë . E gjithë jeta është se kush nuk është i lidhur me klanet e fuqishme, nuk ka asnjë shans në shtetin e vogël ballkanik të jetojë një jetë normale, një situatë e tillë nuk ka hapa konkrete në përmirësimin e gjendjes, me liberalizimin e shumëpritur të vizave, Kosova rrezikon të përballet edhe me një fluks të migrimit. Çdo vend tjetër i Ballkanit ka përfituar nga regjimi pa viza në Bashkimin Evropian, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në izolimin e tyre, duke u përballur edhe me kushte të rënda ekonomike, me papunësi mbi 37 për qind dhe një sërë problemesh të tjera ekonomike, sociale dhe politike”, u shpreh Ali Hertica për “Kosova Sot”.
Qytetarët, të stërlodhur nga pushteti mashtrues
Veç analistëve politikë, edhe qytetarët thonë se janë të pakënaqur me gjendjen e brishtë në Kosovën e pasluftës, me theks të veçantë në vitet e fundit. Qytetari Rrahman Rrahmani nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka dyshim se gjendja aktuale alarmante dhe mosndryshimi i saj do të ndikojë në Kosovë në largimin i popullatës së re nga vendi. “Prandaj, edhe nuk duhet dyshuar se partitë aktuale politike që janë në skenë në Kosovë, do të vijnë në një krizë të thellë në mungesë të elektoratit, ngase elektorati, pasi ata nga varfëria e madhe që i ka kapluar të vetmin shpëtim po e shohin që të ikin sa më larg Kosovës”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Reshat Salihu, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se e tërë e keqja e këtij migrimi të qytetarëve tanë është se partitë politike që janë në pushtet po i gëzohen këtij fakti,pasi të pakënaqurit po ikin, ndërkaq në Kosovë po mbesin vetëm servilët që do t`ua japin votën sërish. “Andaj, e tëra kjo po ndodh, ngase qytetarët tanë janë lodhur dhe të njëjtët edhe e kanë humbur durimin me të gjitha këto parti politike që asnjëra prej tyre apo shumica syresh nuk punoi për qytetarin, por vetëm për vete dhe për nëntokën kriminale. Prandaj, koha po na tregon se Kosova ka nevojë për një klasë të re politike, që do të punojë në radhë të parë për interesa qytetarësh e jo për interesa të veta të ngushta”, theksoi më tej Salihu.
(Kosova Sot)


