Qeveria e luksit të rrisë pagat e mjekëve dhe mësuesve
Një shofer i kryeministrit paguhet sa një kirurg
“Mantelbardhët dhe mësimdhënësit e Kosovës kanë plotësisht të drejtë që po kërkojnë rritje pagash, marrë parasysh faktin se qeveritarët gjatë vitit që po e lëmë pas, ua rritën pagat vetit për pikë të qejfit 100 për qind, por i rritën pagat edhe të atyre që deshën t’i ndikojnë e që janë sistemi i drejtësisë”, thotë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu(PSD), për gazetën “Kosova Sot”
Kosova po hyn në vitin 2019 me probleme të mëdha sociale. Mijëra mjekë e mësimdhënës kosovarë po kërkojnë rritje të pagave. Nga deputetët opozitarë vlerësohet se mantelbardhët dhe mësimdhënësit e Kosovës kanë plotësisht të drejtë që po e kërkojnë këtë, marrë parasysh faktin se qeveritarët gjatë vitit që po e lëmë pas, ia rriten pagat vetit për pikë të qejfit 100 për qind, por i rriten pagat edhe të atyre që deshën t’i ndikojnë e që janë sistemi i drejtësisë. Sindikatat kanë paralajmëruar radikalizim të grevave, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre. Qeveria ka heshtur deri tash, ndërsa me Projektligjin e buxhetit nuk parashihet një rritje e pagave për sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit. Me gjithë pyetjet e dërguara dhe telefonatat e bëra në adresë të BSPK-së, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Megjithatë, organizatat sindikale mbeten të vendosura të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre, duke e vënë kështu Qeverinë në pozitë të vështirë, por edhe vendin duke e zhytur në një krizë të thellë.
Qeveria i mashtroi punonjësit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu(PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, tashmë dihet botërisht se mjekët e mësimdhënësit kosovarë po kërkojnë rritje të pagave dhe kjo nuk është paraparë në buxhetin e vitit 2019 që është miratuar kohë më parë. “Prandaj, jam i mendimit se Kosova dhe institucionet e saj po hyjnë në vitin 2019 me probleme të mëdha sociale dhe numër rekord të të papunëve me një buxhet që do ta zhvatin skemat sociale dhe pagat hiper të mëdha të kabinetit të mbushur me ministra e zëvendësministra”.Në cilësinë e deputetit që jam mendoj se kërkesat e mjekëve dhe të mësimdhënësve kosovarë për rritje të pagave janë të drejta. Kjo ngase fundja ka qenë edhe vetë kryeministri Haradinaj që në takimin e me krerët e Sindikatës së mantelbardhëve ua ka premtuar rritjen e pagave, por nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë ”, u shpreh ai. “Mantelbardhët dhe mësimdhënësit e Kosovës kanë plotësisht të drejtë që po kërkojnë rritje pagash, marrë parasysh faktin se qeveritarët gjatë vitit që po e lëmë pas, ia rriten pagat vetit për pikë të qejfit 100 për qind, por i rriten pagat edhe të atyre që deshën ti ndikojnë e që janë sistemi i drejtësisë”, vijoi më tej ai. Sipas Salihut, edhe nuk duhet të çuditemi se e kemi këtë gjendje aq të rëndë ekonomike, ngase për çfarë ekonomie mund të flitet në Kosovë, kur tashmë të gjithë e dinë se në Kosovës nuk ka ekonomi të lirë të tregut, por ka zhvatje biznesesh të ndershme. “Buxheti i vendit po shfrytëzohet nga sundimtarët vetëm për zhvatje dhe për lukse të qeveritarëve, ngase ky buxhet po u shërben atyre vetëm për rritje pagash të qeveritareve 100 për qind për pikë të qejfit, ngase në mendjen e pushtetarëve tanë buxheti i qytetarëve shihet vetëm si një burim që duhet shpenzuar pa u lodhur fare për llogaridhënie dhe pa i dhënë fare ndokujt një përgjegjësi”, potencoi ai
Haradinaj ta mbajë premtimin
Lideri i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla në një deklarim të tij për gazetën “Kosova Sot “, thotë se nuk ka asnjë dyshim se mantelardbardhët janë të vendosur në realizimin e kërkesave të tyre për rritje të pagave. “Fundja, ky është një premtim që e ka dhënë kryeministri aktual gjatë takimit që e kemi pasur me të sivjet, por edhe në vitin e kaluar kur e pati marrë këtë post, premtim ky që nuk është realizuar. Mantelbardhët nuk kanë ndonjë alternativë tjetër dhe që nga fillimi i muajit janar të vitit 2019, të gjithë mantelbardhët do të futen në një grevë të përgjithshme deri në realizimin e kërkesave tona për rritje pagash, ngase ato janë premtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj”, u shpreh Syla.
Të rritet financimi në shëndetësi dhe në arsim
Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se në parim kërkesat e mantelbardhëve dhe mësimdhënësve të Kosovës janë plotësisht të drejta kur dihet se pushtetarët dhe kryetari i Qeverisë ia kanë rritur vetes pagën 100 për qind. “Duhet qenë real dhe vlerësoj se pagat në mjekësi dhe në arsim duhet që të rriten paralelisht sipas rezultateve dhe cilësisë së shërbimeve që i ofrojnë në mjekësi dhe në arsim. Pagat e pushtetarëve tanë, sidomos të atyre posteve politike dhe posteve ekzekutive, pagat e tyre duhet që të ulen urgjentisht se janë tepër të mëdha dhe më të larta nga të gjitha qeveritë në rajon”, u shpreh Istogu.
Viti i ri, me protesta e greva
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën” Kosova Sot”, thotë se Kosova po hyn në vitin 2019 me protesta dhe me greva. “Mendoj se pagat tek mësimdhënësit nuk duhet të rriten, kurse mjekët kanë nevojë për rritje të pagave, sidomos ata mjekë të cilët merren me operacione dhe ndërhyrje të shpejta tek pacienti”, u shpreh ai. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se bazuar në faktin se Qeveria e Kosovës ia ka rritur vetes pagat për 100 për qind, na tregon se edhe kërkesat e mjekëve tanë dhe mësimdhënësve janë plotësisht të drejta. “ Kjo, sepse me nivelime tashmë të pagave Kosovës nga dita në ditë po i largohet kuadri i mjekësisë dhe të njëjtët po migrojnë në Perëndim. Edhe kërkesat e mësimdhënësve janë të drejta, sepse ishin po ata mësimdhënës që në vitet e 90-ta e dëshmuan veten me atdhetarinë e tyre, duke qenë shtylla e parë e shtetit të ri të Kosovës. Prandaj, i mbetet Qeverisë “Haradinaj” të marrë një vendim të guximshëm dhe të rrisë rrogat e mantelbardhëve dhe mësimdhënësve kosovarë”, theksoi ai.
Trazirat sociale rrezikojnë stabilitetin
Ndersa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se edhe viti 2019 do të jetë mjaft sfidues për Qeverinë dhe për qytetarët e vendit tanë. “Vendin në vitin 2019 e presin biseda jo të lehta me Serbinë. Gjykata Speciale do të jetë një prej problemeve që do të ballafaqohemi në vitin 2019,por nuk do të mungojnë edhe problemet socio-ekonomike që nuk do të jenë të lehta për qytetarët e vendit. Tani veç kemi paralajmërime se në shumë sektorë do të kemi radikalizim të grevave të punëtorëve në shumë sektorë ku punëtorët nuk janë të kënaqur me punën dhe pagat e tyre, siç është rasti në shëndetësi, arsim,administratë si dhe në disa lëmenj të tjerë të ekonomisë së vendit”, u shpreh ai. Sipas tij, është mirë që njerëzit të paguhen në bazë të meritokracisë dhe punës që e bëjnë e jo të favorizohen grupe të caktuara të interesit.
(Kosova Sot)


