UBT

Qeveria e zhyt Kosovën në borxhe

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Shteti merr hua edhe për Termocentralin e ri

“Garancia shtetërore, që do të merret për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, do të rrezikojë tejkalimin e limiteve të caktuara të borxhit publik, andaj si pasojë e kësaj Kosova do të ngufatet me borxhe publike”, thotë deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot” .

Drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN-së) kanë paralajmëruar se borxhi i publik i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), pas huas që Kosova dhe kompania amerikane “Contour Global” pritet të marrin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Analistë dhe deputetë të opozitës vlerësojnë se me huazimet e reja po rrezikohet buxheti i shtetit nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik. Sipas tyre, kthimi i borxhit publik do të jetë sfida më e madhe për shtetin e Kosovës. Kjo, sepse sipas Ligjit për borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar ditë më parë, e përshkruan se “projekti i Termocentralit “Kosova e Re” mban rreziqe të mjaftueshme fiskale dhe do të mbulonte hapësirën fiskale, duke marrë parasysh frenimin e borxhit në klauzolën e investimeve të rregullave fiskale prej 30 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe lartësinë maksimale të borxhit prej 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Sipas analistëve, garancia shtetëror që do të merret për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re” do të rrezikojë tejkalimin e limiteve të caktuara të borxhit publik, andaj si pasojë e kësaj Kosova do të ngufatet me borxhe publike. Me gjithë pyetjet e gazetarit dërguar në adresën elektronike të Zyrës për Informim të MZHE-së zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkohë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës për mediet vendore pas kësaj vërejtje të FMN-së kanë deklaruar se nuk mendojnë se mund të tejkalohen parametrat e caktuara sipas Ligjin për borxhin publik. Borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në rreth një miliard euro. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik i Kosovës në vitin 2017 ka arritur në 16.6 për qind nga 14.6 për qind sa ishte në vitin 2016. Kosova borxh të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Rreziqet e projektit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga tabori i opozitës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është shumë i drejtë dhe i sinqertë vlerësimi që e kanë dhënë drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN-së) për Kosovë dhe stabilitetin e saj financiar. “FMN-ja, pas huas që Kosova dhe kompania amerikane ‘Contour Global’ pritet të marrin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re kanë paralajmëruar se borxhi i publik i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Vlerësoj se me huazimet e reja po rrezikohet buxheti i shtetit nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik. Prandaj, jam i mendimit se kthimi i borxhit publik do të jetë sfida më e madhe për shtetin e Kosovës”, vlerësoi ai.”Kjo, sepse sipas Ligjit për borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Prandaj, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar ditë më parë, e përshkruan se “projekti i Termocentralit ‘Kosova e Re’ mban rreziqe të mjaftueshme fiskale dhe do të mbulonte hapësirën fiskale, duke marrë parasysh frenimin e borxhit në klauzolën e investimeve të rregullave fiskale prej 30 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe lartësinë maksimale të borxhit prej 40 për qind të Bruto Produktit Vendor”, theksoi Salihu.

Garancitë qeveritare nuk e tejkalojnë 250 milionëshin

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë Dr. Muhamet Mustafa, për gazetën ” Kosova Sot” ,thotë se Qeveria e tashme duhet të tregohet syçelë se cilat projekte të financuara me borxhet e jashtme do të mbështeten, përkatësisht se cila është kamata e kredisë me qëllim që vendi mos të futet e të ngufatet me borxhe të mëdha dhe të papërballueshme. “Borxhet në suaza të limiteve të lejuara me një përkujdesje shumë të madhe,i sigurojnë vendit zhvillim ekonomik. Ndonëse duhet të jemi realë se ndonëse në parimin e ekonomisë, borxhet nuk janë të mirëseardhura, megjithatë borxhet e jashtme janë bërë një imperativ i kohës që të kemi një zhvillim ekonomik, reforma në ekonomi”, u shpreh ai. “Edhe rritja e madhe dhe e shpejtë në investime të mëdha, siç është TC-ja “Kosova e Re”, doemos se është një sfidë për Kosovën në kthimin e borxheve. Por, edhe futja e Kosovës në borxhe të reja të huaja duhet që të rritë kujdesin e shtetit, sepse Qeveria e Kosovës duhet të llogarisin në detaje peshën e këtij borxhi, se kush dhe kur do t’i kthejë këto borxhe”, shpjegoi Mustafa. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi tha për gazetën “Kosova Sot”se nuk mendon se me garancitë që do të lëshojë Qeveria e Kosovës për furnizim me thëngjill dhe me ujë të mjaftueshëm që e përkeqëson ndjeshëm përqindjen e borxhit publik të Kosovës. “Vlera e garancive që Qeveria do të lëshojë në emër të Kosovës, nuk e tejkalon shumen prej 240 milionë eurove”, potencoi ai. Sipas bankierit Abazi, kjo i bie se për projektin e ndërtimit të Termoelektranës,” Kosova e Re”, borxhi publik i Kosovës do të rritej edhe për rreth 3 për qind dhe në total borxhi publik i Kosovës do t’i afrohej shifrës prej 20 për qind të Bruto te Produktit Vendor(BPV-së). “Fatmirësisht, Kosova qëndron shumë mirë me borxhin publik, kështu që ka hapësirë të mjaftueshme për angazhime kreditore ndërkombëtare edhe për projekte të tjera madhore që do të ndikonin në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe të Bruto Produktit Vendor”, vlerësoi Abazi.

ARKATANA

Shahini: Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës, më i ulëti në rajon

Ndërsa lideri i AKBsë Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërejtjet e bëra nga FMNja Qeveria e Kosovës duhet që t’i marrë me seriozitetin më të madhe.Sipas tij, shifrat na tregojnë se borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës vlerësohet më i ulëti në rajon. Kjo, sepse dihet botërisht se dy shtetet tona fqinje, Serbia dhe Shqipëria, janë të parat në rajon sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me mbi 70 për qind të Bruto Produktit Vendor. Ndërsa , pas tyre vjen Mali i Zi me mbi 60 për qind, dhe Bosnja dhe Hercegovina me mbi 40 për qind. “Huazimi i radhës i këtij borxhi nga FMN-ja nuk e rrezikon stabilitetin financiar të vendit dhe vlerësoj se Qeveria ‘Haradinaj’ nuk duhet që të hezitojnë fare që të futen në borxh të ri. Sepse, me ndërtimin e TC-së ” Kosova e Re”, sidokudo do të krijohet një stabilitet energjetik në vend, me çka edhe do të joshen investitorët e huaj, sepse dihet botërisht se njëri nga shkaqet e rënies së investimeve mbetet mungesa në kontinuitet që nga pas lufta e energjisë elektrike”, theksoi Shahini.

GJENERATA TË TËRA DO TË PAGUAJNË BORXHIN

Eksperti i financave i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se borxhi publik në Kosovë në shikim të parë nuk është tepër i lartë, por në esencë është tepër i lartë. “Gjeneratat e ardhshme do të paguajnë pasurimin e këtyre individëve përmes pagesës së kthimit të borxhit dhe të kamatave. Kufizimi që FMN-ja ka bërë për lartësinë e borxhit publik në 40 për qind të Bruto Produktit Vendorë, është i mirëseardhur, sepse ky nivel pritet të arrihet me dhënien e garancisë nga Qeveria për ndërtuesin e Termocentralit të ri. Do të jetë më e lehtë për Prokurorinë që të hetojë një shumë të vetme të madhe që pritet të përvetësohet nga kjo kontratë, sepse do të ketë vetëm numër jo të madh të individëve të përfshirë. Po të ishte shuma e njëjtë, por e përvetësuar nga disa kontrata, numri i individëve të përfshirë do të jetë shumë më i madh dhe në këtë mënyrë më e vështirë për t’u ndjekur. Kur them nga Prokuroria, e mendoj nga Prokuroria e ardhshme dhe jo nga kjo e tanishmja”, u shpreh Meha.

KTHIMI I BORXHIT, SFIDË E VËSHTIRË

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se bazuar në Ligjin për borxhet publike, decidivisht thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. “Prandaj, Qeveria ‘Haradinaj’ duhet pasur kujdes dhe t’i studiojë vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga FMN-ja, sepse edhe ashtu Kosova nga shuma e borxhit të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Kjo edhe është arsyeja se përse rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Sipas ekspertëve, kthimi i borxhit publik do të jetë sfidues për Kosovën”, potencoi Grapci.

(Kosova Sot)