Thaçi, ‘i paprekshëm’
Pas miratimit të rezolutës dhe të ekipit negociator, Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar edhe Projektligjin për kompetencat e këtij delegacioni. Pavarësisht kësaj, kompetencat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi do të mbeten të paprekshme në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Një gjë të tillë e ka pohuar vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, menjëherë pas miratimit të projektligjit në fjalë. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se pos kësaj, ekipi negociator nuk do të mundë ta ndalë as negocimin e idesë për korrigjim të territoreve.
Megjithëkëtë, formimi i këtij ekipi sipas tyre mund të cilësohet si një hap pozitiv, pasi që tash e tutje do të ketë edhe një zë shtesë në procesin e dialogut.
Ndërkaq përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së e LVV-së, të cilat nuk i janë bashkuar këtij procesi vlerësojnë se delegacioni për dialog nuk do të arrijë të bëjë asgjë, veçse t’ia japë legjitimitetin e munguar presidentit Thaçi.


