Eko Higjiena

Fryrja skandaloze e çmimeve, hetohet mafia e naftës

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

AKK-ja dyshon në keqpërdorimin e pozites së monopolit

“Çmimi i derivateve në Kosovë vazhdon të jetë pothuajse më i larti në rajon dhe për këtë nuk ka reaguar askush deri më sot. Duke konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu, do të kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK-ja nga këndvështrimi civil”, u shpreh kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi

Ndonëse në Kosovë derivatet e naftës po vazhdojnë të shiten akoma me çmime më të larta, përkundër rënies së çmimeve në bursat botërore, është për t’u habitur se si Prokuroria e shtetit nuk merret fare me dallaveret në tregun e karburanteve. Sipas njohësve të kësaj fushe dhe deputetëve të opozitës, kjo edhe lë dyshime të mëdha se ka një pakt të fshehtë në mes të kompanive të derivateve të naftës, pasi që shumë nga këto kompani dyshohet se janë të lidhura me pushtetin për të përfituar në kurriz të qytetarëve. Veç saj, qytetarët tanë po ankohen se disa kompani të derivateve po i mashtrojnë klientët e tyre edhe me sasinë që ua shesin në litra dhe shteti nuk po bën asgjë. Prandaj, ekspertët e kësaj fushe pyesin se përse asnjëherë nuk kemi pasur njoftime nga Inspektorati se sa kompani janë ndëshkuar për rritje të çmimit ose mashtrim në litra. Gjithashtu, shtrohet pyetja se përse Prokuroria e Shtetit nuk po merret seriozisht me këto abuzime, ndonëse edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar për monopolet në çmimet me derivatet e naftës. Drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ndërkaq kanë njoftuar se ata do të kërkojnë ndihmë nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të hetojnë së bashku tregun e derivateve të naftës.

AKK-ja paralajmëron abuzuesit

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se do të kërkojnë ndihmë nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të hetojnë së bashku tregun e derivateve të naftës. Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social ‘Facebook’ ka bërë të ditur se njëra ndër pikat që do të hetohet është edhe çmimi i naftës.“Kjo vjen pasi që çmimi i derivateve në Kosovë vazhdon të jetë pothuajse me i larti në rajon dhe për këtë nuk ka reaguar askush deri më sot. Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu, do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku të hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK-ja nga këndvështrimi civil. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 301, citoj: Keqpe?rdorimi i pozite?s se? monopolit: Personi pe?rgjegje?s qe? ushtron një apo me? shume? nga veprimtarite? ekonomike ne? vijim, te? cilat keqpe?rdorin pozite?n monopoliste apo dominuese ne? treg apo ne? nje? pjese? substanciale te? tregut, duke u pe?rfshire? ne? nje? apo me? shume? nga veprimtaritë? ne? vijim, de?nohet me burgim deri ne? tre (3) vjet, ne?se:1.1. ne? me?nyre? te? drejtpërdrejte? apo te? te?rthorte? ve? c?mime te? padrejta te? blerjes apo te? shitjes ose kushte tjera te? padrejta tregtare;1.2. ne? me?nyre? te? drejtpërdrejtë apo te? tërthortë? rregullon çmimet e blerjes apo te? shitjes ose kushtet tjera te? tregtisë”, është shprehur ai.

Akuza për marrëveshje të fshehtë ndërmjet kompanive

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është papërgjegjësi sjellja e tregtarëve të derivateve të naftës dhe vërtet ka ardhur koha që edhe Prokuroria të nisë hetimet dhe të zbardhen dallaveret që po bëhen në sektorin e shitjes së derivateve të naftës në Kosovë, të cilat po shiten me çmime tepër të larta, përkundër rënies së çmimeve të derivateve në bursat botërore.“Nuk duhet të çuditemi fare se përse po ndodh kjo në Kosovë, ngase tashmë po dihet qartë se në mes kompanive të naftës ka një marrëveshje të fshehtë dhe ato qëllimisht nuk hetohen as nga Inspektorati i MTI-së e as nga Prokuroria, ngase shumë nga këto kompani janë të lidhura me pushtetarët që janë ose hisetarë ose aksionarë e disa sish edhe pronarë të këtyre kompanive të derivateve që janë duke përfituar në kurriz të qytetarëve”, vlerësoi ai. Salihu ankohet se që e keqja të jetë më e madhe qytetarët tanë ankohen se disa kompani që merren me shitjen e derivateve të naftës po i mashtrojnë qytetarët tanë në sasinë që u shitet në litra dhe shteti nuk bën asgjë. “Prandaj, ngase janë pjesë e biznesit të pistë të pushtetarëve të tashëm, kjo edhe është arsyeja se përse asnjëherë nuk kemi pasur njoftime nga Inspektorati se sa kompani janë ndëshkuar për rritje të çmimit ose mashtrim në litra. Prandaj, është për keqardhje se përse Prokuroria e Shtetit nuk po merret seriozisht me këto abuzime, ndonëse edhe Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar për monopolet në çmimet enorme të derivateve të naftës”, vijoi më tutje Salihu.

Të formohet Enti Rregullator

KKVITI

Ndërsa lideri i AKB-së (Aleanca Kosovare e Biznesit), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se lëvizjet e shpeshta të çmimeve në treg, përkatësisht ulja apo rritja e çmimit të derivateve, po dëshmon se Kosova duhet që ta ketë një Rregullator të Përcaktimit të çmimit të derivateve të naftës, siç e kanë shtetet në regjion, ku çmimi përcaktohet për rritje apo zbritje nga rregullatori.“Kosova ka nevojë imediate edhe për ndërtimin e një rafinerie të përpunimit të derivateve të naftës, pasi tash e një dekadë jemi shtet i pavarur dhe jemi vendi i vetëm në regjion që akoma nuk ka rafineri të përpunimit të naftës”, u shpreh ai.“Vetëm me një rregullator dhe rafineri të përpunimit të derivateve naftës edhe në Kosovë mund të kemi çmime më të ulëta të derivateve të naftës në të kundërtën kam frikën se çmimet edhe më tej do të jenë të këtilla si janë”, vlerësoi Shahini. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është e drejtë kërkesa e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për uljen e çmimeve të derivateve, derisa kur bëhet fjalë për cilësinë e saj ka vend për përmirësime.“Prandaj, unë besoj se ka ardhur koha që Kosova të ketë rregullatorin e veçantë, sikurse që është ZRRE-ja, për energjinë, për ta licencuar dhe mbikëqyrur çdo kompani që merret me tregtinë e karburanteve, ashtu siç e kanë shumica e vendeve demokratike”, u shpreh më tej ai.“Me formimin e Entit Rregullator të karburanteve do të rregullonte dhe normalizonte njëherë e mirë çmimet e derivateve në këtë lëmi kaq të ndjeshme dhe problematike jo vetëm për ekonominë, por edhe për mbrojtjen e ambientit”, ka thënë Abazi.

Të ndalet krimi me naftën

Ndërsa analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet që urgjentisht të dalë me një vendim të formës së prerë kundër këtyre kompanive kriminale të derivateve të naftës që po e vjedhin popullin, sepse gjithkund në botë ka rënë çmimi i derivateve të naftës, kurse në Kosovë ndodh e kundërta, çmimi i derivateve mbetet i lartë. “Prokuroria e Kosovës duhet që sa më shpejt të merret me ndriçimin e zhvatjes së qytetarëve që janë viktimë e një grupi mafio-oligark, të cilët po mundohen që të përfitojnë 1000 për qind nga xhepat e qytetarëve. E keqja tjetër edhe më e madhe është mashtrimi me litra, si edhe përzierja e naftës me ujë, që si një trend mode ka hyrë në Kosovë pas vitit 2000. Shih për këtë, dua ta them një fakt real, se derisa kemi qenë nën pushtimin e Jugosllavisë, këto gjëra asnjëherë nuk kanë guxuar të ndodhin, kurse sot, që jemi në liri, po e shkatërrojmë njëri-tjetrin, thuajse e kemi hasëm njëri-tjetrin. E keqja është se Inspektorati i MTI-së ose nuk ka kapacitete të mjaftueshme për kontrolluar dhe ndëshkuar këto kompani, ose më mirë të themi se po kanë frikë që ta bëjnë këtë, prandaj inspektorati duhet që ta rrisë bashkëpunim me Policinë, si dhe Prokurorinë e Gjykatat e Kosovës”, theksoi Grapci.

Kompanitë të ulin çmimet

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se i ka pëlqyer veprimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës se duhet filluar hetimet për çmimet e derivateve të naftës.“Kosova është si njëri nga vendet me ekonominë më të dobët në rajon dhe me papunësinë me një përqindje shumë të lartë, andaj duhet shtruar pyetjen se perse atëherë po rritet çmimi i derivateve të naftës. Prokuroria e Kosovës duhet që të ndriçojnë rastin e këtyre çmimeve duke kërkuar ndihmën e MTI-ja duhet që urgjentisht ta gjej një zgjidhje në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës në mënyrë që të parandalohet ndonjë situatë, e cila mund të dalë jashtë kontrollit shumë lehtë në Kosovë. Andaj edhe u bëj apel kompanive të pompave të benzinës që ti’ ulin çmimet, ndryshe qytetarët mund të dalin në protesta paqësore për uljen e çmimit të derivateve të naftës”, u shpreh Halimi.

Sektori kampion për keqpërdorime

Njohësi i kësaj fushe, Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pas kërkesës së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i mbetet inspektoratit të MTI-së, që është përgjegjës edhe për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës, se duhet urgjentisht që të merret edhe me këtë sektor shumë të rëndësishëm, sepse ky është njëri prej sektorëve që nga paslufta, ku tregtia me naftën dhe derivatet e saja ka pasur keqpërdorimet më të mëdha në ekonominë e vendit. “Jo vetëm që çmimi i derivateve është ndër më të lartët në rajon, por edhe cilësia dhe sasia e saj kanë qenë më të dobëtat në rajon, kurse veç saj me naftën dhe derivatet e saja është malli që është kontrabanduar më së shumti. Tani, kur në treg kemi një çmim shumë të lartë, është për t’u habitur se si as pas kërkesës së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk është duke reaguar Prokuroria e Shtetit për këto çmime shumë të larta në tregun tonë. Shtrenjtimi i naftës nuk do të ndikojë vetëm tek ata njerëz që shfrytëzojnë automjetet, por ky çmim i lartë do të ndikojë drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, sepse kostoja e secilit produkt do të jetë më e lartë dhe do të ndikojë në xhepin e secilit konsumator të vendit. Prandaj, MTI-ja duhet të ndikojë me të gjitha masat e edhe në uljen e çmimit të naftës”, theksoi ai.

(Kosova Sot)