Represioni ndaj arsimit shqip në Viti në fillim të viteve 90-ta
Nga Florim Brahimi – Arsimi shqip në vend apo shkolla shqipe ishte një fortesë e rezistencës dhe ngritjes së vetëdijes kulturore, kombëtare e politike të shoqërisë shqiptare. Si e tillë, ajo, ishte çdoherë e atakuar dhe e penguar në zhvillimin e saj. Çdoherë kur merrte hov arsimi shqip përmes aplikimit të politikave dhe planprogrameve shqipe, si dhe çdoherë kur këto politika ngriteshin aq lart dhe merrnin përmasa kombëtare në kultivimin e saj, si përmes hapjes e ngritjes së shumë shkollave poashtu edhe Universitete, vetëdija kombëtare ishte në front të lëvizjes aktive për pavarësi dhe çlirim.
Tema në fjalë paraqet fillet e përpjekjes serbe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe kthimit të saj nën masat e dhunshme, duke i serbizuar të gjitha institucionet e posaçërisht duke tentuar që mësimin shqip t’a kontrolloj përmes aplikimit të dhunshëm të plan-programeve serbe. Në këtë punim kam paraqit disa raste të aplikimit të formave të ndryshme represive, si: ndarjen fizike të shkollave, pengimin e fillimit të procesit mësimor, tendencën për aplikim të dhunshëm të planprogramit serb, dhunës fizike dhe psiqike në shkolla të nxënësve dhe mësimdhënësve të tyre, helmimet e nxënësve etj. Poashtu në këtë punim kam paraqit vendosmërinë e përpjekjeve për zhvillimin e mësimit me planprogram shqip, vendosmërinë e punës në zhvillimin e arsimit shqip përgjatë një dekade si dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare përkundër përpjekjeve të dhunshme kundër zhvillimit të saj.
Represioni serb ndaj arsimit shqip në Viti në fillim viteve `90
Fillimi i zhvillimit të arsimit shqip nën masat e dhunshme
Arsimi shqip në viset shqiptare nën Jugosllavi, vazhdimisht ishte në shënjestër të pushtetit okupues, si një ndër vatrat më të rrezikshme kundrejt pushtetit serbo-Jugosllav, ku populli shqiptar do të arsimohej dhe edukohej si dhe do të vetëdijesohet mbi shtypjen dhe padrejtësitë që i bëheshin dhe u ishin bërë nga ana e pushtetit jugosllav. Me gjithë këtë qëndrim ndaj arsimit e me këtë edhe ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, pushteti okupues nëpër periudha të ndryshme historike u detyrua që edhe arsimin shqip ta shikonte nëpër gishtërinjtë e tij. Për serbët, një shqiptar i arsimuar dhe intelektual nuk mund të mendohet. “Ata (serbet), shqiptarët i mendojnë vetëm si fshatarë dhe punëtorë krahu anembanë Jugosllavisë e veçanërisht në Beograd”.
Përkundër vështirësive të këtilla, arsimi në gjuhën shqipe rritej (zhvillohej), jo aq sa duhej, por prapë nuk ndalej edhe atëherë kur pengohej përgjatë procesit të rritjes dhe zhvillimit.
Në pranverën e vitit 1981, arsimi, por edhe çdo gjë tjetër në viset shqiptare nën Jugosllavi, filloi jo vetëm të pengohej në rritën e tij, por edhe të ngulfatej që edhe të mos nis së vepruari.
Studentët që e vën në lëvizje rrotën historike, që ajo të ecë përpara, ishin ata që do të pësonin nga kjo lëvizje për zhvillimin e arsimit shqip, poashtu do ta pësonin dhe mësuesit e tyre, kush nga rrotullimet e kësaj “rrote” e kush nga shkelja e saj, do të pësonin hiq më pak se nxënësit e tyre guximtar, por edhe shkollarët e tyre të vegjël do të pësonin nga okupuesi, nëse rastësisht në fletoret e tyre do të gjendej ndonjë “K.R” (Kosova Republikë), që ishte shprehje e vetëdijes së zhvilluar të tyre, e shfryrjes së urrejtjes ndaj pushtuesit, por edhe përkrahje e kërkesave të lëvizjes së 81-shit, që shkollarit të vogël do t’i kushtonte me largimin nga shkolla, dënimin e prindit të tyre apo të mësuesve, si dhe gjithë atyre që po ndihmonin ngritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip ne vend.
Në këtë periudhë do të pësonin nxënësit, studentët, arsimtarët, po edhe të tjerët që ishin të lidhur në ndonjë mënyrë me arsimin, pra, do të pësonin kolektivet e shkollave, ku gjendej ndonjë parullë me motive kombëtare, do të pësonin hartuesit e teksteve, ngase në to do të ishte theksuar atdheu i tyre “SHQIPËRIA” apo ndonjë hero i tyre.
Të gjitha pësimet që do të bëheshin nga nxënësit, studentët dhe arsimtarët e tyre, do të rëndonin shkollat shqipe, por më tepër do të rëndonin pushtuesin dhe ekzistuesit e tij, se me gjithë masat ndaj arsimit, me gjithë diferencimet dhe përjashtimet nga shkolla, studimet, puna, me gjithë burgosjet e nxënësve dhe të mësueseve të tyre, rezistenca në shkollat shqipe nuk ndalej, por sa vinte e rritej më shumë, siç ishte rasti, kur nxënësit shqiptar të fshatit Mogillë, kishin bojkotuar procesin mësimor për rreth gati dy muaj, pasi që në këtë shkollë ishin përjashtuar 7 nxënës, për shkak që në hyrje të shkollës kishin brohoritur “Rroftë Azem Vllasi”.
Represioni në shkollat shqipe filloi me përndjekje politike të mësimdhënësve dhe gjithë atyre që ndihmonin rritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në shkolla, duke marr dhe urdhëruar në të ashtuquajturat “biseda informative” si të nxënësve, studentëve dhe arsimtarëve të tyre, me diferencime të ndryshme në shkolla e në fakultete, do të vazhdonte me burgosjen e tërë atyre që kishin bërë “vepër penale apo kundërvajtëse”. Nuk do të kënaqej me kaq, por helmoi poashtu edhe nxënësit, ndërsa kulminacionin e arrijnë me mbylljen e shkollave shqipe dhe ruajtjen me polici nën masa të dhunshme të dyerve të shkollave ku mësohej shqip.
Si në tërë viset shqiptare ashtu edhe në Komunën e Vitisë, me afro 12.000 nxënës të shkollës së mesme dhe atyre fillore, si dhe me afro 500 punëtorë arsimor të ciklit të ultë dhe të mesëm, prej vitit 1981 e deri më fillim të viteve 90’ e duke vazhduar përgjatë një dekade, represioni kaloi nëpër forma e faza të ndryshme, duke filluar nga vrasjet, plagosjet, dënimet me burg për vepra “penale” e “kundërvajtëse”, izolimet, helmimet misterioze të nxënësve nëpër shkolla, përjashtimet nga shkolla, nga studimet e puna, e deri tek masat e dhunës psikike e fizike, nëpërmjet “bisedave informative” në organet e sigurimit, në të cilat “biseda” askush nuk kalonte pa maltretime psikike dhe fizike, vetëm e vetëm për t’i penguar zhvillimet të cilat binin ndesh me qeverinë nën regjim të Serbisë të instaluar në Kosovë.
Qysh në fillimet e saja, menjëherë gjatë vendosjes së masave të dhunshme pas suprimimit të autonomisë “gjendja në shkollat e Vitisë ishte mjaft e rëndë, ku më 28 mars 1990 ende s’kishte filluar procesi mësimor”. Pas vitit 1990, pushteti okupues serb me dhunë i kishte uzurpuar objektet shkollore si dhe larguar nxënësit e tri shkollave në Komunën e Vitisë, si të asaj fillore dhe të mesme në Viti poashtu edhe objektin e shkollës fillore katërklasëshe në fshatin Zhiti, ku nxënësit e këtyre shkollave u dashen të mësojnë nëpër shtëpi – shkolla.
Gjatë okupimit serb, shkolla e mesme “Kuvendi I Lezhës” në Viti, nuk e ndali punën, por e organizoi punën e vetë në 7 punkte dhe atë nëpër objekte private (shtëpi-shkolla) dhe shkolla fillore si në Gjylekar, Beguncë, Kabash, Smirë, Vërban e Stubëll. Pasi që objekti i shkollës së mesme në Viti ishte i okupuar nga regjimi serb, nxënësit nuk u lejuan që të punojnë në këtë objekt edhe përkundër protestave gjithë popullore të cilat u organizuan vite më radhë që nga viti 1991/2/3 etj.
Dhuna dhe represioni ndaj arsimit shqip u shtua në vitet 1990 – 1991, kur ndaj arsimit shqip filloi diskriminimi racial. Pushteti filloi ndarjen (ndarjen fizike) e shkollave. Në mungesë të shkollave, u bë edhe ndarja e nxënësve brenda një shkolle. Në këtë kohë filloi edhe helmimi i nxënësve në shkollat shqipe, ku gjatë këtyre viteve u helmuan 160 nxënës, ku disave prej tyre pasojat u shpërfaqeshin me simptoma të ndryshme edhe më vonë.
Në fillim u ndërpre financimi për mësuesit e klasave të para dhe të pesta të shkollës fillore dhe atyre të para të shkollës së mesme. Për këtë pushteti mori vendimin numër 400-15/91 dhe nr.400-20/91 të datës 02.02.1991 e cila vlente që nga data 01.02.1991.
Më vonë, më 30.05.1991, ndërpritet financimi në të gjitha shkollat shqipe fillore, ku nuk aplikohen plan-programet serbe, vendimi i datës 30.05.1991, që do të vlente nga data 01.04.1991. Mirëpo tek shqiptarët morali kombëtar dhe vetëdija shoqërore ishte e ngritur aq lartë, sa që nuk do ta duronin më represionin serb, duke shfaqur rezistencë aktive, madje edhe në rrezik për jetët e tyre. “Për kundër presioneve, ne ruajtëm, nuk pranuam plan-programet serbe, nuk zbatuam asnjë ligj të Serbisë”, theksonte Muhamet Bicaj, ministër i Arsimit i Republikës së Kosovës në atë kohë. Paraprakisht çështja e plan-programeve shkollore ishte biseduar edhe në Serbi, ku siç kishte theksuar ministri Bicaj “në qershor 1990, ishte një takim në Beograd me disa përfaqësues nga enti pedagogjik i Kosovës, aty kishim qëndrim për mbrojtjen e plan-programeve”. Megjithatë dhuna dhe represioni ndaj Arsimit dhe shkollave shqipe vazhdoi pa ndal.
Në komunat e Kosovës, poashtu edhe në Komunën e Vitisë, vijimi i procesit mësimor ishte bërë pa ndërprerje, ndonëse kishte pengesa dhe tendenca për ndërprerje të sajë.“Për kundër presionit dhe masave të dhunshme, Këshilli Komunal i Arsimit (KKA), poashtu edhe punëtorët mësimor nuk ndërpriten asnjëherë procesin mësimor” theksonte Adem Murati. Mirëpo, krahas zhvillimit të procesit mësimor shqip nëpër të gjitha shkollat e Komunës së Vitisë, si dhe rezistencës aktive ndaj tendencës për imponim të dhunshëm të planprogramit serb në shkollat shqipe, nuk u shpëtua pa reagim represiv dhe aplikim të masave ndëshkuese nga regjimi i imponuar serb të instaluar në vend pas suprimimit kundër ligjor të autonomisë së Kosovës.
Ndër hapat e para si masë kundër shkollave shqipe në Viti u vendos të shkarkohen drejtorët shqiptarë të shkollave fillore dhe asaj të mesme e në vend të tyre të emërtohen ata serb. Shkolla fillore “7 Shtatori” në Tërpezë më vonë ishte ndarë me muri. Nxënësit serb, afro 20 me numër, shfrytëzonin tërë katin e parë të objektit shkollor, ndërsa shqiptarët mbi 300 nxënës, atë të dytin. Kjo formë e aplikuar i vendoste në situata të vështira si nxënësit poashtu edhe personelin arsimor, ku për të shkuar në katin e dytë apo për të zbritur duhej të kalonin përskaj nxënësve serb, në mënyrë që, duke e ditur se shqiptarët këtë nuk do ta duronin dhe do të provonin të ngacmonin ndonjë nxënës serb në atë shkollë.
Po ashtu nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptar do te ndikoheshin nga provokimi, se nxënësit serb dhe mësimdhënësit e tyre kishin kushte më të mira dhe hapësirë të tepruar krahas nxënësve shqiptar që mëzi mbanin mësimet nga hapësirat e pa mjaftueshme për të mësuar krahas numrit të nxënësve që kishin. Me q’rast, nëse do të ndodhte ndonjë ekses do të vihej deri tek “arsyetimi” për mbyllje të tërësishme të shkollës (hapësirës shkollore për nxënësit shqiptar) apo largim të nxënësve shqiptar për t’i mbrojtur ata serb, kinse të “kërcënuar”.
Drejtorët shqiptarë filluan të ftohen në të ashtuquajturat “biseda informative”, si rrjedhojë u ngritën aktpadi penale në gjykata ndaj disa drejtorëve, si p.sh.:
Selver Ferizi – Shkolla Fillore “Brigada e II Kosovare” në Lubishtë.
Mustafë Tafa – Shkolla Fillore “7 Shtatori” në Tërpezë.
Nazif Hajrullahu – Shkolla Fillore “GanimeteTërbeshi” Smirë.
Shaban Beqiri – Shkolla Fillore “Liria” në Sllatinë të Epërme.
Shyqeri Sylejmani – Shkolla Fillore “Boro e Ramizi”Radivojc.
Avni Sokoli – Shkolla Fillore “Zenel Hajdini”Goshicë.
Qahil Sinani – Shkolla Fillore “Emin Duraku”Gjylekar.
Marjan Uka – Shkolla Fillore “25 Maji” Stubëll e Epërme.
Punëtorëve të arsimit, si dhe punëtorëve tjerë shqiptarë që u përjashtuan nga puna iu ndërpre shfrytëzimi i mbrojtjes shëndetësore dhe i sigurimit social, me arsyetimin se ata nuk po ndajnë kontribute për mbrojtje shëndetësore, e cila iu mohohet edhe anëtarëve të familjeve të punëtorëve të arsimit dhe atyre të përjashtuar nga marrëdhënia e punës. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë nga shtëpia e shëndetit në Viti, të nënshkruara nga drejtoresha e dhunshme e asaj kohe Jellica Kërqmareviq.
Për fillimin e vitit të ri shkollor 1991, nuk ishin ndarë mjete për meremetimin e shkollave. Shkollat nuk ishin furnizuar me material tjetër (ditarë pune, shkumësa, letër etj), as për ngrohjen e lokaleve shkollore nuk ishin ndarë kurrfar mjetesh. Fillimi i rregullt i vitit shkollor më 1991 nuk ishte lejuar nga organet e pushtetit okupues, i cili përkundër vështirësive materiale dhe teknike, filloi me 2 Shtator. Mirëpo, fillimi dhe mbajtja e mësimit u pengua nga organet e pushtetit serb. Deri më 2 Tetor u bënë disa përpjekje për fillimin e vitit shkollor në kushte të jashtëzakonshme. Pasi që nuk u lejuan të hynë në lokalet shkollore më 2,3 dhe 4 tetor,u zhvilluan protesta para objekteve shkollore.
Më 7 tetor sërish shkollarët ia mësynë shkollave, mirëpo dyert e tyre ishin të mbyllura. Deri më 20 janar 1992 u prit që shkollave shqipe t’u hiqen dryrët e shtypësit, mirëpo kjo ishte e pamundur për kohën. Prej 20 janarit filloi të organizohet mësimi paralel nëpër objekte private. Nëpër mjediset e pastërta shqiptare mësimi nuk u pengua, as nëpër disa objektet shkollore, mirëpo në ato të përziera si në: Zhiti,Viti,Vërboc nxënësit shqiptarë u përzunë dhe mësimet filluan t’i zhvillojnë nëpër shtëpi private. Nxënësit e shkollës së mesme në shumicën e tyre mësimet i zhvilluan nëpër shkollat fillore, por edhe në shtëpi private. Nëpër shumë këto lokalitete, si në Zhiti, lokali shkollor pasdreke ishte i zbrazur, por nxënësit shqiptarë detyroheshin që në shtëpi private të organizojnë mësimin. Njëashtu ishte edhe në Vërboc.
Si formë e drejtpërdrejt represive kundrejt mësimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimit të arsimit shqip gjatë vitit shkollor 1990/91, nëpër të gjitha shkollat e komunës së Vitisë e poashtu edhe në atë të fshatit Lubishtë, inspektorët serbë bënin kontrollime dhe jepnin vendime që të punohet me planprograme të hartuara nga Serbia. Ata kërkonin që të hedhen poshtë planprogramet e hartuara nga organet arsimore të Kosovës, të cilën gjë punëtorët e kësaj shkolle dhe shkollave tjera ku mësohej shqip, nuk e pranonin dhe vazhdonin të aplikonin planprogramin e mësimit shqip.
Vite më vonë, më 11.08.1998, policia serbe, drejtorit të shkollës fillore në Lubishtë (Metush Metushi), ia kishte konfiskuar të ardhurat personale të punëtorëve në shumë prej 2950 DM, Drejtori i kësaj shkolle ishte marr në polici, i cili torturohet nga organet e sigurimit të brendshëm serb…etj.
Se sa i pengonte regjimit shkollimi shqip, kjo u shpërfaq edhe me rastin e helmimit te nxënësve në disa shkolla shqipe në Viti dhe rrethinë (poashtu gjithandej Kosovës). Pas marrjes së Autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së regjimit serb, në këtë rast shkollat ishin shënjestra kryesore e maltretimeve, dhunës, abuzimit, përmes të cilave masa synuan që ta gjymtojnë popullatën shqiptare dhe ta pengonin në ngritjen e vetëdijes shoqërore e kombëtare.
Të Helmuarit në vitet 1990-1991
Gjithsej 160 nxënës të helmuar nëpër disa shkolla fillore dhe të mesme, duke e përfshirë numrin e përgjithshëm të nxënësve në ato vendbanime ku kishte ndodhur helmimi.
Viti, 101 nxënës të helmuar;
Pozheran, 14 nxënës;
Kabash, 31 nxënës;
Radivojc, 5 nxënës;
Germovë, 2 nxënës;
Budrigë, 1 nxënës;
Të tjerë (të pa specifikuar).
Prejardhja e nxënësve ishte nga lokalitete e fshatra të ndryshme të Vitisë, ku mësimet i ndiqnin jashtë vendbanimit të tyre. Si për shembull me prejardhje (të identifikuar) nga:
Sllatina Epërme, ishin 6 nxënës;
Begunca, 33 nxënës;
Kabashi, 24 nxënës;
Smira, 11 nxënës;
Remniku, 2 nxënës;
Burdriga, 1 nxënës;
Mogilla, 1 nxënës;
Sllatina poshtme, 6 nxënës;
Ramjani, 7 nxënës;
Verbani, 2 nxënës;
Pozherani, 25 nxënës;
Germova, 3 nxënës;
Vitia 9 nxënës;
Lubishta, 1 nxënës;
Radivojci, 20 nxënës;
Gjylekari, 3 nxënës;
Drobeshi, 2 nxënës;
Goshica, 1 nxënës;
Etj, (disa të pa identifikuar).
Prej tyre femra gjithsej 128 nxënëse të helmuar, ndërsa meshkuj 32 nxënës.
Gjithë këta të helmuar (160) ishin kryesisht nga lokalitetet e mëdha, shkollat e mëdha, si në Viti ashtu edhe në Pozheran dhe lokalitete tjera të cekura më lartë. Simptomat e helmimit ishin kryesisht marramendje, vjellje dhe humbje të vetëdijes. Një rol mjaft të rëndësishëm kishte luajtur shërbimi shëndetësor, të cilët janë kujdesur për ndihmë të tyre. Në përjashtim të disave që kërkuan ndihmë edhe në qendra më të mëdha shëruese si në Gjilan, Prishtinë, por ka pasur raste edhe në Shkup. Situata megjithatë ishte nën kontroll dhe procesi mësimor nuk kishte humbur.
Në ditët në vazhdim, përsëri filloi procesi mësimor të mbahej edhe nëpër ato shkolla ku kishte ndodhur helmimi i nxënësve. Mësimi në ato shkolla kishte filluar dy ditë pas ngjarjes, “ngase dihej qëllimi çfarë ishte dhe nuk u lejua që skenari i pushtetit serb ndaj shkollave shqipe të zbatohej”.
Helmimet e nxënësve në shkollat e Kosovës ishte një dukuri që kishte zënë të përdorej me qëllim nxitjen e revoltave popullore. Kjo dukuri kishte pasoja të shumta, së pari shëndetësore pastaj edhe politike. Helmimet ishin një masë represive ndaj arsimit shqip, i dirigjuar nga pushteti serb, që kishte për qëllim të thyej rezistencën shqiptare. “Arsimi konsiderohej shtylla kryesore e ndërtimit të shtetit, sepse aty ishin dhe punonin njerëz intelektual”. pra, Arsimi ishte një shtyllë e fortë e sistemit paralel në vend dhe poashtu ishte një shtyllë e fortë dhe një fortesë e pathyeshme që do të mbante për brenda rininë dhe të ardhmen e shtetit që po krijohej.
Burimet dhe Literatura
Punimi “Represioni serb ndaj arsimit shqip ne Viti gjatë viteve `90” në vete përmban burime të ndryshme. Burimet e shfrytëzuara në këtë punim përmbajnë; libra të botuara, dokumente të pa botuara, shtypin e kohës, arkiva personale, intervista, debate shkencore televizive etj. Një pjesë e burimeve të pa botuara e të pa arkivuara gjenden nëpër arkiva personale të pa sistemuara. Të gjitha këto burime janë të paraqitura me fusnotë përgjatë shkrimit të këtij punimi.
Zejnullahu Jusuf, Stuhi lufte mbi Kosovë, Prishtinë.
Rilindja, 13 Mars 1990.
Rilindja, 28 mars 1990.
Rubikon, intervista, debat shkencor 2009, Muhamet Bicaj.
Murati Adem, Intervistë ( me audio ingjizim), Korrik 2010, Viti ( ish kryetar i Këshillit Komunal te Arsimit-KKA në Viti).
Avdyli Esat ( ish kryetar i keshillit komunal për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut), KKMDLN, rapor procesverbal, dosje personale.
Këshilli Komunal për Arsim, Raport i dt. 14.08.1995, Viti, dosje personale.
Drejtoria e shk. mesme, Gjimnazi “Kuvendi Lezhës”, departamentit te arsimit, shkresë, 1999
Shkolla “7 shtatori” Terpezë, raport i drejtorisë, 19.07.1996, dosje personale.
SHF. “Vllezërit Gërvalla”, Lubishtë, Raport për KKA në Viti, dt.18.06.2003, nr 45/1-03, dosje personale
Raporti dt.18.06.2003, për periudhën 1989/1999 për Drejtorinë e Arsimit dhe të Shkencës të KK- Viti, nr. 45/1-03, nga drejtori shkollës fillore “Vëllezërit Gërvalla” Lubishtë.


