UBT

Një parti e re e kthen shpresën te politika

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Duke parë zhgënjimin e madh qytetar dhe performancën negative në zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, për shumicën e subjekteve politike, të cilat kush më shumë në qeverisjen qendrore e kush në atë lokale, nuk u dëshmuan për interesin qytetar plot 17 vjet në realitetin e ri në liri, analistët konsiderojnë se pikërisht tani është koha ideale për një kurs krejtësisht të ri politik, duke parë se si është parcializuar e tejdegraduar skena partiake dhe është përçarë edhe opozita e korruptuar dhe i tërë pushteti në të gjitha nivelet, në atë komunal dhe qendror.

Kursi i ri politik nevojitet, sipas analistëve, duke parë se politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, janë të dehur nga pangopësia e lakmia për pushtet dhe për t’u pasuruar edhe kriminalisht.

Tani, edhe vetë qytetarët, dita ditës, po e shohin se realisht edhe po qe se mbahen zgjedhje çdo vit, asgjë nuk do te rregullohet në të mirë të tyre me këtë klase politike, por vetëm partitë kriminale do të ndërrojnë partnerët, derisa mënyra e qeverisjes do të jetë e njëjtë, vetëm në dëm e kurriz të qytetarëve dhe duke përfituar pushtetarët bashke me mafio-oligarkët e inkriminuar të bizneseve të pista.

Pushteti i inkriminuar

Uji Dea

Analisti Ali Hertica thotë se, duke u nisur nga historiku i të gjitha subjekteve politike dhe ngritja e tyre në mënyrë piramide, të mbështetura nga vota dhe taksat e qytetarit, e që nuk kanë qenë asnjëherë në krye të detyrës dhe zotimeve të bëra, atëherë ndëshkimi me votë duhet t’u vijë shpejt, kurse si zëvendësim me urgjencë të krijohet një subjekti i ri politik ndryshe nga të tjerët. “Mendoj se tanimë askush nuk gabohet nëse del me qëndrimin, kërkesën ose iniciativën e fillimit të shpejtë të formësimit të një ideje dhe kursi të ri politik për vendin, që do të ishte një shkëputje “revolucionare” nga myku i shtresuar kriminal në politikën e tanishme kosovare. Unë konsideroj se urgjentisht na duhet një parti e re politike, sepse partitë kryesore, të cilat e patën dhe e kanë pushtetin, si ato në nivelin qendror edhe në atë lokal, nuk i realizuan as për së afërmi premtimet e tyre të njëpasnjëshme, mandat pas mandati, e nuk i realizuam as kërkesat më të thjeshta jetësore të qytetarëve. Mund të themi lirisht se që 17 vjet në krye të shtetit më shumë patëm pushtete të inkriminuara në krim dhe korrupsion sesa projekte që u jetësuan për zhvillimin, avancimin dhe përmirësimin e jetës qytetare”, u shpreh ai. “Subjektet politike, kush më shumë e kush më pak, qeverisën me vendin, rrethi vicioz u soll sa në pozitë sa në opozitë, por secila kishte përgjegjësi shtetërore në funksion të angazhimit për të mirën e qytetarit. Fatura 17- vjeçare është dështim total i secilës prej tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe në tranzicion të shtetndërtimit, edhe opozita nuk bëri shumë në revanshizmin programor e sfidues karshi pozitës, e cila pa drojë e udhëhoqi ashtu si deshi pushtetin, duke vazhduar forcimin e lidhjeve kriminale e klienteliste të rrjetit të oligarkisë, që forcoi monopolin në të gjitha fushat dhe nuk i dha shpresë qytetarit”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.

E zhvatën shtetin, nuk e lëshojnë pushtetin

Ndryshimin e kursit politik me një subjekt të ri me ide dhe projekte për qytetarin e sheh tepër emergjent edhe analisti dhe publicisti Naim Kelmendi. Arsyetimi i tij është ky:”Kosovës i duhet një kurs krejtësisht i ri politik, që drejtohet nga një klasë e re politike e pakorruptuar, e painkriminuar në krim e korrupsion e që punon në dobi të vendit. Degradimi i këtij pushteti dhe kësaj klase politike ka degraduar vendin deri në një gjendje të pashpresë, të paperspektivë dhe ka krijuar gjendjen, saqë qytetarët e vendit të jenë të deprimuar për të ardhmen dhe mirëqenien e tyre”, theksoi ai. “Fatkeqësisht, pushteti dhe lufta për pushtet po rezulton që në kontinuitet të jetë i dobishëm vetëm për njerëzit e pushtetit, e aspak për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Klasa politike e pushtetmbajtësve bëjnë luftë të pakompromis për të mbetur në pushtet, ngase kështu arrijnë privilegje të shumta dhe pushtetin e shohin si arritje të qëllimeve të tyre të pasurimit. Këtë po e arrijnë duke e zhvatur shtetin”, u shpreh Kelmendi. “Për kaq vite të pushtetit dhe qeverisjes së tyre kanë degraduar çdo gjë dhe po e shkatërrojnë edhe shtetin, kështu që qytetarit nuk i mbetet për të shpresuar aspak nëse sërish marrin pushtet të njëjtët me ca modifikime kozmetike përmes qeverisjesh në koalicione te reja”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.