UBT

Shkrumbi mbulon botën (prozë poetike)

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Një zë i panjohur këlthiti: zgjohuni, po djegin Ilirinë! Shkrumbi mbulon botën tënde dhe e kupton se nuk ka pikë kuptimi të njohësh botët e tjera.

Del e ulërin si ujk i plagosur.
Mandej e merr vrapin.

Asaj rruge nuk i shkon heshtja, as ajo mangësi e erës së ftohtë. Në mend ke zjarrin tek djeg fëmijë e pleq, tek shuan zemra të dashuruara. Mbase janë lotët që djegin e dhembin padurueshëm.

E ti nuk je në atë kohë.
As nuk je në kohën e sotme.
Provon të frymëzohesh për jetë, kur të ndalin edhe ajrin. Kot merr rrugë të gjata, pasi heshtja e vdekshme të shtohet rendjeve e shpresës, për të shpëtuar, për të arritur diku.

ARKATANA

Nga lodhja e pikëllimi vajton brendia jote e kthyer në diçka pa emër, ku vallëzojnë shtriga e ku këndohet lavdia e atyre që ndihen heronj, sepse të vranë. Mbyll sytë e ndien se te ti është kthyer e padurueshmja, pafuqia për t’u ballafaquar me fuqinë e tyre kafshërore.

Vazhdon të shkosh diku mes heshtjes e lodhjes, pa të bërë më përshtypje emri që do të kesh analeve. Tashmë je një me kujtimin, vetëm me harresën ke luftë.

Ramadan Mehmeti